Receta e ditës - Lazanjë me kungull dhe supë e ftohtë me avokado / Pjesa e dytë

21 Qershor 2019, 10:59 | Përditesimi i fundit: 2019-06-21 16:19:36

Receta e dytë: Supë e ftohtë me avokado

Përbërësit:

2 kastraveca

1 limon

1 thelpi hudhër

300 ml lëng perimesh

2 avokado

400 gr kos

kripë + piper i zi

1-2 domate

3 lgj vaj ulliri

nenexhik i freskët

Përgatitja:

Fillimisht presim kastravecat për së gjati. Largojmë farat dhe më pas i presim në kubikë të vegjël. Ruajmë mënjanë 1 lugë kubikë kastraveci për dekor në fund. Vendosim kubikët e kastravecit në një enë të thellë ku shtojmë 300 ml lëng perimesh, 1 thelb hudhër, lëng limoni dhe tulin e avokados. Rreth 1 lugë me kubikë avokadoje e lëmë gjithashtu për dekor.

Kalojmë kastravecin, avokadon dhe hudhrën në blender duke i kthyer në pure. Shtojmë më pas kosin, pak kripë, piper të zi dhe vaj ulliri. E kalojmë përsëri në blender për një minutë.

Presim domatet më katërsh, largojmë lëngun dhe farat e tyre dhe tulin e presim në kubikë të vegjël. Më pas domatet i përziejmë me avokado dhe me kastravec duke shtuar dhe erëzat. E shërbejmë më pas supën e ftohtë me avokado duke vendosur në qendër të pjatës pak kubikë kastraveci dhe avokadoje dhe 1 lugë çaji vaj ulliri.