VIDEO - Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 15 Janar 2025 – Receta/ Pandemia e heshtur, infeksionet mykotike/ ‘Albanian Night’

15 Janar, 16:06

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Strudel me mollë, arra dhe kanellë / Bamje me mish / Sallatë me lakër dhe karotë.

Të padukshme, por gjithnjë e më shumë kërcënuese, infeksionet mykotike po shfaqen si një pandemi e heshtur që prek miliona njerëz në mbarë botën. Këto infeksione, të shkaktuara nga kërpudhat, shpesh nënvlerësohen dhe janë të vështira për t’u diagnostikuar e trajtuar. Me një rritje alarmante të rasteve të rezistencës ndaj antifungalëve, ndikimi i tyre po bëhet një sfidë serioze për shëndetin global. Në këtë bisedë në "Rreze Dielli" me nutricionistin dhe specialistin holistik Altin Joka shqyrtojmë faktorët që po kontribuojnë në përhapjen e këtyre infeksioneve, përfshirë ndryshimet klimatike, përdorimin e tepërt të antibiotikëve dhe dobësimin e sistemit imunitar. Po ashtu, do të diskutojmë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, opsionet e trajtimit natyral me bimë e kura popullore dhe hapat që duhen ndërmarrë për parandalim.

Këngët tona tradicionale janë shumë më tepër sesa thjesht melodi të trashëguara nga e kaluara. Ato janë një pasuri e vyer që mbartin histori, emocione dhe mesazhe të thella, të fshehura mes vargjeve poetike dhe melodive magjepsëse. Çdo këngë tregon një histori – për dashurinë, vuajtjen, gëzimin, apo trimërinë – dhe na lidh me rrënjët tona, me zakonet dhe traditat që kanë formësuar identitetin tonë. Në këtë bisedë me të ftuarit në "Rreze Dielli", Armando Muça, këngëtaren Malvina Likaj dhe instrumentistin Andi Ponoçi, u ndalëm tek "Albanian Nights" qendra e vetme në Ballkan që organizon mbrëmje magjike me muzikë e valle, ku këngëtarë, artistë e njerëz të thjeshtë mblidhen e flasin mbi kuptimin e teksteve të këngëve tona tradicionale, simbolet e fuqishme që ato përdorin dhe rëndësinë që kanë në ruajtjen e kulturës sonë kombëtare.