A jemi gati të gjithë për Drejtësi?

Foto ilustruese

Na duket sikur Drejtësia është një medalje në gjokset e partive apo të udhëheqësve të radhës, por gjërat janë më të thella e kërkojnë revolucione më të brendshme se kjo që shohim tani. Eshtë pjesërisht e vërtetë që individët dhe institucionet çojnë në ndriçimin e përcjelljen e një vendi drejt Drejtësisë së shëndetshme, pjesa tjetër na përket të gjithëve dhe nis që në thellësi të zemrës, në pastërtinë e secilit prej nesh dhe në vendimin individual për t'u sjellë apo jo mirë.

Një numër i jashtëzakonshëm qytetarësh e ngritën jetën e tyre në tranzicionin e deformuar shqiptar jo mbi punën, meritokracinë apo konkurrencën e ndershme, por mbi rrugët e shkurtëra të favoreve, të rrëmbimeve të pronave, të manipulimeve politike e veprimeve kriminale. Përmes vetëm këtyre rrugëve të shkurtëra shumë dolën në sipërfaqe në fusha të rëndësishme të jetës shqiptare si politika, biznesi, media, drejtësia etj.

Një elitë "furbosh", dinakësh, vazhdon ende të jetë dominuese në sektorët jetikë të shoqërisë sonë, të ketë tepër influencë në rrjetën më të fortë të merimangës që një shoqëri si e jona ka ngritur ndonjëherë.

E megjithatë, këta individë nuk erdhën mes nesh si banorë të një planeti tjetër. Ata kanë një familje, një komunitet që i njeh mirë dhe në gjithë këto vite në heshtje i ka pranuar, inkurajuar e mbështetur të bëjnë trafiqe, mashtrime, grabitje, manipulime, në këmbim të favoreve, komoditetit dhe luksit ekonomik.

Një shoqëri që përbuz punën dhe miklohet nga favoret e kollajta politike dhe ekonomike, është një shoqëri me shtyllën kurrizore të thyer e për ta korrigjuar e shëruar kërkohet një mjek i mirë.

Ashtu si edhe për gjërat më të vogla që na ndodhin (si mosfitoren në Eurovizion nuk e shohim si një problem tonin, por si një faj të tjerëve që nuk na mbështetën), edhe gjërat e mëdha që na ndodhin, i konsiderojmë faje të të tjerëve. Dhe gjërat asnjëherë nuk do të ndryshojnë, nëse hapat e parë nuk i bëjmë me veten.

Çdo shqiptar nga jugu në veri, duhet të kalojë në sitë ndërgjegjen dhe të masë kontributin individual që jep përditë në familje e shoqëri. Ajo shtylla kurrizore e dëmtuar, mund të shërohet vetëm nëse vendos secili ta bëjë një gjë të tillë. Dëshira për drejtësi nis pikërisht nga dëshira dhe ëndrra e madhe për të mbajtur pikësëpari lart e drejt të veten shpinë, e vetëm pas kësaj, e gjithë shoqëria do të marrë kurajon e do të dëshirojë, punojë të qëndrojë drejtë e mirë.

Dëshira për drejtësi nuk është vetëm një punë institucionale. Nis nga një nënë që kupton se i biri është bërë trafikant droge, vajzash, dhe nuk pranon paratë e tij. Nis nga një bashkëshorte që ka kuptuar se i shoqi i ka blerë çantat, shtëpitë, makinat tepër të shtrenjta duke grabitur institucionin ku shërben apo edhe më keq duke dënuar të pafajshëm e duke mbajtur në burg njerëz të mirë. Nis nga një fëmijë që nuk turpërohet se babai nuk ka një makinë luksi e se është bukur, në mbrëmje t'i puthë duart me kallo që sjellin bukën e pastër në shtëpi. A jemi për këtë gati të gjithë?

d.ba.
Komento

Komente

  • None: 16/05/2018 19:40

    A jane gati politikanet te mos luftojne per pushtet? A jane gati politikanet qe te heqin dore nga privilegjet e qeverisjes, nga organizimi i tenderave, punesimet sipas qejfit etj? A jane gati politikanet te mos nderhyjne ne organet e drejtesise? A jane gati biznesmenet te mos lidhen me politiken, te paguajne te gjitha taksat, te fitojne me pak? A jane gati zyrtaret publike te mos shesin sherbimet e tyre? A jane gati njerzit e thjeshte te punojne ndershem, te mos perpiqen te fusin miq edhe per nje gjobe parkimi ? A eshte gati ky popull qe te vleresoje personin e ndershem dhe te kallezoje, injoroje, diskretitoje ata qe perfitojne padrejtesisht ? A eshte gati ky popull qe te zbatoje germe per germe rregullat e shkruara, te respektoje vijat e bardha ne rruge te pakten? Jo, une nuk besoj se jemi gati !!!!!!!!

    Përgjigju