I ftuar Artan Hoxha publikon mesazhet, e ish-oficerit Nuhu

28 Shtator 2018, 09:30 | Përditesimi i fundit: 2018-10-01 07:35:28

Gazetari i investigativ i Report Tv, Artan Hoxha publikon ekskluzivisht në “45 minuta” mesazhet e shkëmbyera mes Ramazan Rrajas nipit të deputetit të PS, Rrahman Rraja dhe ish-oficerit të policisë së Krujës, Emiljano Nuhu. Nga komunikimet telefononike përmes Whatsapp, marrëdhëniet mes ish-oficerit dhe nipit të deputetit duken krejtësisht miqësore, ndërsa rezulton se janë takuar në Tiranë. Në bisedat e publikuara nga Hoxha shihet se komunikimi i parë është mes Emiljano Nuhut dhe nipit të deputetit është në datën 26 korrik dhe tregon se të dy kanë pasur njohje.

Në tekst, ish-oficeri i i kërkon Ramazan Rrajës ta takojë në Tiranë te “Casa Italia”. Në datën 27 korrik, oficeri i policisë, Emiljano Nuhu hyn në lojë dhe merr dëshminë e vajzës Xhisiela Maloku e cila ka paditur për dhunë Rexhep Nuhun, djalin e deputetit të PS, Rrahman Nuhu. Këtu, mesazhi i radhës i shkëmbyer mes Rrajas dhe Nuhut është ai pasi ishte marrë dëshmia e vajzës në polici. Ramazan Rraja i drejtohet duke e pyetur nëse ka qenë ai i cili ka marrë në pyetje të renë. Dhe oficeri i përgjigjet se ishte vetë ai. Më pas ata lënë një takim dhe takohen në Tiranë. 

Bisedat me mesazhe mes të dyve nuk flasin aspak për një marrëdhënie të acaruar apo në kufijtë e kërcënimit me jetë me pistoletë në kokë, siç pretendon ish-oficeri Emiljano Nuhu, për të lënë të lirë djalin e deputetit. 

Bisedat e ish-policit Emiljano Nuhu me nipin e deputetit Rrahman Rraja:

Biseda datë 26.07.2018

Emiljano Nuhu: O vëlla ç'a po bën tani? Hajde pak në Tiranë te 'Casa Italia''. 
Ramazan Rraja: Ok. Po nisemi tani, për pak. 
Emiljano Nuhu: Ok. 
Ramazan Rraja: Në Rinas jam, rrugës. 
Emiljano Nuhu: Te "Bolvoil", mbrapa "Casa Italia" takohemi. 
Ramazan Rraja: Ok. 
Emiljano Nuhu: Këtu jam se nuk kam më bateri. Mu fik telefoni. 
Ramazan Rraja: Ok. Këtu jam. 

Biseda datë 30.07.2018

Ramazan Rraja: Si je? Si kalon?
Emiljano Nuhu: Mirë, si je ti?
Ramazan Rraja: Mirë flm! A ke qenë ti te Posta në Fushë Krujë që me marrë në pyetje atë vajzën? Apo e mora vesh gabim?  
Emiljano Nuhu: Po, unë isha.
Ramazan Rraja: Po s'po të kuptoj. Ç'ke me ne. Ku mund të të takoj?
Emiljano Nuhu: Hajde më tako në Tiranë.

Biseda datë 30.07.2018

Ramazan Rraja: Ku të vij?
Emiljano Nuhu: Hajde te Unaza e Re. Je afër?
Ramazan Rraja: Te “Vasil Shanto” jam. Po vij. 
Emiljano Nuhu: Apo e lëmë më vonë. Se tani u ktheva nga puna. 
Ramazan Rraja: 5 minuta. Të takoj aty në rrugë. Po vij. 
Emiljano Nuhu: Ok, hajde tek Vila L. E di?
Ramazan Rraja: E gjej.
Emiljano Nuhu: Është rruga që futesh te rrethi i Kastratit. 
Ramazan Rraja: Ok. Këtu jam. 
Emiljano Nuhu: Me ç'a makine je? Jam ulur te Richmondi'. Poshtë Vilës L. 

Hoxha ka thënë se ish-oficeri Nuhu ka aplikuar për të marrë azil, ndërsa fotoja me ish-policin Dritan Zagani është shkrepur dje. Gazetari Hoxha ka thënë se Xhisiela Maloku është dhunuar dhe se dhunuesi duhet të ndëshkohet, por dy historitë janë të ndara nga njëra-tjetra.

Kemi të bëjmë me një histori që po merr vëmendje. Historia është e pompuar politikisht dhe mediatikisht. Kjo histori nuk synon të vëjë drejtësi dhe të ndëshkojë vajzën që është dhunuar, por kërkohet të krijojë një kaos. Një devijim skandaloz, nuk është hera e parë. Flas për pjesën që jam përfshirë. Në një debat lidhur me këtë çështje pashë që kishte shumë mjegull. Pashë denoncimin e një ish-oficeri policie, që është larguar, ndërkohë që nuk ka kthyer as detyrimet ndaj shtetit dhe Akademisë së sigurisë.

Gazetari i Report Tv, Artan Hoxha

Hoxha ka folur edhe për akuzat e ish-oficerit Nuhu. Gazetari ka thënë se ish-polici u largua nga Shqipëria në rrugë ilegale dhe iku në Kosovë, më pas në Verona e më pas në Zvicër.