TIRANE- Aleksandër Biberaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka deklaruar në studion e emisionit 45 Minuta me gazetarin Denis Minga se e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën politike në Shqipëri janë zgjedhjet e parakohshme. Ai tha se partitë politike në Shqipëri nuk mund të varin vendimmarrjen e tyre tek ndërkombëtarët, pasi kjo sipas tij nuk mund të zgjidhë problemet dhe krizën politike, ndonëse krydemokrati Lulzim Basha është shprehur se tryeza për 'Zgjedhoren' erdhi pikërisht pas ndërhyrjes së tyre.
"Faktori ndërkombëtar nuk është as bibla, as Kurani. Problemet tona i zgjidhim vetë. Duhet të kemi qytetari të zgjidhim vetë problemet tona. Të gjithë ambasadorët që vijnë ikin mbarojnë punët e tyre, por problemet tona duhet t'i zgjidhim vetë. Nuk mund të dominojë faktori ndërkombëtar. Reforma Zgjedhore është e para, në mënyrë që ne të shkojmë në zgjedhje. Unë mendoj se kriza zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve", u shpreh Biberaj.
Biberaj tha se deputetët që kanë pranuar mandatin nuk mund të jenë më pjesë e Partisë Demokratike, pasi kanë zgjedhur rrugën e tyre një vit më parë, kur vendosën të qëndrojnë në Kuvend.
"Mendoj se deputetët që pranuan mandatin nuk mund të jenë më pjesë e PD. Ata kanë bërë një ndarje në momentin kur vendosën të marrin mandatin. Ne me socialistët nuk jemi armiq, jemi shqiptarë. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mira me ndërkombëtarët. Nuk ka asnjë ndërkombëtar që të thotë se ke bërë mirë se nuk ke marrë pjesë në zgjedhje apo se ke djegur mandatet. Por unë nuk mendoj se nuk kemi marrë vendimet e duhura. Faktori ndërkombëtar është me qytetarët, nuk favorizon asnjë parti", deklaroi Biberaj.