TIRANE- Deputeti socialit Ervin Bushati ka shpjeguar ditën e sotme në emisionin 45 Minuta me gazetarin Denis Minga, rolin e Shqipërisë në kryesimin e OSBE-së, në një vit ku vendi jonë po harton Reformën Zgjedhore pikërisht nën mbikqyrjen e kësaj organizate ndërkombëtare. Bushati tha se Shqipëria luan rol koordinues në këtë kryesi dhe jo vendimmarrës, e për pasojë kjo nuk bën diferencë në përmbushjen apo jo të detyrimeve të saj përballë shteteve të tjera si dhe kritereve në hartimin e reformave.
Bushati tha se kryesimi i OSBE-së, tregon se vendi ynë është në një fazë maturie, ndërsa kujtoi se kryeministri Edi Rama është kryeministri i parë shqiptar që bën një vizitë zyrtare në Rusi, ndonëse në tagrin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Ai tha se kjo vizitë duhet parë në një këndvështrim pozitiv ku Shqipëria ulet në një tryezë me një nga vendet më të fuqishme të botës, dhe mund të sjellë edhe shkëmbim ekonomik dhe turizmi.