Bie projekti me kulla për Teatrin Kombëtar, i ftuar nën/kryetari i bashkisë së kryeqytetit Arbi Mazniku

2 Mars 2020, 09:12 | Përditesimi i fundit: 2020-03-02 09:17:44

TIRANE-N/kryetari i bashkisë së kryeqytetit Arbi Mazniku i ftuar në studion e emisionit '45 Minuta' në Report Tv shpjegoi se përse u prish marrëveshja  koncensionare me firmën "Fusha.sh.p.k", duke vendosur që Teatri i ri Kombëtar të ndërtohet nga buxheti i shtetit me një garë të re dhe jo më nja një investitor privat. Teknika dhe koha ishin dy nga arsyet që sipas Maznikut ishin vendimtare që çuan në prishjen e marrëveshjes me koncesionarin.

"Në garë kemi pasur vetëm një aplikues, më pas ishte negocimi i kontratës nga një grup ku kishte edhe përfaqësues nga artistët në mënyrë që të ishte në standardet më të mira të mundshme. Kjo negociatë u bë për disa muaj dhe nuk u arrit në një konkluzion, sepse kërkesat që ne kishim për tetarin, kompania nuk mund ti arrinte me objektivat financiare. Ne e donim me standarde të larta të kohës, një objekt që ti qëndronte kohës për gjenerata dhe të ndërtohej shpejt. Por në negocim nuk u arritën. Lidhur me teknologjinë, skenën, madhësinë, etj. Pra firma nuk ishte e gatshme të ndërtonte sipas standardeve që donim ne. Ky propozim që ishte deri tani ka rënë plotësisht".

Me prishjen e marrëveshjes me koncesionarin, bie ligji special që Presidenti dërgoi në Kushtetuese, por edhe projekti për teatrin, që bëri arkitekti danez Bjarke Ingels (shiko ketu projektin). N/kryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku u shpreh se për projektin e Teatrit do të ketë një procedurë të re."Besoj që elementët e ligjit special nuk kanë më vlerë. Ne i kaluam hapat sikur i parashikon ligji dhe aty parashikohej se hapat mund të ngecnin. Përsa i përket projektit, unë mendoj se do i bënte nder që një nga arkitektët më të mirë në botë, do të ishte një xhevahir në qytetin tonë, të kemi një objekt të tillë. Do të ketë një procedurë të re që do të merret dhe nuk kam unë autoritet ta them. Unë mendoj se do i bënte nder qytetit të kishim një projekt nga ky arkitekt'.

Për Teatrin e ri Kombëtar do të hapet gara dhe objektivi sipas tij është që të nisin punimet brenda këtij viti. "Kjo është pronë e shtetit dhe do të bëhet me financim publik, do të ketë një garë dhe transparencë për mënyrë si do të bëhet. Objektivi i qeverisë është që punimet për teatrin e ri të fillojnë brenda këtij viti. Nuk mund të flas për një vlerë, por objekti do të ketë të gjitha standardet që trupa e arsyeshme e artistëve ka kërkuar. Do i kërkojmë qeverisë që të na mbështesë financiarisht, që teatri të jetë me standardin më të mirë". I pyetur për shumën që po lakohet 30 mln euro, Mazniku tha "do të jetë rreth kësaj vlere besoj".