TIRANE-Ish-Presidenti Bamir Topi i ftuar në studion e emisionit '45 Minuta' në Report Tv e cilësoi si një lojë debatin politik mes shumicës dhe opozitës për reformën zgjedhore dhe çështjet e tjera. Ish-n/ kryetari i PD-së u shpreh se nuk duhet të kemi pritshmëri që dy bashkëfajtorët, referuar PS-së dhe PD-së të hapin lojën për të tjerët
"Shumica dhe opozita i kanë lënë jashtëzakonisht pak hapësirë Presidentit, ka ardhur duke u ngushtuar hapësira. Është shumë e rëndë të thuash se të gjithë po luajnë. Kjo është një lojë. Problemi është kush humb nga kjo lojë. Këto janë duke zhvilluar një lloj biznesi Win -Win dhe të gjithë janë të fituar në shumicë apo opozitë. Opozita është në konfuzion se eksperimenton, një herë në 2017 doli bosh dhe tani thotë zgjedhje të parakohshme. Po nëse Rama u thotë pas një muaji, dakord shkojmë në zgjedhje të parakohshme, a janë gati? Kur? Si? Shpesh herë gjërat e thëna, e mbushin, kalon kohë dhe vjen 2021. Në vend që opozita të fillojë të strukturohet si duhet, të marrë cdo resurs, të shikojë hallet e këtij vendi.
Mos prisni që dy bashkëfajtorë të hapin lojën për të tjerët, është kryetari i shumicës dhe e kam vështirë të them se kush është kryetari i opozitës, se për shumë vendime nuk e merr vesh, janë ambigue, e them me keqardhje, sepse cfarë do të thotë nesër nëse humbet. Po ku do të shkojë fati i grupeve të interesit që kërkojnë dicka dhe nuk e gjejnë. Kur them se parlamenti është në këmbët e kryeministrit them se politikisht ka një shumicë që e kalon kuotën e shumicës së cilësuar, ka 3/5 dhe 2/3. Ky e ka kuptuar sikur qeveria është shteti. Edhe opozita është përgjegjëse. Këta janë bashkëfajtorë. Edhe sot kemi një prononcim të ish-kryeministrit Berisha që i qëndron paktit me Ramën në prillin e 2008, që do të thotë pas 12 vitesh nuk ka asnjë reflektim. Edhe në deformimin e rezultatit kanë qenë bashkë" tha ai.
Bamir Topi thotë se Sali Berisha duhet të kërkojë falje për nxjerrjen e opozitës jashtë parlamentit. "Nuk komentoj gjendjen fiziologjike, emocione apo psikologjike të një personi. Unë njoh rrotacionin përmes votës. Këta janë bashkëpërgjegjës në të njëjtën valë. Unë jam anti-revolucionar, por evolucionar. Ndoshta Berisha u thotë të vetëve se e keni lojën totalisht të humbur. Sepse ai ka një element të fortë në dorë, të korrigjojë sistemin politik. Duhet të ketë 'mea culpa' të fortë për nxjerrjen e opozitës në rrugë. Shikon edhe një pamundësi për të rikuperuar dëmin e largimit të opozitës jashtë parlamentit".