Mësuesi, Gjeniu dhe Diktatori / Pjesa e dytë

16 Maj 2018, 15:35

Në Report Tv u shfaq mbrëmë pjesa e dytë e dokumentarit “Mësuesi gjeniu dhe diktatori”. Rrëfimi i Nikës zbulon historinë e tij nga fëmijëria dhe rrjedhën e jetës pas arrestimit dhe burgosjes së mësuesit të tij…

Nikë Marashi, në vitin 1960 jetonte një jetë të qetë, në Palaj Shosh të Dukagjinit. Ishte fëmija i madh i familjes Marashi. Ishte inteligjent përtej çdo përfytyrimi. Por askush nuk e ksihte vënë re aftësinë e tij të pazakontë me numrat.

Madje as Nika vetë nuk e dinte se zotëronte një dhunti që të tjerët nuk e kishin. Sepse në atë fshat të veçuar, e të prapambetur informacioni nuk depërtonte e Nika s’kish me kë të krahasohej…

Nika nuk e dinte se çfarë ndodhte përtej majave të bjeshkëve që shihte nga pragu i shtëpisë së tij. Çfarë ndodhte në botën matanë? Çfarë ishte radio, telefoni, televizori???? Çfarë mësonin fëmijët në shkollë?

Në fshatin e tij ende nuk kishte një shkollë…Por ditën që në fshat do të vinte zotni Gjeto, për Nikën do të ndryshonte jeta katërcipërisht…

Mes atyre fëmijëve të moshave të ndryshme në klasën kolektive që kishte krijuar, mësuesi, do të dallonte mendjen e bukur të Nikës, që s’dihet se si dhe pse, Zoti e kishte projektuar pikërisht në këtë fshat mes maleve.