Ndalohen bastet dhe lojrat e fatit

29 Tetor 2018, 07:44

TIRANË- Deputeti socialist Erion Brrace, njëherazi kryetar i Komisionit të Ekonomisë, ka qenë i ftuar në “45 minuta” me gazetarin Denis Minga, në Report Tv. Braçe ka sqaruar mënyrën sesi qeveria do të mbyllë pikat e basteve, edhe ato online. Deputeti Erion Braçe ka thënë se ka patur kërcënime mbi deputetët e Komisionit të Ekonomisë, ndërkohë që ka nënvizuar se paratë e basteve, janë para të cilat janë fituar nga zhvatja e njerëzve. Braçe ka thënë se bastet online do të mbyllen nga 1 janari, përfshirë edhe kompaninë Bastarena, për të cilën opozita akuzon kryeministrin Edi Rama, se kërkon ta favorizojë me ligjin për mbylljen e basteve.

Intervista e plotë:

Pse u trajtua në mënyrë heroike, ju thatë se jeni përballur me kërcënime dhe presione, çfarë ndodhi kësaj here?

Kjo s’është ngjarja e javës. Kjo është në prime-time të kësaj jave. Unë parashikoj betejë. Do bëhet realitet ajo që është ligj. Nga 1 janari s’ka më baste. Ka nisur që në 2015, kur mazhoranca vendosi të marrë nën kontroll sektorin. Mendoj se beteja do të jetë e ashpër. Së dyti, fenomeni u bë i tillë për shkak të përmasave që ka marrë biznesi i lojërave të fatit. 600-700 milionë euro xhiro vjetore. Në kërcënim të interesave të këtij tregu, përfshirë edhe deputetët e Komisionit të Ekonomisë. Ia kanë dalë të qëndrojnë nga një presion permanent ndaj familjeve të tyre. Çdo mesazh, çdo gërmë, unë kam marrë mesazhe, është detyra ime të marr mesazhe qoftë edhe kërcënuese. Por askush tjetër s’e ka për borxh.

Nga vinin këto SMS, dhe të ç’natyre ishin?

Ka patur SMS informuese. Psh 26 mijë të punësuar. P.sh mijëra euro taksa. Pastaj ke shqetësuese, “çfarë do bëhet me ne”. Pavarësisht se unë i kam konsideruar skllevër ata që punojnë aty. Pastaj të shara, para e mbrapsh. Të tjerat kërcënuese, siç kanë marrë kërcënime koleget e mia në Komisionin e Ekonomisë. Më bën përshtypje që numrat tanë kanë dalë në treg. Numrin tim e ka një rreth i ngushtë. Personat që shkruajnë SMS s’kanë lidhje me mua dhe zonat e mia elektorale. Pasi jam këmbyer një seri mesazhesh, i kam marrë në telefon, por më pas telefonat janë fikur.