Janari ka nisur me rritje të besimit në ekonomi nga të gjithë sektorët e ekonomisë me përjashtim të qytetarëve.
Banka e Shqipërisë thotë se besimi në ekonomi në janar u rrit me 4.2%, ndikuar nga sektorët e ekonomisë si industria, ndërtimi, shërbimet dhe tregtia. Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm.
Rritja më e madhe e besimit ishte nga sektori i shërbimeve me 7.4%, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste të bizneseve për nivelin e kërkesës dhe ecurinë aktuale të biznesit të tyre. Pritjet e bizneseve për çmimet në të ardhmen kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me një muaj më parë.
Për shkak të rritjes së prodhimit industrial dhe shtrimit të kontratave për eksporte sektori i industrisë e ka rritur besimin në ekonomi me 4.8% në janar, ndërsa presin rritje të çmimeve për muajit në vijim.
Po për të njëjtat arsye u rrit edhe besimi në sektorin e ndërtimit me 4.4% muajin e kaluar.
“Rritja u ndikua kryesisht nga vlerësimet optimiste të bizneseve për ecurinë aktuale të shitjeve. Edhe pritjet e bizneseve për nivelin e punësimit në të ardhmen dhanë kontribut rritës në TBT, por në masë më të ulët. Pritjet për çmimet në të ardhmen shënuan rritje”, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.
Kurse në ndërtim besimi u rrit me 3.1 pikë përqindje dhe në përmirësimin ndikuan vlerësimi i bizneseve për aktivitetin ndërtues dhe porositë aktuale, kurse pritjet për çmimet në të ardhmen regjistruan rënie këtë muaj.
Ndërsa treguesi i besimit nga qytetarët nuk ndryshoi thotë Banka e Shqipërisë, ndikuar nga pritshmëritë jo pozitive për të ardhmen, si dhe kanë deklaruar se nuk presin rritje të gjendjes financiare personale.
Komente









