DJE/ TË GJITHA ZHVILLIMET minutë pas minute nga operacionet për nxjerrjen e trupave në Durrës dhe Thumanë (VIDEO)

TIRANË- 40 persona të vdekur, 658 të plagosur dhe dhjetëra të shpëtuar! Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës (26.11.2019) në orën 03:54 minuta.

Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë, në Thumanë, vendi ku ka pasur më shumë viktimave, janë ndërprerë kërkimet pasi personat e raportuar nga familjarët si të humbur janë gjetur, edhe pse të pa jetë. Në Durrës, kërkimet vijojnë në zonën e ish-Kënetës dhe në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18, pranë Kryqit të Kuq.

Shpëtimi i personave nën rrënoja ditën e sotme është bërë edhe më i vështirë për shkak se gjatë mesditës dhe pasdites janë regjistruar tre lëkundje të tjera të mëdha, duke rizgjuar panikun tek banorët në qytetin e Durrësit, por lëkundjet janë ndjerë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Referuar deklaratës së kryeministrit Rama, një pjesë e konsiderueshme e banorëve që kanë mbetur në qiell të hapur, por edhe atyre që nuk rikthehen në shtëpitë e tyre për shkak të frikës, janë akomoduar në hotele, teksa nuk kanë munguar edhe vullnetarë që kanë hapur dyert e shtëpive të tyre nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në mbledhjen e djeshme në orën 07:00 kreu i qeverisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, të cilat janë zonat më të prekura nga tërmeti, ndërkohë sërish në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm do të mbahet sërish një tjetër mbledhje qeverie. 27 Nëntori është zyrtarisht Ditë Zie Kombëtare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:30
VIKTIMAT/ Emrat e 51 jetëve që u këputën në mes nga tërmeti tragjik, shuhen 10 familje...

TIRANE - Shqiptarja.com ju sjell më poshtë listën e konfirmuar të 51 personave që humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë të martën. Viktimat janë shënuar në Thumanë aty ku u shembën totalisht tre pallate dhe në Durrës u u shembën hotele, pallate dhe një vilë 4 katëshe në Kënetë ku u shua familja Lala me 8 anëtarë. Dy të rinj të tjerë, humbën jetën në Lezhë dhe në Kurbin, njëri u hodh nga ballkoni ndërsa tjetri u aksidentua me makinën që po e transportonte në spital pas dëmtimeve nga tërmeti.

Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion kanë ndjekur në terren të gjitha zhvillimet, duke përcjellë për publikun shqiptar jo vetëm pasojat e këtij tërmeti por edhe historitë njerëzore dhe jetët e këputura në mes në këtë tragjedi.

Në Durrës

1. Amelia Lala 8 vjeç - Vila në Kënetë
2. Sahadete Lala 79 vjeç - Vila tek Këneta (Gjyshja dhe mbesa)
3. Griselda Lala- 22-vjeç - Vila tek Këneta
4. Marjeta Lala 31 vjeç
5. Emilio Lala
6. Enis Lala 2 vjeç
7. Dionisa Lala 2 vjeç -binjakë (Nëna dhe tre fëmijët) në Vilën në Kënetë
8. Ilir Lala, (i paralizuar)  52 vjeç i fundit qe u nxorr nga vila 4 kateshe ne kenete

9. Diena Karanxha (Meçja) 30 vjeç Tek 6 katëshi Kryqi i Kuq
10. Esiela Karanxha 8 vjeç (nënë e bijë)
11-Roza Meçja - 59 vjeç nëna e Dienës që vdiq me vajzën 8 vjeçe nën rrënojë - Në pallatin 6 katësh pranë Kryqit të Kuq

12. Bajram Hajdarmataj 54 vjeç (komisar) - Tek Kavalishenca Durrës

13. Sadik Qato 85 vjeç

14. Isa Abazi 32 vjeç
15. Shemsedin Abazi 36 vjeç - vëllezër nga Kosova tek Hotel "Tropikal

16. Flatar Zenelaj 64 vjeç

17. Eviola Broshka 28 vjeç - Balerina tek hotel "MiraMare"
18. Sotiraq Misha 41 vjeç Barist tek hotel 'MiraMare"

19. Kristi Reçi - 25 vjeçe Studente e Mjekësisë
20. Eduart Reçi - 54 vjeç Babai
21. Dolora Reçi - 49 vjeç Nëna
22. Klaus Reçi - 21 vjeç vëllai (Pallati 6 katësh tek Kryqi i Kuq)

23. Nafije Rexhepi 74 vjeç është nxjerrë nga rrënojat tek Pallati 2 Gjelat në Durrës
24. Xhulieta Gjonaj - e nxjerre nga rrenoojat tek Pallati "2 gjelat" ne Durres

Në Thumanë

25. Ariela Lala 4 vjeç
26. Selvie Lala 75 vjeç (gjyshja me mbesën)

27. Bukurie Leka 70 vjeç

28. Hasan Albert  Cara 18 vjec 
29. Almir Albert Cara 29 vjec
30. Erisa Albert Cara 25-vjeçe (motër e vëllezër) 25 vjeë
31. Fatmira  Cara (nëna e tyre) 44 vjeç
32. Stela Cara (e fejuara e Almir Carës) 25 vjeç
33. Anthi Cara - nusja e xhaxhait të Albert Carës (i mbijetuar) 72 vjeç
34. Sadajana Cara - mbesa e Anthit (Shpëtoi nëna e Sadajanës, Lindita Cara) 21 vjeç

35. Pëllumb Greku 57 vjeç
36. Çelike Greku 57 vjeç
37. Saimir Greku 31 vjeç (babai, nëna dhe djali)

38. Sardi Çuka 18 vjeç
39. Fatmira Çuka 44 vjeç (nënë e bir)

40. Hajrie Vata 65 vjeç
41. Rolejt Vata 7 vjeç (gjyshja dhe nipi)

42. Hajredin Çupi 66 vjeç
43. Lutfie Çupi 55 vjeç
44. Klement Çupi (Klevis) 34 vjeç (babai, nëna dhe djali) - Fejonin djalin tjetër ditën e tërmetit, Aleksi shpëtoi

45. Kastriot Cakoni 46 vjeç
46. Drita Cakoni 15 vjeç (Babë e bijë. E kërkonte daja me pasaportë në QSUT)

47. Aderina Kabili 21 vjeçe (Shpëtoi nga tërmeti babai i saj Haxhi Kabili)

48. Suada Hysa 18-vjeç

Lezhë

49. Kristjan Preçi 26 vjeç - I sapodalë nga burgu. U dëmtua nga tërmeti dhe makina që po e çonte në spital doli nga rruga në Lezhë

Kurbin

50.Ersid Hoxholli 32 vjeç u hodh nga ballkoni gjatë tërmetit në Kurbin

Tiranë

51. Xhesika Biqiku 20 vjeç (ndërroi jetë në spitalin e Traumës, i ra në kokaë tulla e pallatit në Kombinat)

Ora 06:40
I plagosuri Marlin Shkodra mbërrin në Itali, Rama: Do të trajtohet në një klinikë në Bari

Marlin Shkodra, një prej të plagosurve rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit ka mbërritur në itali me helikopter. Lajmin e konfirmon në orët e para të mëngjesit kryeministri Rama i cili bën me dije se Shkodra do të marrë trajtim special në një klinikë të specializuar në Bari. Personi në fjalë u dërgua drejt Italisë për trajtim mjeksor më të specializuar për shkak të plagëve të marra nga shembja e ndërtesës ku ndodhej. Ishte i shtruar tek Trauma derisa u vendos që të dërgohej me helikopter drejt vendit fqinj.

Ndërkohë Rama shprehet se:

"Marlin Shkodra, një prej të lënduarve nga tërmeti në Durrës, prej pak oresh ka mbërritur me helikopterin sanitar, në një klinikë të specializuar në Bari, për një trajtim mjekësor më specifik, me mbështetjen e Italisë mike, e cila na u gjend pranë si shumë vende të tjera në këto ditë të vështira.
Me shpresën që 30-vjeçari do të kthehet shëndosh e mirë pranë familjes, jemi më shumë se kurrë pranë çdo të lënduari dhe familjarëve të tyre për ta kaluar së bashku edhe këtë moment të vështirë."

Ora 06:35
FOTO nga brenda pallatit 6-katësh të shembur në Durrës

1574919578_WhatsAppImage20191128at06.29.313.jpeg

1574919598_WhatsAppImage20191128at06.29.312.jpeg

Report Tv mundëson foto nga brenda pallatit 6-katësh ku kanë humbur jetën katër anëtarë të familjes Reçi dhe dy të familjes Karanxha (Meçja). Ndërkohë në të kërkohet ende trupi i Rozeta Meçjas e cila prej më shumë se 48 orësh është nën rrënojat e pallatit të shembur totalisht afër Kryqit të Kuq në qytetin bregdetar.

Nga fotot duket rruga të cilën kanë hapur zjarrfikësit dhe emergjencat civile për të bërë të mundur hyrjen dhe daljen në rrënojat e kësaj ndërtese dhe për të nxjerrë trupat e pajetë apo për të shpëtuar të mbijetuarit. 

Ora 04:25
Mbyllet kërkimi pas 48 orësh, u nxorën 24 viktima, dhjetëra u shpëtuan! Misioni i shpëtimit foto mbi rrënojat e Thumanës

Me nxjerrjen e dy trupave të fundit Almir dhe Stela Carës nga rrënojat në Thumanë është mbyllur operacioni i kërkim shpëtimit, pasi personat që ishin shpallur të zhdukur u nxorën, disa prej tyre fatkeqësisht të vdekur, ndërsa dhjetëra të tjerë u shpëtuan. Në fund të operacionit, fiks 48 orë pas rënies së tërmetit specialistët nga trupat e ardhura nga Greqia dhe Kosova së bashku me ata të Shqipërisë kanë shkrepur edhe një foto së bashku mbi rrënojat e Thumanës.  Në Thumanë humbën jetën nga tërmeti 24 persona.

1574911473_FORCAT2001.jpg

Ora 03:56
Vdekja i mori bashkë, nxirren trupat e pajetë të çiftit në Thumanë

Shqipëria ndodhet në dorë të Zotit me lëkundjet që vijojnë dhe trupa të pajetë që vijojnë që të nxirren nga rrënojat. Numri i viktimave ka arritur në 40-të me dy trupat e fundit të pajetë që janë nxjerrë rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm. Bëhet fjalë për çiftin e të fejuarve Almir dhe Stela Cara.

Ora 03:53
'Më mirë të vdisja unë se Aderina'! Lutjet e babait s'dëgjohen, nxirret trupi i pajetë i vajzës

Mesnatën e sotme është nxjerrë trupi i 38-të i pajetë nga rrënojat në Thumanë. Viktima është Aderina Kabili 21-vjeç nga Thumana, e cila punonte në fabrikën e këpucëve. Babai i vajzës, Haxhi Kabili 52-vjeç u shpreh se rrënojat e zunë së bashku me gruan dhe vajzën. "Gruan e zgjova, u çua dhe shkoi dhe fjeti prapë. Ndërsa vajza nuk lëvizi, u përgjigj përgjumur… Unë kam mbetur brenda në rrënoja, me dorën time kam pastruar tullat e beton çfarë kanë qenë dhe kam arritur të dal. Aderina ka qenë në punë, në fabrikën e këpucëve. Më mirë të kisha vdekur unë se Aderina" tha ai.

Ora 03:53
Ku e gjejnë forcën për t'u futur në rrënoja në shpëtim të të zhdukurve? Përgjigja e zjarrfikësit të mbush me shpresë

Nga lajmi i mirë i shpëtimit të personave nën rrënoja, harrojmë një detaj të rëndësishëm: personat që e shpëtuan. Si ia dalin që mes atyre pamjeve tragjike, përtej të paimagjinueshmes gjejnë forcën të rinisin kërkimet për një tjetër person nën rrënoja, si e mposhtin frikën sepse në fund të fundit janë njerëz dhe jo robot. Këtyre pyetje u ka dhënë përgjigje Aren Fida nga Dibra e Madhe për gazetaren e Report Tv, Xhensila Kodra. 

"Jemi të betuar për këtë punë. Nuk ekziston frikë "jetë shkurti nuk bëhet jetëgjatë". Kjo është motoja jonë, jemi të trajnuar. E kemi për detyrë, është profesioni jonë. Ishalla të mos përsëritet", tha Aren Fida.

Ora 02:43
Pas tërmetit durrsakët nuk i lë rehat as dora e njeriut, policia në alarm


Policia e Durrësit është vendosur në alarm, pasi është raportuar për disa vjedhje në banesat që janë braktisur nga tërmeti. Në zonën e plazhit, raporton gazetari i Report Tv Aldo Kozarja janë disa banesa që janë vjedhur, pjesa më e madhe në pallate të braktisura, pasi njerëzit janë larguar nga frika e tërmetit.

Ora 01:24
Ngjitur me 6 katëshit në Durrës që mori dhjetëra jetë njerëzish, një tjetër pallat rrezikon të shembet

Një pallat 5-katësh, shumë pranë atij 6-katësh në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit është shpallur i pabanueshëm. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra raporton nga vendi  ngjarjes se ky pallat ka marrë dëmtime të shumta nga tërmeti i fortë i së martë, por gjithashtu edhe nga dy lëkundjet e tjera të forta që ranë ditën e sotme. Fatmirësisht në këtë pallat nuk ka pasur asnjë person brenda, pasi policia ua kishte ndaluar më herët rikthimin në banesat e tyre.

Ora 00:58
Komandanti nga Thumana: Gjetëm 3 viktima, ishin te dera e shtëpisë! Një vajzë e re po mbante fëmijën në dorë

Përgjegjësi i operacionit të kërkimit në Thumanë ka deklaruar se janë ndërprerë punimet, teksa ka dhënë detaje nga gjetja e tre personave të gjetur vetëm pak minuta më parë. Për mikrofonin e Report Tv ai ka deklaruar se janë gjetur shumë pranë derës, çka tregojnë se kanë qenë në tentativë për të dalë jashtë shtëpisë. Më tragjik është detaji për djalin e vogël të familjes Vata vetëm 7-vjeç i cili është gjetur i mbërthyer nga vajza e re e familjes Cara, në përpjekje për ta mbrojtur, por fatkeqësisht nuk ia dolën mbanë të dalin të gjallë nga rrënojat.

"Kemi bërë kërkime shumë të dendura. Viktimat kishin qenë tek dera, janë munduar të hapin derën dhe u është bllokuar. Një fëmijë, një grua në moshë dhe një vajzë e re që po mbante fëmijën në dorë. Jemi lodhur, rraskapitur ne do të fillojmë punën që të mos aksidentojmë shokët dhe vetën tonë. Terreni është lehtësuar dhe pengesa kryesore na janë bërë tërmetet e tjera që na rrezikonte jetën dhe ne", tha përgjegjësi i operacionit të kërkimit.

Ora 00:52
Kush janë tre personat e pajetë që u nxorrën nga rrënojat dy ditë pas tërmetit, ndërpritet kërkimi në Thumanë

Pas mesnate, në orën 00:30 të 28 nëntorit, ekipet e shpëtimit kanë nxjerr nga rrënojat tre trupa të pajetë, një e moshuar, një vajzë, dhe një djalë 7-vjeçar. Rolejt Vata ishte i vogli që i kishte humbur nga duart nënës së tij teksa tentonin të shpëtonin nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit. Nëna e tij, Ela Vata shpëtoi bashkë me djalin tjetër, ndërsa gjyshja Hajrie Vata u nxorr nga gërmadhat në orët e para të kërkimeve ditën e parë. Rolejti i vogël u gjet nga forcat e ushtrisë dhe të policisë në krahët e një vajze gjithashtu e pajetë, e cila ende nuk është identifikuar. Bashkë me ta u nxorr edhe Anthi Cara, e moshuar. Ajo ishte e humbur nën rrënoja me mbesën e saj, por nuk dihet nëse vajza e gjetur është mbesa, Sadajana Cara. Kjo pasi, është e vështirë të bëhet identifikimi dhe pritet të merret përgjigje edhe nga morgu. Të afërm të personave të zhdukur që janë bërë pjesë e operacioneve të kërkimit thonë se ajo mund të jetë edhe Stela Cara, e cila është e fejuara e Almir Carës. Ky i fundit ka mbetur ende nën rrënoja, ndërsa nga familja e tij shpëtoi vetëm babai, Albert Cara. Nëna, motra dhe vëllai tjetër i Almirit humbën jetën dhe janë nxjerrë më parë prej rrënojave.

Pra nën rrënoja vijon të mbetet Almir Cara dhe një nga vajzat (Sadajana ose Stela Cara). Me gjetjen e tre trupave operacioni i kërkimi u ndërpre për të vijuar sërish në orët e para të mëngjesit. Kjo edhe për shkak të natës dhe të rrezikut të mundshëm për të ndodhur shembje të tjera si pasojë e lëkundjeve të shpeshta sizmike që kanë rënë njëra pas tjetrës, që mund të rrezikojnë edhe jetën e forcave të kërkim-shpëtimit.

Almir Cara dhe Stela Cara
Ora 00:17
Tre trupa të tjerë pajetë nxirren nga rrënojat në Thumanë, vijojnë kërkimet për dy të tjerë

Tre trupa të tjerë pajetë nxirren nga rrënojat në Thumanë. Ndërkohë që vijojnë kërkimet për dy persona të tjerë. Tre trupat e pajetë i përkasin anëtarëve të familjes Cara. 

Ora 23:57
Nuk ndalen goditjet e tërmetit, panik dhe frikë te qytetarët në Thumanë

Nuk resht vala e lëkundjeve nga tërmeti me epiqendër në në Durrës. Pas lëkundjes 4.4 ballë në orën 23:19 është regjistruar një tjetër në 23:55 minuta me magnitudë 4.7 ballë. Lëkundjet janë ndjerë në Durrës, Thumanë, por edhe në Tiranë dhe zonat përreth. Report Tv sjell një video nga Thumana ku banorët largohen nga një ambient pas lëkundjeve.

Ora 23:29
Shqipëria nuk gjen qetësi, vijojnë lëkundjet nga tërmeti


Vijon vala e lëkundjeve nga tërmeti. Mbrëmjen e sotme në orën 23:19 minuta është regjistruar një tjetër lëkundje me magnitudë 4.4 ballë me thellësi 2 km me epiqendër në detin Adriatik. Që pas tërmetit të fuqishëm 6.4 ballë në orët e para të mëngjesit të djeshëm lëkundjet nuk kanë përfunduar duke vijuar me qindra pasgoditje.

Ora 22:32
Nxirret pajetë një anëtar i familjes Lala...5 të tjerë vijojnë të jenë nën rrënoja në zonën e ish-Kënetës (VIDEO)

Nxirret pajetë një anëtar i familjes Lala në zonën e ish-Kënetës. Bëhet fjalë për Grisela Lalën, ndërkohë që vijnë të jenë në rrënoja dhe 5 anëtarë të kësaj familje më konkretisht Marjeta, Dionis dhe Dionisa 2 vjeç (binjakë), Emilio 6 vjeç dhe Ilir (i paralizuar). Ndërkohë ditën e djeshme u nxorën të pajetë Sadete Lala 79 vjeç dhe Amelia 8 vjeç.

Ora 19:14
EMSC: Që nga 2014 asnjëherë më parë ndjeshmëri të një tërmeti si dje në Shqipëri


 

Qendra  Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC)
 

Qendra  Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC) konstaton se që nga viti 2014 kur është hapur aplikacioni nuk ka ndodhur që të ketë një shkallë kaq të lartë ndjeshmërie nga qytetarët të lëkundjeve nga tërmeti në të njëjtin rajon, sikur ndodhi dje në Shqipëri. Qendra e cilëson si një kohë të vështirë dhe të paqartë për Shqipërinë momentin e vështirë që po kalojnë.

"Që nga fillimi i aplikacionit të fundit të tërmetit në 2014, nuk kemi parë një shkallë kaq të lartë të ndjeshmërisë së tërmeteve në një rajon.  Kjo është një kohë shumë shqetësuese dhe e vështirë për Shqipërinë nga tërmeti dhe të gjitha mendimet tona janë me ju. Qëndroni të sigurt" shkruhet në mesazhin e Qendrës Sizmologjike Europiane të Mesdheut.

Sizmologu Rexhep Koçi u shpreh për Report Tv në një prononcim pasditen e sotme se nga dita e djeshme kur u regjistrua tërmeti 6.4 ballë është pasuar nga 550 pasgoditje, të cilat ende vijojnë.

Postimi i EMSC-se
Ora 18:34
Shuhet një tjetër familje nga tërmeti! Nxirren nënë e bir nga rrënojat, më parë u shuan nga kjo jetë vajza me babanë

Shuhet një tjetër familje nga tërmeti! Familja Reçi nxirret e pajetë nga rrënojat e tërmetit në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në qytetin e Durrësit. Vetëm pak minuta më parë u nxorrën trupat e pa jetë të Dolora dhe Klaus Reçit, nënë e bir. Më herët u nxorën trupat e pajetë të vajzës dhe babait, Kristi e Eduard Reçit. Në këtë pallat ka humbur jetën Diena Meçaj 30 vjeç dhe vajza e saj e vogël 8-vjeçare. Ndërkohë vijojnë kërkimet për të gjetur trupin e pajetë të 30-vjeçare, Roza Meçaj.

Ora 17:58
Nga Thumana, Durrësi dhe Lezha/ Ministria e Mbrojtjes nxjerr emrat e 28 viktimave nga tërmeti (Lista)

Ministria e Mbrojtjes ka zyrtarizuar emrat e 28 nga 32 viktimat që janë shënuar deri tani nga tërmeti tragjik që tronditi Shqipërinë. 15 nga viktimat janë shënuar në Thumanë, ndërsa 13 në Durrës dhe një në Lezhë. E ndërsa ministria ka publikuar emrat e vetëm 28 viktimave, numri ka arritur në 32 dhe për fat të keq pritet që të rritet në orët në vijim, pasi ende 20 janë nën rrënoja në Thumanë dhe në Durrës, teksa grupet e kërkim shpëtimit po vijojnë operacionit, të ndihmuar edhe nga partnerët. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka është përlotur teksa ka bërë bilancin e tërmetit shkatërrimtar dhe ka lexuar emrat e viktimave.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Mbrojtjes
Tërmeti i datës 26 ishte vërtet një ngjarje e rëndë. Ka shkaktuar frikë dhe ankth, ndjesi të cilat përsëriten sa herë toka lëkundet, ashtu sic ndodhi disa minuta me parë, ka shkaktuar dëme masive që do të duhet kohë për t’i rekuperuar.

Por do t’i rekuperojmë. Shtëpitë do të rindërtohen, bizneset do të ringrihen, jeta do të rifillojë për të gjithë qytetarët dhe do të keni të gjithë mbështetjen tonë, gjithë mbështetjen e shtetit shqiptar, partnereve nderkombetare, qytetareve shqiptare, për të kaluar këtë situatë të vështirë e për të rifilluar nga e para.

Por ka diçka që nuk mund ta kthejmë më mbrapsht. Askush nga ne nuk mundet. Janë 28 jetë të humbura, qe lene pas një boshllëk që askush nuk e mbush dot.

E di që fjalët janë të tepërta e asgjë s’mund t’i ngushëllojë familjet e tyre për humbjen.

Por në një shenjë respekti per jetët e humbura, dua të ndaj sot me të gjithë qytetarët emrat e të 28 fëmijëve, vajzave, djemve burrave e grave që nuk arritën ti mbijetonin kësaj tragjedie, për t’i kujtuar së bashku në këto orë dhimbjeje e ngushëllimi për të gjithë.

Në Durrës kahë humbur jetën:
1-            Amelia Lala, 8 vjeç
2-            Esiela Karanxha, 8 vjeç
3-            Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç
4-            Sadik Qato, 85 vjeç
5-            Isah Abazi, 29 vjeç          
6-            Flatar Zenelaj, 64 vjeç
7-            Eviola Broshka, 28 vjeç
8-            Kristi Reçi, 24 vjeç
9-            Sehadete Lala, 79 vjeç
10-          Djena Karanxha
11-          Eduart Reçi
12-          Shemsedin Abazi

Në Krujë:
1.            Ariela Lala 4 vjeç
2.            Bukurije Leka
3.            Erisa Cara
4.            Fatmira Cuka 44 vjeç
5.            Selvie Lala 77 vjeç
6.            Saimir Greku
7.            Kristjan Preçi 26 vjeç
8.            Sardi Cuka 18 vjeç
9.            Hajrie Vata 65 vjeç
10.          Klevis Çupi (Aliu)  34 vjeç
11.          Drita Cakoni    58 Vjeç
12.          Pëllumb Greku 57 Vjeç
13.          Çelike Grupieku  57 Vjeç
14.          Hajredin Çupi, 66 Vjeç
15.          Kastriot Cakoni

Ndërsa në Lezhë:
Marjan Preçi 25 vjec –  u dëmtua nga tërmeti dhe automjeti që po e dërgonte në spital ka dalë nga rruga. Për pasojë Marjan Preci ka humbur jetën.

Janë momente shumë të vështira për të gjithë ne. Me shumë ankth. Me shumë dhimbje për jetët e humbura por dhe shumë shpresë për të lënduarit.

Kjo ka qenë një ngjarje vërtet e rëndë. Por nëse ka në këtë situatë një fenomen mbresëlënës, eshte pa dyshim fryma e jashtëzakonshme e solidaritetit që kemi parë brenda dhe jashtë vendit.

Jam ndjerë vërtet edhe e prekur, por edhe shumë krenare, sic jam e bindur edhe te gjithë ju, kur kam parë skenat e qytetarëve që përpiqeshin e përpiqen te ndihmojnë brenda dhe përtej mundësive te tyre.

Dhe jam vërtet mirënjohëse dhe pa fjalë në fakt, nga ata qindra e mijëra shqiptarë të thjeshtë, që kanë vërshuar të ndihmojnë, duke asistuar në operacionet e kërkim shpëtimit, duke dhuruar ushqime e veshmbathje, duke hapur dyert e shtëpive apo hoteleve për të strehuar ata që janë prekur nga kjo tragjedi.

Dua t’i falenderoj edhe njëherë të gjithë qytetarët që ende sot po vazhdojnë të punojnë vullnetarisht, të palodhur e shpesh duke rrezikuar shumë. Ashtu siç dua të falenderoj edhe të gjithë miqtë e partnerët e Shqipërisë, e mbi të gjitha vëllezërit e motrat tona kosovare që na janë gjendur ashtu siç dinë shqiptarët t’i gjenden njëri tjetrit në orët e tyre të vështira. Jam pa fjalë. Faleminderit nga zemra.

Por dua ta shfrytëzoj këtë rast per te përsëritur te njëjtin mesazh. Ende nuk ka kaluar faza e rrezikut. Ky rrezik sot vjen mbi të gjitha nga godinat e dëmtuara, që mund të jenë në rrezik shembje, që mund të kenë pësuar dëme strukturore. Prandaj dua te përsëris thirrjen per qytetaret; Ju lutem mos u riktheni në shtëpitë tuaja nëqoftëse ato kanë dëmtime të tilla. Edhe nëse nuk jeni të sigurtë, është më mirë për ju, për familjet tuaja që të prisni derisa të bëhen verifikimet nga ekipet e ekspertëve te cilat jane organizuar tanimë dhe do te jene ne terren 24 ore ne ditet ne vijim.

Po ashtu dua tu bej thirrje të gjithë autoriteteve vendore që ta përshpejtojnë sa më shumë këtë proces sepse ky nuk është thjesht një proces inventarizimi i dëmeve e vlerësimesh, por një proces që shpëton jetë njerëzish. Është një përgjegjësi shumë e madhe të cilës i duhet shkuar deri në fund me përgjegjësinë e rigorozitetin më të madh. Duke marrë seriozisht e inspektuar çdo raportim e denoncim e duke mos e çuar situatën në një pikë ku njerëzit humbasin durimin, lodhen duke pritur dhe marrin parasysh rrezikun e rikthimit në banesat e dëmtuara.

E di që ky proces ka nisur vetëm sot. Prandaj kjo e imja nuk është një kritikë, por një paralajmërim që të investohen tek ky proces me gjithë seriozitetin që meriton kjo situatë dhe meritojnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht per te gjitha ato mungesa ne kapacitete profesionale qe bashkitë mund te kenë, do te asistohen nga profesioniste te institutit te ndërtimit apo shoqatës se ndërtuesve per ta kryer procesin e verifikimit ne kohe sa me te shpejte.

Ora 17:45
Sizmiologu për Report Tv: Tërmeti ka patur 550 pasgoditje, lëkundje do ketë edhe në ditët në vijim

Në një lidhje telefonike për Report Tv, sizmiologu Rexhep Koçi është shprehur se deri më tani ka patur 550 pasgoditje. Ndërkohë sipas tij pritet që edhe në ditët në vijim të ketë pasgoditje të tjera.

"550 pasgoditje. Janë disa kilometra në veri të kepit të Rodonit. Deri përball Gjirit të Lalëzit. Ka edhe një pjesë tjetër të pasgoditjeve edhe në tokë. Do të presim pasgoditje të tjera.  Do te kemi pas goditje të tilla edhe në vijim megjithëse jo shumë të larta. Rajoni është aktivizuar dhe derisa të stabilizohet e gjitha energjia e akumuluar. Do të kemi lëkundje të tjera por janë krejt normale. " tha Koçi
 

Ora 17:17
Rëndohet bilanci, nxirret një tjetër person i pajetë në Thumanë

Një tjetër viktimë është gjetur në rrënojat e njërit prej pallateve të shembura në Thumanë. Gazetarja e Report Tv, Klesian Omeri bën me dije se trupi i pajetë i përket një burri. Ndërkohë nën rrenoja dyshohet për të tjerë persona. Viktima është Kastriot Cakon, rreth 50-vjeç.

Ora 16:54
Nuk ndalet puna për kërkimin e 6 anëtarëve të familjes Lala në Durrës

Vetëm pak minuta pasi u ndalën për shkak të lëkundjes së fundit sizmike, operacionet e shpëtimit kanë nisur sërish. Grupet e punës po punojnë me intensitet të lartë për kërkimin e 6 personave të familjes Lala në zonën e ish kënetës.

Ora 16:48
Sizmiologu: Lëkundja e fundit është pasgoditje, do ketë edhe të tjera

Sizmiologu Rapo Ormeni ka deklaruar se lëkundja e fundit që ka tronditur vendin ka qenë pasgoditje e tërmetit që tronditi vendin mëngjesin e së martës. Ai tha se pasgoditjet do të vijojnë edhe në vijim.

"Kjo është një pasgoditje. Pasgoditja më e madhe ka qenë 5.5. Kjo ka qenë  më e vogël. Ky tërmet do të vazhdojë me pasgoditje", tha Ormeni.

Ora 16:05
Helikopteri i ardhur nga Italia nuk ulet dot në pistën tek Trauma, drejt vendit fqinj pritet të transportohet vetëm Marlind Shkodrani

Ishte parashikuar që të transportoheshin drejt Italisë dy persona Marlind Shkodrani dhe Xhesika Biqiku. Por si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë Xhesika Biqiku, lëvizja e tij do të ishte fatale dhe drejt Italisë, do të transportohet vetëm djali. Vlerësimi u bë nga ekipi mjekësor Italian dhe shqiptar të cilët morën vendimin për transportin e të riut.

Ndërkohë një problem tjetër ka qenë ulja e helikopterit të ardhur nga Italia. Për shkak të madhësisë së tij ai nuk ka mundur të ulet në pistën e helikopterëve në spitalin e Traumës.

Grupi Italian ndodhet në spitalin e Traumës. Ndërsa për sa i përket helikopterit gjasat janë që të ulet ne Rinas, ndërsa e plagosura të transportohet me ambulancë deri tek helikopteri.

Ora 15:57
Tjetër lëkundje sizmike! Për arsye sigurie ndërpriten për pak minuta operacionet e kërkim-shpëtimit

Për arsye sigurie pas tërmetit të rënë vetëm pak minuat më parë, në të gjithë zonat e prekura janë ndërprerë operacionet e kërkim shpëtimit.

Sipas IGJEUM magnituda e kësaj lëkundje sizmike ka qenë 5.6 e shkallës Rihter. Epiqendra ka qenë në detin Adriatik. Ndërkohë nuk dihet ende nëse ka persona të lënduar.

 

Ora 15:52
Një tjetër lëkundje e fortë godet Shqipërinë, ndihet në disa qytete

Një tjetër lëkundje sizmike ka goditur sot Shqipërinë në orën 15:45. Lëkundja ka qenë e shkallës 5.3 rihter dhe është ndjerë në shumë qytete të vendin. Epiqendra e kësaj lëkundje ka qenë në detin Adriatik, me thellësi rreth 2 km.

Ora 15:44
Pamje rrëqethëse! Momenti kur shembet banesa 4 katëshe e familjes Lala në Durrës

Pamje rrëqethëse janë publikuar nga shembja e banesave në qytetin e Durrësit gjatë aktivitetit sizmik. Videoja e mësipërme tregon momentin se si u shemb ndërtesa 4 katëshe në zonën e ish kënetës në Durrës, ku nën rrënoja mbetën shumë persona të familjes Lala nga Dibra. Në video shihet se si ndërtesa ishte fillimisht gjysmë e shembur, por lëkundjet e vazhdueshme sizmike kanë shembur gjithçka.

Ora 15:22
Nënë e bir të përqafuar gjenden të pajetë nën rrënojat e 6-katëshit në Durrës, lidhja familjare me ish-deputetin socialist

1574865756_page.jpg

Nënë e bir të cilët kanë humbur jetën pas tërmetit janë motra dhe nipi i Edison Konomit, ish-drejtor i doganave në Durrës. Nëna 47-vjeçe dhe djali 22-vjeç janë gjetur të përqafuar me njëri-tjetrin ndërkohë që misioni për shpëtimin e tyre po vështirësohet për shkak se mbi ta është rrëzuar edhe një kolonë tek 6 katëshi në lagjen 18 në Durrës.

Ora 15:17
FOTO Lajm/ Një tjetër hero me katër putra mes rrënojave të Thumanës në kërkim të zhdukurve pas tërmetit

1574864537_qen.jpeg

Në rrënojat e tre pallateve në Thumanë kanë marrë pjesë skuadrat speciale të vendeve të huaja, por ata që kanë kryer një mision përtej detyrës janë edhe qentë nuhatës. Ky është një tjetër hero me katër putra në kërkim të personave të cilët kanë mbetur nën rrënoja.

Ora 15:03
DËSHMI/ Humbi 6 familjarë nën rrënojat e tërmetit në Thumanë! Banori mes zërit të dridhur: Nuk më duhet më jeta, nuk di më të numëroj

Sadri Çakoni një qytetar nga Thumana i cili humbi mbi 6 familjarë nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë. Ai tregon gjendjen e tij të dëshpëruar me zërin e dridhur nga dhimbja e madhe.

"Unë quhen Sadri Cakoni që jetoj kot që nuk më duhet jeta më. Nuk e di sa njerëz mund të kem humbur pjesëtarë të familjes po shikoj vëllezërit tanë nga Kosova që marrin pjesë të na lehtësojnë dhimbjen por jemi pranë humbjes së logjikës. Duhet të jenë nën rrënoja edhe 6-7 anëtarë të familjes sime të vdekur. Më ka mbetur vetëm një dhëndër me dy nipa. Me motër me mbesë me nuse nipi me goc vëllai kanë humbur jetën. Nuk po di të numëroj më. Unë nuk kam qenë këtu kam qenë jashtë", trego Sadri Çakoni.

Ora 14:58
Dëmtime nga tërmeti në burgun e Shënkollit! Transferohen 150 të dënuar

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë ka shkaktuar dëmtime në burgut e Shën Kollit në Lezhë. Për pasojë janë dëmtuar disa godina duke bërë që për 150 të burgosur të nisë transferimi nga qelitë. Disa prej tyre do të transferohen në Burgun e Reçit.

Ora 14:19
Kulla e Sahatit në Krujë e dëmtuar rëndë, rrezikon të shembet

Tërmeti i rënë një ditë më parë, përveç bilancit tragjik të viktimave, ka shkaktuar edhe dëme materiale e kulturore.

Në kalanë e Krujës dëme të mëdha ka marrë Kulla e Sahait. Kjo kullë historike, është ndërtuar në shekullin e 12 dhe i është nënshtruar një rikonstruksioni në shekullin e 17.

Ndërkohë tek ky objekt një ekip i monumenteve të kulturës kanë bërë vëzhgimin e situatës  dhe nga gjendja, Kulla e Sahatit është shpallur objekt në rrezik shembje. Kështu zona është rrethuar me shirit për të kufizuar afrimin e turistëve që mund ta vizitojnë.

Ora 13:42
6 anëtarët e familjes Lala në Durrës ende në rrënoja/ Qeni i stërvitur nuhat në tre pika, nis hapja e tuneleve (VIDEO)

Vijon operacioni për shpëtimin e familjes Lala në zonën e ish Kënetës. Durrës. Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se nga banesa katër katëshe e familjes Lala me origjinë nga Peshkopia, po punohet për nxjerrjen edhe të 6 personave të tjerë. Për rreth 3-4 minutash punimet janë ndërprerë për shkak se është lënë qeni i stërvitur që të nuhasë zonën.

Qeni ka dhënë tre shenja dhe është rikthyer dy herë në tre zona të ndryshme, duke bërë që të dyshohet se në ato pika mund të ketë jetë njerëzish. Ndërkohë ekspertët italianë po punojnë në dy grupe pune dhe sapo qeni ka mbaruar nuhatjen ata u janë rikthyer punimeve pikërisht në zonat ku qeni u ndal.

Ora 13:29
'Punojmë sikur çdokush që ndodhet nën rrënoja të jetë gjallë...', flet komandanti i operacionit të shpëtimit në Thumanë

1574857798_ushtari.jpg

Kreu i operacionit të kërkim-shpëtimit në Thumanë, Genti Jaupi, ka deklaruar për mediat se kërkimet do të vazhdojnë deri në fund pa u ndalur. Jaupi ka thënë se puna e grupit të shpëtimit po bëhet në atë mënyrë sikur çdo person që ndodhet poshtë rrënojave të jetë i gjallë.

"3-4 persona ne do ta trajtojmë të gjithë territorin në mënyrë të veçantë. Kemi dy fronte që po punohet.  Po bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Faktikisht nuk kërkojmë që ta dimë. Do të shkojmë deri në fund. Ne e trajtojmë vendin e ngjarjes sikur të gjithë poshtë janë gjallë. Prandaj punojmë. " tha Jaupi.

Ora 13:19
Operacioni me shpresën se nën rrënoja ka ende frymë... mister fati i 4 familjarëve të policit

1574857259_lsa.jpeg

Vijojnë të jenë nën rrënoja katër persona nga familja Cara, mes tyre një çift të fejuarish Almir dhe Stela Cara dhe gjyshja bashkë me mbesën e saj Anthi dhe Sadajana Cara, familjarë me njëri-tjetrin. Ata janë të afërm të efektivit të policisë i cili është në mision bashkë me forcat speciale për të shpëtuar të prekurit nga tërmeti, mes të cilëve ishte dhe nëna e tij. Nga tërmeti i djeshëm Almir Cara ka humbur të vëllanë, dhe motrën ndërkohë që babai i tij Bert Cara u shpëtua dje përmes një operacioni i cili u transmetua LIVE. Vetë familjarët thonë se të afërmit e tyre kanë ndërruar jetë por misioni për kërkimin e tyre po vijon pa ndërprerë.

Ora 12:59
Policia: Prej mëngjesit të sotëm janë nxjerrë 3 persona të pajetë nga rrënojat! Kërkimet vijojnë pa ndërprerë (VIDEO)

Policia njofton se ditën e sotme janë nxjerrë nga rrënojat e tërmetit tre trupa të pajetë, ndërkohë që vijojnë kërkimet pa ndërprerë.

Njoftimi i plotë

Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Mbi 2400 punonjës policie të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti.

Forcat speciale Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, dhe Policia e DVP Durrës, prej afro 32 orësh vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, në Durrës dhe në Thumanë, Krujë. 

Operacionet e kërkim-shpëtimit, në bashkëpunim të ngushte më ekipet e forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit.

Mëngjesin e sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë  janë nxjerrë 3 persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë. 

Ora 10:55
Manastirliu: 658 të plagosur nga tërmeti, dy të rinj në gjendje më të rëndë! Do dërgohen jashtë vendit (VIDEO+EMRAT)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se nga tërmeti i një dite më parë kanë mbetur të plagosur 658 të plagosur ndërkohë që aktualisht vijojnë të jenë të shtruar 68 persona. Manastirliu tha se një djalë dhe një vajzë që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore do të dërgohen jashtë vendit për një ndihmë më të specializuar mjekësore.

"Tashmë jemi mobilizuar në planin e rimëkëmbjes dhe në kampet që janë ngritur. Tashmë janë duke punuar e gjithë qeveria me partnerët. Qytetarët që janë në çadra do marrin kujdesin shëndetësor dhe psiko-social. 658 të plagosur deri më tani, ndërkohë që 68 persona vijojnë të jenë të shtruar tek Spitali i Traumës në Tiranë. Duhet të vlerësohet në 360 gradë e gjithë situata. Një djalë dhe një vajzë janë në gjendje më të rëndë dhe mund të dërgohen jashtë vendit për një ndihmë më të specializuar mjekësore", tha Manastirliu.

Gazetarja e Report Eliza Gjediku raporton se dy të rinjë që do dërgohen jashtë vendit janë Marlin Shkodrani 30 vjeç, Xhesika Biqiku 20 vjeç.

Ora 10:31
Dy të vdekur tek 6 katëshi në Durrës, vijon operacioni për të nxjerë trupat e tyre nga rrënojat (VIDEO)

Gazetarja e Report Tv Doris Sallaku raporton se dy persona kanë humbur jetën tek 6 katëshi në Durrës. Ndërkohë që vijojnë përpjekjet për nxjerrjen e tyre nga rrëonjat.

Ora 10:11
TRAGJIKE/ Shuhet familja në Thumanë, burrë e grua nxirren të pajetë nga rrënojat! Djali iu vdiq në spital (VIDEO)

Burrë e grua Pëllumb dhe Çelike Greku janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e banesave në Thumanë. Ata kanë qëndruar për më shumë se 24 orë nën rrënoja ndërkohë që janë nxjerrë mëngjesin e sotëm pa asnjë shenjë jete.

Djali i tyre Saimir Greku u nxor i gjallë nga rrënojat por humbi jetën në spitalin e Traumës.

Ora 10:07
Mes viktimave të tërmetit edhe një vajzë 4-vjeç! Vdiq bashkë me gjyshen 75-vjeçare

1574845709_durres.jpg

Nga shembja një prej pallateve në Thumanë kanë humbur jetë edhe një vajzë 4-vjeçare bashkë me gjyshen e saj. Ariela Lala 4-vjeç dhe Selvie Lala 75-vjeçare kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së pallatit.

Ora 09:40
U dëmtuan nga tërmeti/ 32 persona të shtruar në Spitalin e Traumës, një prej tyre në gjendje të rëndë

1574844135_trauma.jpg

Deri në këto momente në spitalin e Traumës vijojnë të jenë të shtruar 32 persona të cilët janë dëmtuar nga tërmeti.  Gazetarja Doris Sallaku raporton se njëri prej tyre vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndëtësore.

Ora 08:37
Kishte ardhur nga Anglia dy ditë më parë, i riu nxirret jetë nga rrënojat e pallatit në Thumanë! Vdes edhe babai tij (EMRI)

1574840250_fc5d187f60f44b8382b40e6e5e784dd5.jpg

Janë nxjerrë të pajetë nga rrënojat e pallatit në Thumanë, Keli Çupi dhe babai i tij Hajredin Çupi. Keli Çupi ishte kthyer nga Anglia vetëm dy ditë më parë. Një ditë më parë nga rrënojat u nxor i gjallë djali tjetër i Hajredin Çupit.

Ora 07:13
U shpëtua i gjallë nga rrënojat e tërmetit në Thumanë, ndërron jetë në spitalin e Traumës 31-vjeçari

Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës Saimir Greku 31-vjeç, i cili u shpëtua nga rrënojat e tërmetit në Thumanë. 

Ora 07:04
Dyshohet për persona të mbetur nën rrënojat e katit të parë, rinisin kërkimet në Thumanë (VIDEO)

Në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë rinisur kërkimet e forcave speciale shqiptare, por edhe atyre të Kosovës dhe greke që janë në gatishëmëri për të gjetur personat që kanë mbetur ende nën rrënoja. Gazetari Ermal Qori raporton se dyshohet se nën rrënojat e katit të parë ka ende persona që kanë mbetur të bllokuar. Dyshohet se të bllokuar vijojnë të mbeten atë e bir dhe një çift.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Luana: 27/11/2019 20:34

    Ku jane politikanet, pse nuk i hapin vilat e tyre? Ilir meta e ka vilen ne Gjirin e Lalzit me 11 hale, me hale edhe per macet e qente, le te strehoje disa banore,se ishalla i lehtesohet shpirti,mbas gjith atyre vjedhjeve qe ka ba.

    Përgjigju
  • Loni: 27/11/2019 16:19

    Per termetin nuk mund te fajsohet askush por masa mund te ishin marre qe ato familje te mos banonin aty mbas termetit te shtatorit por kush do ta bente? Shteti jone qe vidhen miliona edhe per qen ne rast fatkeqsish dhe qen ska se i hane qente ne pushtet nga logjistika nuk krahasohemi me asnje ne rajon made as uniforma skane skuadrat tona. Sa shtet qesharak dhe per te ardhur keq njekohesisht.

    Përgjigju
  • Emi: 27/11/2019 15:43

    Ma keq se 97 nuk ashte.

    Përgjigju
    • LeGo: 27/11/2019 20:55

      Po ti s'qenke rob,ti je plehre ,si ben krahasime ne vend qe te ngushellosh njerezit pupupupu per rob si ty bjen termeti

    • Doni: 27/11/2019 18:26

      Eshte e vertete Emi, 97 ishte tmer dhe ontranto. Por as kush nuk Po I tregon vendin sali ram berishes, Por nuk Po mbroj Edi Rama, Por lereni ore qeverine. Te punojne bashkarisht per keta Te vrare qe Zoti I ndihmofte

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit

SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit