'Shqipëria,në 5 vende ish-komuniste
me një ekonomi suksesi kapitaliste'

'Shqipëria,në 5 vende ish-komuniste<br />me një ekonomi suksesi kapitaliste'
NEW YORK - Gazeta prestigjoze amerikane New York Times, sjell një analizë të detajuar të gjendjes aktuale ekonomike të vendeve ish-komuniste në Europë, 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, duke e kategorizuar vendin tonë, në mesin e 5 vendeve që ia kanë dalë të krijojnë një ekonomi të suksesshme kapitaliste.

Është opinionisti David Brooks, i cili në një analizë të tij, për vendet e ish-bllokut lindor mbështetet në analizat e Branko Milanovic, ekonomist në Universitetin e Nju Jorkut, i cili i ndan vendet ish-komuniste në katër kategori. Sipas kësaj ndarje vendi ynë renditet në pesë vendet që kanë mundur në këto 25 vjet demokraci, të kenë një ekonomi të suksesshme kapitaliste.

Sipas Brooks, vetëm 10% e njerëzve të Evropës Lindore,  jetojnë në vendet ish-komuniste që e kanë kaluar në mënyrë të suksseshme periudhën e tranzicionit nga komunizmi në kapitalizëm, dhe në mesin e tyre është edhe Shqipëria.

Në bazë të analizës dhe kategorizimit të bërë, pesë vendet që ia kanë dalë të krijojnë ekonomi të suksesshme kapitaliste pas shëmbjes së komunizmit, janë Shqipëria, Polonia, Bjellorusia, Armenia dhe Estonia. New York Times thekson se shumë prej këtyre kombeve janë në fazën e rritjes ekonomike për shkak të burimeve të tyre natyrore, sidomos të naftës.

Ndërkaq, në vend të fundit janë vendet, për të cilat New York Times thotë se do u duhen edhe 50 ose 60 vjet të tjera të arrijnë një rritje ekonomike, që të kapërcejë shifrat e viteve kur ishin ekonomi nën komunizëm. Në këtë grup gjendet Serbia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Bosnja, të cilat nuk kanë shënuar rritje në nivelin e të ardhurave me atë që kanë pasur para vitit 1990. Në këtë gjendje ndodhet 20% e popullsisë së vendeve ish-komuniste.

Grupi tjetër përfshin ato vende që kanë thjesht dështime të moderuara, me ritmet e rritjes ekonomike për frymë nën 1.7 për qind në vit. Këtu hyjnë vendet si Rusia dhe Hungaria që vazhdojnë të bien në mënyrë konstante në krahasim me Perëndimin. Në këto vende jeton rreth 40 % e popullsisë së botës post-komuniste.

Ndërsa në një grup tjetër përfshihen ato vende që e kanë rritjen ekonomike midis 1.7 për qind dhe 1.9 për qind. Këto vende, si Republika Çeke dhe Sllovenia, po mbajnë një rritje të qëndrueshme me pjesën tjetër të botës kapitaliste.

Kështu, vetëm 10% e njerëzve që jetojnë në vendet ish-komuniste janë duke jetuar në vende që e kanë kaluar në mënyrë të suksseshme periudhën e tranzicionit nga komunizmi në kapitalizëm. 90% e njerëzve jetojnë në vende, të cilat kanë dështuar përgjatë tranzicionit të kalimit të ekonomive të tyre nga komunizmi në kapitalizëm për arsye të ndryshme.

Sipas analizës, komunizmi ka lënë plagë të rënda në vendet ish-komuniste dhe ka dëmtuar psikologjikisht viktimat e tij, ndaj shërimi nga këto plagë është gradual dhe progresi nuk është i garantuar.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)