Prokuroria për Krime të Rënda ka urdhëruar arrestimin e 4 punonjësve të Policisë në pikën e kufirit Qafë-Thanë, të dyshuar për veprën penale të "trafikut të narkotikëve" në bashkëpunim, në vijim të hetimit të nisur pas zbulimit të një kamioni maqedonas me 8 ton kanabis në Itali, në shkurt 2017.

Në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se efektivët e policisë kanë krijuar lehtësitë që ky kamion, i ngarkuar me narkotikë, të kalojë pa u kontrolluar në Qafë Thanë.

Në bazë të hetimit të Prokurorisë, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë, të cilat janë zbatuar mbrëmjen e djeshme nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme, për efektivët e policisë, Çlirim Pepa, përgjegjës turni, Ervin Kodra, kontrollor hyrje-dalje, Lirim Halili, kontrollor te kabina në hyrje dhe Syrja Terziu, kontrollor në hyrje. Kjo është hera e parë që një sasi kaq e madhe, 8 ton me kanabis të trafikohet nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë dhe që më pas përfundoi në tregun italian.

Skema interesante
Sipas prokurorisë droga është marrë nga Shqipëria,është kaluar me mushka, a me mjete të ndryshme në Maqedoni dhe më pas kanë tentuar ta kalojnë me procedura tranziti. Ka qënë tranzit nga Maqedonia në Itali. I janë bërë procedurat e tranzitit në Qafë-Thanë. Me rregulloren e doganave, në rast tranzitimi, kontrolli bëhet vetëm në pikën e hyrjes. Kamioni ka qënë i vulosur me vulën e “Qafë-Thanës” dhe për këtë arsye, nuk i bëhet më kontroll në dalje.

Ngjarja në 11 shkurt
Në 11 shkurt 2017 policia italiane ka kapur një sasi rekord droge, plot 8 ton marijuanë, e cila ishte nisur me traget nga Shqipëria,dhe ka zbarkuar në portin e Ankonës. ”Venezia Today” shkruante se në atë kohë se lajmi është mbajtur i fshehtë për të bërë të mundur gjurmimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Sipas të njëjtave burimeve droga kishte kaluar qetësisht edhe portin e Ankonës, por shoferi maqedonas i kamionit e kishte ndaluar atë në një pikë servisi. Në operacion morën pjesë GDF e Ankonës dhe kolegët e tyre të Venecias. Mediat thanë se autoritetet e kishin pikasur drogën që në port, por e lejuan të dalë për të kapur edhe bashkëpunëtorët. Mbetet ende e paqartë nga cili port shqiptar u nis kjo sasi rekord droge.

Vlera miliona euro
Vlera e lëndës narkotike nëse do të hidhen në treg, shkonte miliona euro. Gjithçka nisi kur në Ankona u pikas një kamion që zbarkonte nga trageti që ishte nisur nga Shqipëria drejt Italisë. Po ashtu, mediat italiane thonë se ka dyshime që policia kishte dijeni për këtë sasi droge, për të kuptuar më pas dhe destinacionin e saj. Mësohet se shofer kamioni, një 37-vjeçar maqedonas, pasi ka dalë me kamionin nga porti, është drejtuar për në autostradën e Bolonjës, drejt Milanos, por sërish ka ndryshuar destiancion, për në Venecia. Policia italiane e ndoqi pas kamionin, me ndihëm e një GPS-je, që kishin vendosur në mjet gjatë kohës që ai ishte ende në port. Pasi ka vërejtur se ndiqnin trafikantët, shoferi i kamionit e ka lënë rimorkion në një qendër servisi e më pas është larguar vetëm me mjetin. Ndërkohë, disa patrulla policore u morëm me ngarkesën, ndërsa disa të tjerë vijuan të ndiqnin shoferin e kamionit. Hetuesit e çështjes mendonin se do të gjenin drogë, por kurrë kaq sa sasia marijuanë. Pasi droga u peshua, rezultoi që në kamionin e bllokuar që vinte nga Shqipëria ishin 8 ton marijuanë, një konfiskim ky rekord. Sakaq, shoferi i kamionit u ndal në lindje të Venecias, teksa ishte duke marrë në drejtim të Triestes. Po ashtu, me shumë gjasa kishte që shoferi të kthehej për Maqedoni nga toka.

Të arrestuar
Çlirim Pepa, përgjegjës turni
Ervin Kodra, kontrollor hyrje-dalje
Lirim Halili, kontrollor te kabina në hyrje
Syrja Terziu, kontrollor në hyrje


Maqedoni