A do e lirojë Basha selinë blu pas ultimatumit të Berishës? Analistët në Report Tv: Po mbajnë peng PD për egon e tyre personale! Partia në fazën e parë të një konflikti të gjatë

Situata në PD sa vjen edhe tensionohet, ndërsa sot skadon edhe ultimatumi i Sali Berishës për Lulzim Bshën që të lirojë selinë e PD. A do ta bëjë kryedemokrati një veprim të tillë? Për analistët Armand Plaka dhe Erl Murati mesazhet e Bashës janë të qarta, ai ka ndërmend të vijojë betejën me Berishën për të mbajtur pushtetin në PD.

Në 'Sot Live në Shqipëri', Plaka u shpreh se gjendja e krijuar në PD është vetëm faza e parë e një konflikti të gjatë, teksa thekson se fajtorë janë si Sali Berisha e po ashtu edhe Lulzim Basha.

"Të dyja palët kanë zënë pozicione të qarta kanë shkuar deri në ekstrem dhe nuk kanë lënë më asnjë opsion për bashkëpunim. Basha ka një ndryshim strategjia që pas Kongresit të 18 dhjetorit, ku ka hequr dorë nga strategjia e 2 muajve të parë që ishte heshtja dhe tani ka dalë në sulme të hapura duke artikuluar akuza që më parë nuk do guxonte as kundërshtari. Berisha ka preferuar të mbajë atë linjën e fort të akuzave, përqeshjes, përtalljes. Duket se kampi i Bashës është i vendosur për të mbajtur fort logon e partisë, është e qartë se nuk do e lirojë selinë. Kjo që po ndodh, janë të dy fajtorë. Dy janë zgjidhjet, një klasike, një i tretë që të zgjidhet me anëtarë nga të dy komisionet që u përfshinë në të dy Kuvendet. Opsioni tjetër është zgjidhja utopike. Jemi në fazat e para të një konflikti afatgjatë", u shpreh ai.

Për Erl Muratin, Berisha dhe Basha po mbajnë peng PD për egon e tyre dhe se po kontribuojnë në thellimin e krizës në partinë më të madhe opozitare në vend. Sipas tij dy janë zgjidhjet e mundshme, ose të dalë një i tretë për të marrë drejtimin e partisë, ose ai që është më i dobët, mes Berishës dhe Bashës, të tërhiqet dhe të krijojë një parti tjetër.

"Që Basha ka ndërmend ta vazhdojë këtë betejë me Berishën, kjo është e dukshme. Hë për hë ai nuk ka ndërmend të tërhiqet. Palët në këtë moment janë çimentuar në llogoret e tyre dhe nuk kanë plan të tërhiqen. Ky është lajm i keq për PD pasi për këtë situatë janë të dy bashkëfajtorë. Cilado palë të jetë ftuese, s'mund të jetë e plotë sa kohë PD është e përçarë. Puna që duhet bërë duhet të jetë në drejtim bashkues, Basha dhe Berisha me egon e tyre po e mbajnë peng PD. Kjo është një krizë e gjatë dhe ky ultimatumi i 5 janarit nuk e zgjidh. Të dyja palët po e çojnë PD në një krizë më të thellë. Zgjidhja është ose të dalë një forcë e tretë ose ai që do të kuptojë se është pakicë të hapë rrugën dhe të krijojë parti tjetër. Por Berisha dhe Basha kanë egon e tyre personale për të marrë drejtimin e PD. Ata po japin kontributin e tyre në thellimin e kësaj krize", u shpreh ai.

5 janari është data që Berisha i kishte lënë afat Bashës për të liruar selinë e PD dhe lidershipin, ndërsa përpjekjet e ish-kryeministrit do të kulmojnë me protestën e thirrur prej tij më 8 janar. Në përgjigje të Berishës, Basha ka ‘fortifikuar’ më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm. Konflikti mes Bashës dhe Berishës arriti kulmin një ditë më parë, ku kryedemokrati akuzoi ish-kryeministrin se bën biznes dhe pastron para me trafikantët e drogës të shpallur "Non Grata" nga Britania e Madhe.

Teksa është e paqartë se çfarë do të ndodhë në PD, Basha ka thënë se nuk do të ketë asgjë të pazakontë.

/J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë