I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili dha disa detaje interesante mbi të mirat e agjërimit.
”Si fillim dua të uroj të gjithë besimtarët Myslimanë për muajin e Ramazanit dhe agjërim të lehtë dhe të pranuar” e nis kështu bisedën Altini, duke nisur të shpjegojë disa nga benefitet e agjërimit si proces që nuk është vetëm një praktikë metabolizuese, por dhe formatuese për organizmin tonë dhe nëse njerëzit do t’i dinin vlerat e agjërimit, nuk do kishte njeri që nuk do të agjeronte.
”Nëse në një krah do të vendosnim doktorët, spitalet, dietat dhe në krahun tjetër agjërimin, ky i fundit do të peshonte më shumë” theksoi Altini.
Po çfarë ndodh në qelizat tona gjatë agjërimit? Cilat janë benefitet për trupin? “Së pari agjërimi është një vetëpastrim shpirtëror, ripastrim i trupit tonë, ulet tensioni, bie sheqeri në gjak, sistemi tretës qetësohet dhe pushon nga marrëzia e ushqimit, trupi mobilizohet dhe qelizat gjysmë të fjetura zgjohen, ndërsa qelizat e plakura nisin të vdesin gradualisht dhe lindin qeliza të reja” tha Altini, duke shtuar se trupi pas 10-12 orësh ka tretur çdo gjë. Pra kur trupi është shkarkuar nga ushqimet, aty nis procesi i autofagjisë si proces.
”Në një studim të 2019 nga pesë Universite është parë që personat që agjëronin shmangnin sëmundjet me 22% dhe rritej dhe jetëgjatësia, duke arritur kulmin në ditën e 21 apo 22-të deri në ditën e 27-të të agjerimit” tha ai, duke theksuar se autofagia është së pari një proces i përpiktë që luan një rol për eikulibrin qelizor dhe fiziologjik për trupin tonë dhe është një rregullator që rregullon organet tona.
”Vetë autofagjia zbulon shkakun e sëmundjes me kosto zero, pasi është një proces që bën që të realizohet homostaza qelizore për eliminimin e proteinave të panevojshme në trup” shtoi Altini, duke theksuar se pas autofagjisë qëndrojnë lizozomet, qeliza që lokalizojnë çdo mbetje të trupit, pra kur ne ushqehemi pak, ato e kapin më shpejt mbeturinën e trupit dhe kjo bën që problemet me kancerin, diabetin, shëndetin mendor, alzaimerin, stomakun apo ulçerave të fillojnë të eliminohen.
”Autofagjia fillon kur niveli i glukozës dhe insulinës bie ndjeshëm, duke ulur nivelin e stresit oksitativ, që shkaktohet nga radikalet e lira, mban gjenet e qëndrueshme që është thelbësore për gjenetikën” tha ai duke shtuar se autofagjia vepron dhe jashtë qelizës. Së pari ul inflamacionin kronik, 27 institute shkencore kanë arritur në këtë përfundim, kuron sëmundjet autoimune, alergjitë, artritin, hipertensionin si dhe përmirëson eikulibrin e gjithë sistemit tonë endokrin, pa harruar që rregullon dhe sistemin tonë hormonal.
Autofagjia ndihmon dhe në shkatërrimin e baktereve dhe viruseve. Por si duhet të ushqehemi gjatë procesit të agjërimit?
Sipas Altinit nuk duhet të mungojnë mineralet, antioksidantët, proteinat apo yndyrnat e mira, pa harruar që nuk duhet të ngarkohemi me shumë ushqime, pasi autofagjia ndodh më vonë pastaj. Cilat janë disa nga gabimet që njerëzit bëjnë kur agjërojnë?
”Ngrënia e syfyrit bëhet gabim, pasi ne e lodhim shumë organizmin, sepse nga një qetësi nuk duhet të kalojmë në nivele të larta të ushqimit. Së dyti duhet ulur niveli i kripës në ushqim dhe sheqernat duhen eliminuar, sidomos pijet me gaz, duke eliminuar madje dhe ëmbëlsirat pas ushqimit që janë shumë të gabuara, sikurse duhen eliminuar karbohidratet apo ngrënia me sasi të mëdha të ushqimeve si dhe të konsumojmë ushqime që kanë shumë ujë në përbërje” tha Altini, duke shtuar se duhet të konsumojmë gjithashtu perime sa më shumë si dhe duhet të kemi nivel të ulët të stresit në organizëm. Ai rekomandoi njerëzit që të konsumojnë dy vakte ushqim në ditë dhe jo më shumë dhe është shumë normale për organizmin. Më pas Altini shpjegoi dhe një menu të veçantë që mund të konsumohet gjatë tre ditëve të agjërimit, sikurse nënvizoi faktin që personat që janë me ilaçe apo me shqetësime trupore, nuk është e thënë që të bëjnë një agjërim me orë të plotë.