TIRANE-Një përfaqësi e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ishin të pranishëm në një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias dhe Edukimit, ndërsa deklaruan i kanë dërguar një letër Presidentit dhe kryetarit të Kuvendit duke kërkuar që të anulohet vendimi për prishjen e godinës. Ata paralajmërojnë se nëse deri ditën e premte nuk do të kthehet një përgjigje, do të uzurpojnë godinën e Teatrit Kombëtar.

I kemi përgatitur një letër drejtuar Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera. Shprehim indinjatën për projektligjin e Ministrisë së Kulturës për të shkatërruar goditën e Teatrit. Projektligji është propozuar pa marrë në konsideratë opinionin tonë. Prezantohet në formën e një kontrate të mbyllur. Parlamenti zhvendoset nga detyra për të hartuar projektligje, kthehet në noter. Vendimi mund të krijojë një kolaps në vend. Nëse deri të premten nuk do të kemi reagim, atëherë do të uzurpojmë godinën e Teatrit Kombëtar, si e vetmja formë që zëri jonë të dëgjohet.

Përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Shumica nuk ishte e pranishme në Komisionin e Medias, ndërsa më pas u realizua dëgjesa me aktorët, pasi ministrja Kumbaro kishte refuzuar ftesën për të raportuar. Aktori i njohur Robert Ndrenika u shpreh se mungesa e shumicës tregon se këtu duhet të fillojë 'lufta’. Ndrenika theksoi se aktorët janë përbuzur dhe braktisur, ndërsa projektin e ri e cilësoi si vjedhje.

Mirë se iu gjetëm. Faleminderit që na thirrët dhe po na dëgjoni, do të doja të ishte pala tjetër këtu, deputetët e PS. Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të fillojë lufta, jo me Korenë e Veriut, por... nuk e kuptoj këtë gjë. Erdha me mendjen që të hyja në debat të arsyetoja me ata, nuk di se cfarë të them. Di t’u them që, PPP në këtë rast me teatrin, është shqeto vjedhje, grabitje dhe për këtë le të analizojnë të tërë, ka 20 vite që ka filluar kjo histori, pa pyetur aktorët. Arbitraritet.

Me keqardhje, por këtu fillon lufta, nuk na dëgjon kush, na përbuzin, na braktisin. Jo vetëm neve, por edhe juve po u poshtërojnë. Kjo është grabitje me veprim. Ka 20 vite kjo tentativë për grabitje. Ajo tokë vërtetë quhet e shtetit, por është e komunitetit teatror, por të vijë një fusha, male apo kodra, këtu më vete mendja se duan të vjedhin të gjithë. Më falni për tonin, por këto i kam nga mendja dhe nga shpirti.  Gjatë këtyre 20 viteve si nuk u tha njëherë, që teatrin duhet ta bëjë shteti. Privati le të shkojë te Kodra e Priftit që të bëjë një teatër. Edhe shqiptarëve të Maqedonisë ua ka bërë shteti. Ne planin francez, që u paraqit para disa vitesh, nuk ekziston fare teatri, por disa kulla.

Rama nuk të përfill, ka një mendje të tij. Unë kam thënë, ç’thotë Meta. Presidenti më thirri në takim, me kryetarin e Kuvendi po ashtu. Këto janë përpjekjet. Unë nuk mund të shkoj te shtëpia e Metës, ti them më tako me... Mesazh për Ramën? Mua më bie era grabitje. Ai studion e të atit e mori. Jo pronë shtetërore ta marrë fusha atje. Unë nuk mund të shkojë të trokas. Ajo ministresha nja dy herë që i kërkoj takime. Në kemi 20 e ca vite që përdoremi në TV shqiptare. Edhe kur duan të bëjnë ndonjë shaka, këta vendosin fytyrën time, a kam të drejtë të marr ndonjë gjë.

Robert Ndrenika

Opozita shprehu mbështetjen për artistët në kërkesat e tyre, ndërsa kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha se po shikohen mundësitë ligjore për të bllokuar projektin për Teatrin e ri Kombëtar. Që pas prezantimit të projektit të ri të Teatrit Kombëtar që synon shembjen dhe ndërtimin mbi atë aktual të një godine të re, një pjesë e artistëve kanë dalë kundër duke paralajmëruar uzurpim. 



Letra e aktorëve drejtuar Presidentit Meta