Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçajn, të dy të përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i Partisë Demokratike dhe ku u vra shoferi Andi Maloku, një ish-efektiv i komisariatit të Krujës. Organi i akuzës kërkon burgim të përjetshëm për Dervishin dhe 35 vite burgim për Meçajn.
***
Në pretencën e dhënë këtë të premte përpara gjykatës, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj janë gjetur fajtor ndërsa tanimë pritet që trupi gjykues të shprehet me vendim, nëse do ta pranojë ose jo kërkesën e prokurorit për burgim të përjetshëm për Dervishajn dhe 35 vite në qeli për Julian Meçajn
Për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, 7 vjet më parë, Prokurori i Posaçëm Andand Xholi akuzon Plaurent Dervishajn, pjesë e bandës së Durrësit, se ka vepruar në bashkëpunim jo vetëm me Julian Meçajn, por dhe me personazhe të tjerë si Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Këta të fundit po gjykohen veçmas.
Të dy të akuzuarit u arrestuan në Dubai, dhe në gusht të vitit 2024 u ekstraduan për tu përballur me akuzat: Dervishaj si organizatori i atentatit ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij.
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, sot deputet i Partisë Demokratike u zbardh plotësisht nga transkriptimi i bisedave në aplikacionin e koduar SKY/ECC, që përdorej masivisht nga elementë të krimit të organizuar në vendin tonë .
Atentati ndodhi me 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”.
Në dëshminë e tij para gjykatës dy javë më parë Ndoja mohoi të ketë patur kontakte të mëhershme me personazhin e botës së krimit Aleksandër Laho, ndërsa dëshmoi se ai njihte vëllain e tij, dhe se qenia në një makinë me të ditën e atentatit ishte vetëm rastësi.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










