Një analizë mbi paradoksin shqiptar, ku zemërimi është real, por protesta është false. Mbrëmë opozita premtoi rrëzim. Solli tym. Premtoi revoltë. Solli ritual. Premtoi popull. Solli militantë të lodhur dhe skenarë të ricikluar.
Kur retë e molotovit u shpërndanë mbi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ajo që mbeti nuk ishte frika e pushtetit, por qeshja e tij. Kjo nuk ishte protestë. Ishte simulim i zemërimit. Një inskenim i varfër politik, ku flaka përdoret për të fshehur zbrazëtinë dhe zhurma për të mbuluar mungesën e besimit.
Paradoksi i “Narkoregjimit”
Sipas retorikës së opozitës, Shqipëria është një diktaturë, një narkoshtet, një regjim që mbahet vetëm nga frika. Por diktaturat nuk tremben nga molotovi i një grushti militantësh. Ato bien kur shoqëria ngrihet. Dhe këtu lind pyetja që opozita refuzon ta bëjë:
Nëse zemërimi popullor është kaq i madh sipas opozitës atëherë pse protesta është kaq e vogël?
Sepse njerëzit nuk janë budallenj. Sepse shumica e heshtur e shqiptarëve e di se kjo opozitë nuk proteston për ta, por për veten.
Molotovi si zhurmues artificial
Në vitin 1991, shqiptarët dolën me duar bosh dhe rrëzuan një regjim të vërtetë. Në 2026, opozita del me molotov dhe jo vetëm nuk rrëzon, por as krijon besimin e duhur.
Sot, flaka nuk shihet si akt rebelimi, por si truk i dëshpëruar për të prodhuar iluzion force. Një zhurmues artificial për të mbuluar faktin se opozita nuk ka: as ide, as fytyra të reja, as projekt, as besim publik.
Sindroma e lodhjes opozitare
Protesta e mbrëmshme ishte edhe më e varfër se eksperimentet naive të “Republikës së Re” të Lulzim Bashës. Nuk kishte organizim qytetar. Nuk kishte energji organike. Nuk kishte shpresë.
Ishte një ushtrim fizik i militantëve të mbetur, jo një lëvizje politike. Një marshim pa destinacion, një britmë pa jehonë, një revoltë pa popull.
Berisha: Nga “lider” në izolator të zemërimit
Problemi i opozitës nuk është Rama. Problemi i saj ka emër dhe mbiemër: Sali Berisha. Duke e kthyer çdo protestë në mburojë personale për betejat e tij me drejtësinë, Berisha ka bërë të pamundur afrimin e “pjesës gri” të shoqërisë, asaj pjese që janë të pakënaqur, por jo të verbër.
Sot, Berisha nuk është më zëri i zemërimit popullor. Është izolatori i tij. Ai nuk e kanalizon revoltën. Ai e mbyt atë brenda interesit personal.
Rituali i dështimit
Kjo opozitë ndjek një skenar të njohur, tashmë të neveritshëm: paralajmërim bombastik për “ditën e madhe”, pak zjarr, shumë britma, zero rezultat. Pastaj heshtje. Harresë. Përsëritje.
Një serial politik i lodhur, që nuk prodhon frikë në pushtet, por indiferencë në shoqëri. Në Bruksel nuk alarmohen. Në Berlin nuk shqetësohen. Sepse kjo nuk është opozitë që prodhon ndryshim, por opozitë që garanton stabilitet për qeverinë.
Edi Rama nuk qeveris sepse është i pathyeshëm.Nuk ka qeverisje pa gabime. Qeveris sepse përballë ka një muze politik, që kërkon të rilindë në të ardhmen me mjete të së shkuarës.
Kauza ka, por protesta e opozitës është artificiale. Dhe pa besim, asnjë qeveri nuk rrëzohet, as me molotov, as me retorikë lufte./Lexo.al
Komente











