Arrestimi i Çyrbjes, Bardhi akuza Ramës: Qeveris me krimin! Basha: Mbështesim SPAK, vetting për politikanët

Arrestimi i Çyrbjes, Bardhi akuza Ramës: Qeveris me krimin! Basha: Mbështesim SPAK, vetting për politikanët

Gazment Bardhi dhe Jurgis Çyrbja

Arrestimi i ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja me urdhër të SPAK për lidhje me një grup kriminal në Durrës, komunikime në SKY ECC dhe 3 akuza të rënda, ka sjellë edhe reagimin e opozitës.

Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi direkt kryeministrin Edi Rama si njeriun që qëndron pas listave të deputetëve dhe “bandave kriminale që i shërbejnë atij”.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Bardhi theksoi se “trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje, është rënie e shtetit dhe asgjësim i zgjedhjeve të lira”.

Deklarata e plotë e Bardhit:

“Aksesi i organizatave kriminale deri në pikën e caktimit të renditjes së kandidatëve në listën e deputetëve të PS është prova më domethënëse që Edi Rama është një Kryeministër i marrë peng nga bandat. Firma e Edi Ramës si Kryetar i PS për të plotësuar kërkesën e një prej grupeve më të rrezikshme të krimit të organizuar është akti më domethënës i gjunjëzimit të një partie politike dhe të Kryeministrit përpara tyre. Ky nuk është një rast i izoluar, por i shtrirë në çdo qark, në çdo bashki.

Trajtimi i krimit të organizuar si bashkëaksioner në qeverisje është rënie e shtetit, asgjesim i zgjedhjeve të lira, vdekje e demokracisë. Opozita e ka ngritur këtë shqetësim prej vitesh, por Kryeministri i bandave ka bërtitur “shpifje, shpifje, shpifje”, dhe sot si gjithmonë pasi i provohet, fshihet dhe hesht!

Listën e kandidatëve dhe renditjen e tyre nuk e caktojnë deputetët, por e harton dhe miraton Edi Rama. Bandat nuk kanë punuar për të bërë një deputet, por kanë punuar për të bërë Kryeministër Edi Ramën. Bandat nuk kanë mbledhur vota për të bërë një deputet, por për të bërë Edi Ramën Kryeministër. Nuk janë deputetët bashkëpunëtor të grupeve kriminale, por Edi Rama që ka ndarë qeverisjen me to dhe ka fituar pushtetin në bashkëpunim me to.

Kjo e bën zyrtarisht Shqipërinë vendin e parë në botë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar! Përgjegjës për këtë është vetëm Edi Rama dhe askush tjetër”.

Postimi i Bardhit në FB

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Arrestimi i ish-deputetit të PS, Basha: Mbështesim SPAK! Vetting në politikë, po mbahet peng në Kuvend nga kolegët e Çyrbjas

1729508384_basha.jpg

Lulzim Basha

Kryetari i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, reagoi sot në lidhje me operacionin e SPAK-ut për arrestimin e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja për 3 vepra të rënda penale dhe bisedat në SKY ECC, duke shprehur mbështetjen e plotë për institucionin e akuzës.

Deputeti ka postuar në rrjetin social Facebook edhe një video me denoncimet e tij për lidhjet e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja me bandat e Durrësit.

Basha shkruan se “ndarja e politikës nga krimi mbetet prioritet për zhvillimin e vendit”. Ai më tej thotë se prej vitesh kanë denoncuar lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe të emëruarve të tij me botën e errët të krimit.

Basha u shpreh se “demokratët euroatlantikë mbështesin punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit”, si dhe përsëriti propozimi e tij për vetting-un në politikë, i cili është depozituar në Kuvendin, por i mbajtur peng nga kolegët e Jurgis Çyrbes.

Basha e cilësoi si “instrumenti i duhur ligjor për të thyer hallkat që lidhin politikën me krimin, duke e zbrazur parlamentin nga bedelët e bandave”.

Postimi i plotë i Bashës:

“Ndarja e politikës nga krimi mbetet prioritet për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit. Pa u ndarë politika nga krimi, ajo nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve, por politikanëve të korruptuar dhe krimit të organizuar.

Për vite me radhë kemi denoncuar lidhjet e Edi Ramës dhe të emëruarve të tij me botën e errët të krimit, përfaqësuesit e të cilës u veshën me pushtet për t’i shërbyer interesave elektorale dhe ekonomike të një pakice, që e ka bërë vendin të pajetueshëm për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare.

Koha provoi edhe njëherë si të drejtë qëndrimin tonë mbi kriminalizimin e politikës, por kjo nuk mjafton.

Unë personalisht dhe Demokratët Euroatlantikë mbështesim punën e SPAK në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, por politika ka detyrë të mos mbyllë veshët teksa në bankat e të akuzuarve ulen ata që betohen për t’i shërbyer qytetarëve, por në fakt emërohen për t’i shërbyer interesave të krimit të organizuar.

Prandaj, propozimi im për vetting-un në politikë, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, por i mbajtur peng nga kolegët e Jurgis Çyrbes, është instrumenti i duhur ligjor për të thyer hallkat që lidhin politikën me krimin, duke e zbrazur parlamentin nga bedelët e bandave.

Kjo pengesë artificiale për pengimin e vetting-ut në politikë, teksa koha e provon si të drejtë dhe të domosdoshëm, duhet të marrë fund.

Shqipëria nuk është vendi më i varfër dhe më i korruptuar në Europë sepse i mungojnë burimet njerëzore dhe natyrore, por sepse keqqeveriset duke i shërbyer të korruptuarve dhe krimit të organizuar, jo qytetarëve”.

 

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    E kujt është përgjegjësia për kaosin në Kuvend?



×

Lajmi i fundit

Arrestimi i papritur i Ilir Metës, kishte njoftuar konferencë për shtyp në 13:40! Iu vunë prangat te Kthesa e Kamzës teksa ikte me makinë në seli

Arrestimi i papritur i Ilir Metës, kishte njoftuar konferencë për shtyp në 13:40! Iu vunë prangat te Kthesa e Kamzës teksa ikte me makinë në seli