Për herë të parë lideri demokrat Lulzim Basha ka zbuluar se cili është plani i qeverisë tranzitore që opozita e bashkuar kërkoi edhe në protestën e dhunshme të së shtunës para kryeministrisë, përmes së cilës do të ndodhin më tej zgjedhjet e parkohshme. I vuri një emër qeverisë tranzitore: kryeminsitri Edi Rama...dhe një qëllim: Dorëheqja dhe hetimi i tij.

Por si mundet një qeveri të hetojë një kryeministër?! I ra në sy edhe gazetarëve kjo deklaratë e kryedemokratit Basha, madje pati më shumë institim prej tyre kur lideri opozitar zbuloi se cila do të ishte detyra e parë e qeverisë tranzitore nëse shkohet drejt kësaj situate politike. Arrestimi i Vangjush Dakos dhe i Damian Gjiknurit.

Insistimit të vazhdueshëm të gazetarëve me pyetjen se si mundet një qeveri të marrë kompetenca prokurorie për të hetuar dhe arrestuar politikanë, lideri i opozitës dha këtë përgjigje: "Qeveria  e ndalon arrestimin e tij, duhet të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo e Ramës për të mos arrestuar Dakon. Një nga arsyet e shkarkimit të Xhafës ishte që për luftën e klaneve rrezikoi arrestimin e Vangjush Dakos.  Damian Gjiknuri që është kapur duke vjedhur vota duhet të shkojë në burg".

Kryetari i Partisë Demokratike nisi këtë të martë takimet e para për të konkretizuar vendimin e marrë në bllok nga opozita e bashkuar për djegien e mandateve. Lideri demokrat Lulzim Basha, takoi në selinë blu kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, njëherësh ish-president. Do të jetë pikërisht ky këshill që do të ndjekë procedurat që do të 135onin përfundimisht vendimin për djegien e mandateve të deputetëve.

Në një prononcim për gazetarët pas takimit, kryedemokrati Basha tha se nga e enjtja nuk do të ketë më parlament. Ditë kur opozita, pas tubimit të së shtunës para kryeministrisë, do të mblidhet në një protestë tek parlamenti.

"Ajo që do të ndodhi është kjo: Nuk ka kthim prapa. Nuk është thjeshtë djegie mandatesh. Nuk do të ketë më parlament, nuk ka patur. Nuk do të ketë parlament fasadë. Ata mund të mblidhen, të vazhdojnë të marrin vendime kundër shqiptarëve, shqiptarët do t’i përgjigjen dhe ne do të jemi krah shqiptarëve për t’u përgjigjur që nga dita e enjte.", tha Basha.

Detyra e parë e qeverisë tranzitore - tha Basha - "do të jetë të arrestojë politikanin e kapur në vjedhje votash, Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit".

"Dua të sqaroj diçka shumë qartë dhe prerë. Çfarë do të thotë qeveri tranzitore?

E para, dorërheqja e Edi Ramës, largimi i Edi Ramës dhe hetimi i tij. Dhe qeveria tranzitore detyrë të parë dhe tranzitore do të ketë të arrestojë politikanët e kapur në vjedhje votash Vangjush Dakon. Është qeveria që ndalon arrestimet e tyre apo jo, se nuk jemi në një shtet demokratik. Qeveria duhet të mundësojë që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo që bëri Edi Rama për të mbrojtur Vangjush Dakon.

Një nga arsyet e shkarkimit të Fatmir Xhafës - nuk ishin arsyet për të cilat duhet të ikte, për vëllain trafikant - por sepse për luftën e klaneve rrezikoi arrestimin e Vangjush Dakos. Vangjush Dako duhet të ishte në burg, është kapur duke vjedhur vota. Çfarë thoni ju tani, do t’ju shisni dëngla shqiptarëve?! Askush nuk mund t’iu shesë dëngla shqiptarëve. I kanë hapur sytë shqiptarët. Vangjush Dako duhet të shkojë në burg. Çdo politikan që është kapur duke vjedhur votat duhet të shkojë në burg.

Damian Gjiknuri është kapur duke vjedhur votat me krimin e organizuar me Ymer Lalën në Dibër që në vitin 2016, duhet të shkojë në burg. Ata që kanë vjedhur votat me Habiljat, me Shullazët, duhet të shkojnë në burg.Taulant Balla që ka vjedhur votat me Çelët dhe me Sanxhaktarët duhet të shkojnë në burg.

Përndryshe nuk ka për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në burg do t’i çojë drejtësia por na duhet një qeveri që nuk do të pengojë drejtësinë të bëjë punën e saj. Kjo është qeveria tranzitore. Hapi i parë është dorëheqja e Ramës dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë", tha Basha.

I pyetur nëse djegia e mandateve do të pasohet nga bojkoti i zgjedhjeve lokale, Basha nuk jep një përgjigje: Merruni një herë me këtë çështje dhe qëndroni fuqimisht në të. Sepse gjëja më e dëmshme që mund të bëni sot është që ta trajtoni këtë si një proces rutinë dhe të pyesni çfarë do të ndodhi pas tre, pas katër muajsh.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, dje u vendos të mandatohet kryetari Basha që të mbledhë këshillin kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar të djegies së mandateve. Gjithashtu është vendosur ngritja e një grupi pune për teknikalitet. Pjesë e këtij grupi do të jenë individë brenda PD që njohin ligjin dhe procesin zgjedhor, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Clirim Gjata dhe Ivi Kaso.