Belerit iu hoq mandati, PD: Begaj shpalli zgjedhjet në Himarë në shkelje të Kushtetutës, proces politik me urdhër të Ramës

Belerit iu hoq mandati, PD: Begaj shpalli zgjedhjet në Himarë në shkelje të Kushtetutës, proces politik me urdhër të Ramës

Fredi Beleri dhe Bajram Begaj

TIRANË- Shpallja e zgjedhjeve në Himarë më datë 4 gusht, pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit, ka nxitur reagimin e ashpër të opozitës, të cilët akuzojnë Presidentin Bajram Begaj se është në shkelje të Kushtetutës. Në një deklaratë nga selia e PD, sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso e cilëson një proces kryekëput politik, në shkelje të ligjit dhe sipas tij dëshmi që Fredi Beleri është i burgosur politik i Edi Ramës.

“Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri u “ekzekutua” dje edhe politikisht, pasi u mor peng juridikisht para 14 muajsh. Në një seancë urgjente Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës.

Sapo KQZ mori vendimin e shkarkimit, Edi Rama i dërgoi Presidentit kërkesën e parapërgatitur dhe e urdhëroi të shpallte datën e zgjedhjeve për bashkinë Himarë. Kjo urgjencë dëshmon edhe njëherë se Fredi Beleri nuk është një i dënuar i shtetit shqiptar, por një i marrë peng, një i burgosur politik i pushtetit të Edi Ramës”, shprehet Kaso.

Njëjtë si një ditë më parë, Kaso thotë se nuk ishte kompetencë e KQZ për t’i hequr mandatin Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, por duhej të betohej dhe më pas ta shkarkonte kryeministri Rama.

“Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese. Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.

Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj i cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ”, vijon Kaso.

Sa i takon dekretit të Begajt për shpalljen e zgjedhjeve, Kaso po ashtu thotë se është antikushtetues, pasi vendimi nuk ekzekutohet pa kaluar afati i ankimit. Beleri ka kohë 30 ditë për të ankimuar në KAS vendimmarrjen e KQZ.

“Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi”, shprehet Kaso.

Edhe Gazment Bardhi akuzoi dje Presidentin se ka shkelur Kushtetutën duke shpallu zgjedhjet pa kaluar afti i ankimit, ndërsa Begajn e cilësoi si ushtar të Ramës.

KQZ vendosi dje heqjen e mandatit të Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Apeli i GJKKO për korrupsion zgjedhor. Menjëherë Presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja në Himarë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestohet Beqaj, po i përmbush SPAK pritshmëritë në luftën e korrupsionit?



×

Lajmi i fundit

500 skutera të rinj të Tiranë, Veliaj: Lehtësojnë trafikun, do të vendosen në të gjitha kryqëzimet kryesore! Ja çmimet e paketave

500 skutera të rinj të Tiranë, Veliaj: Lehtësojnë trafikun, do të vendosen në të gjitha kryqëzimet kryesore! Ja çmimet e paketave