Berisha sfidon sërish GJKKO, thyen masën e 'arrestit shtëpiak', fut në shtëpi aktorin që i recitoi poshtë ballkonit

Berisha sfidon sërish GJKKO, thyen masën e 'arrestit shtëpiak', fut në shtëpi aktorin që i recitoi poshtë ballkonit

Ish kryeministri vijon të sfidojë drejtësinë, duke thyer vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila me caktimin e masës së sigurisë 'arrest shtëpie' nuk i lejohet të pranojë në banesë persona të tjerë që nuk janë familjarë. Këtë herë vendimin e shkeli duke futur në shtëpi aktorin Çun Lajçi i cili i recitoi poshtë ballkonit ku mblidhen një grup i vogël militantësh

Takimi është mbajtur mbrëmjen e 21 majit, që përkon me ditën kur GJKKO mori vendim për të mos i revokuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpi’, duke i rrëzuar kështu për të disatën herë kërkesën e Sali Berishës dhe të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

"Sali Berisha, përkundër urdhërave, e hapi derën e thirri; - s'mund ta lë rugovasin me shallin qefin, n'rrugë! Dua ta marrë ngryk e t'pi kafe të oxhaku se m'vret zakoni i maleve!

Po! U futa n'konakun e tij e n'zemrën qindvjetshe! Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë, i thash kur ika! ...Tani që pengun e hoqa nga zemra, sikur u shlirova! Tiranë, 21 maj 2024 shkruan Cun Lajçi.

Nuk është hera e parë që Berisha thyen vendimin e GJKKO-së. Kujtojmë se Berisha e shkeli vendimin duke pritur  ish-eurodeputetin gjerman të CDU-së, Elmar Brok dhe priti një grup gazetarësh italianë në banesën e tij.

Vetë Berisha nuk e ka postuar takimin në facebook, por është publikuar në faqen e facebook të aktorit shoqëruar dhe me një mesazh të Lajçit i cili është solidarizuar me Berishën

SPAK dorëzoi në seancën e 21 majit si provë materialet e marra  nga shqiptarja.com dhe top channel për takimet e Berishës me gazetarin e Rait dhe ish-eurodeputetit gjerman i CDU-së, Elmar Brok duke nënvizuar Berisha vijon të mos respektojë vendimi i masës së sigurimit. Pikërisht këto prova e bindën gjyqtaren Irena Gjoka të refuzonte kërkesën e avokatëve mbrojtës.

Sipas Kodit të Procedurës Penale 'Arresti shtëpiak' ka të njëjtat kushte dhe rregulla si të paraburgimit, pra 'arrestit me burg'. S’mund të marrë pjesë në aktivitete jashtë shtëpisë dhe nuk i lejohet të komunikojë apo takojë me asnjë përveç rrethit të ngushtë familjar që jetojnë në të njëjtën banesë me të.

Postimi i Çun Lajçit në Facebook:

Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë!

Tri t’bamet e mira t’Sali Berishës, (heqi ato që bani për shtetin e eglave), që me shtynë të marr rrugë drejt “dritares” nga e cila e sheh nji pjesëz qielli e ca çati Tirane, për ta lëshuar zanin tim jehonë, për lirinë e njeriut që e sakrifikoi nji jetë, për mirëqenjen e të tjerëve dhe të atdheut t’hequr n’vargojt e diktaturës.

* Por unë i preva tirqit për b*thën time e ju mos i provoni se iu gërvishtin!

E para:

– Dekreti për shtetësinë shqiptare me 1995!

– Telefonata në repartin e Pulmologjisë, kur po vdisja nga Covidi, e Sali Berisha po m’ofronte transfer n’Stamboll me shpenzimet e veta,

Dhe

– Osman Rrustemi, xhaxhai im, ballisti, i përndjekuri i UDB-së, të cilit Dr. Berisha ia besoi Gitën t’ia rriste si fëmiun e vet, ishin pengu që po mbaja n’zemër dhe po prisja rastin që t’ia ktheja, njeriut i cili u ba breva e diktaturës dhe lulja e demokracisë!

Këto me rrokullisën Fanit tëposhtë, (jo paraja, se akoma s’jam n’shitje), për ti mbështetë shkallët të ajo “dritare lirie” e për ta ngritur zanin për lirimin e njeriut që e solli Bushin n’Tiranë, për ta shpallur nga aty Kosovën shtet të pamvarur! (Kjo iu kujtohet besoj)!

– Edhe artisti e pret momentin që fjala e tij artistike të ngjizet me kohën dhe t’bahet dhamb kohe, ndaj shkova, jo t’fyej njenin e t’përkrah tjetrin, (se nuk me takon t’fus hundet n’politikën që s’e njoh, se artisti s’jeton pa popullin), por ta mbështes mocanikun tim, që rrin i ngujuar, jo për t’zezat e tija, (se për t’zeza do të duhej t’burgoseshin ata që mbajnë kumonën varur n’fyt), por nga inati, trishtimi nga fjala e vërtetë, nga drojtja e shplimit të t’bamave të këqia që do ti fundoste e do ti largonte përjetë nga politika!

Sali Berisha, përkundër urdhërave, e hapi derën e thirri; – s’mund ta lë rugovasin me shallin qefin, n’rrugë! Dua ta marrë ngryk e t’pi kafe të oxhaku se m’vret zakoni i maleve!

Po!

U futa n’konakun e tij e n’zemrën qindvjetshe!

Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë, i thash kur ika!

Po

Unë i preva tirqit për b*thën time dhe e di se shumë kujt s’do tu bien taman!

Tani që pengun e hoqa nga zemra, sikur u shlirova!

 

S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ 'Gjelat këndojnë' në Dusseldorf, Franca fiton 0-1 me vuajtje ndaj Austrisë! Vendos një autogol

Euro 2024/ 'Gjelat këndojnë' në Dusseldorf, Franca fiton 0-1 me vuajtje ndaj Austrisë! Vendos një autogol