TIRANË- Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka dorëzuar në Kuvend kërkesën e një grupi deputetësh nga PS për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, e cila është miratuar sot nga Konferenca e Kryetarëve gjatë një takimi online, për t'ia kaluar më pas Kuvendit.

Ky komision do të ketë për qëllim hetimin e krimeve në disa zona të veriut të Shqipërisë, të quajtura burgje të UÇK-së. Në kërkesën e dorëzuar në Kuvend, thuhet se Komisioni do të ngrihet për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit dhe anëtarit të APKiE Dick Marty, mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare.

"Kërkojmë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm në Kuvend për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e  e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit dhe anëtarit të APKiE Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe  mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimatari kriminale e drejtuesve të UÇK në territorin e Shqipërisë", thuhet në kërkesë.

Komisioni do të hartojë një raport të detajuar përmbledhës dhe informues për të gjitha këto çështje dhe ti prezantojë Kuvendit brenda një afati 3 mujor dhe për ta bërë këtë do t'i vihet në dispozicion dokumentacioni i plotë që disponojnë institucionet publike sipas ligjit në fuqi lidhur me dokumentacionin zyrtar dhe atë të klasifikuar.

Propozimi i numrit 2 të socialistëve erdhi për shkak të debatit që ka krijuar raporti i Dick Marty rreth rolit në luftën për çlirimin e Kosovës të disa drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pretendimeve për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK.

Kërkesa për ngritje e Komisionit është firmosur nga 18 deputetë, dhe ka ardhur pas akuzave të ngritura ndaj kreut demokrat Lulzim Bashës si i përfshirë në hetimin e luftës së UÇK.

Prej javësh zëra të ndryshëm në Kosovë dhe Shqipëri kanë akuzuar Bashën për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë. Milaim Bellanica, njëri nga dëshmitarët që panë me sytë e tyre trajtimin çnjerëzor të popullatës civile në Kosovë nga ushtria serbe në Krushë të Madhe të Rahovecit, deklaron se Basha i ka marrë kasetën me pamjet e masakrës. Një tjetër dëshmi është ajo e Latif Gashit, ish komandat i UÇK në zonën e Llapit, i cili thotë se gjatë arrestimit nga UNMIK ka qenë i pranishëm edhe Lulzim Basha. Vetë Basha i ka quajtur këto akuza shpifje të PS, të cilat sipas tij bëhen për ta goditur përpara zgjedhjeve.

Ndërkaq edhe krijimi i të ashtuquajturave ‘dhoma të specializuara’ në Gjykatën e Hagës vjen pasi Task Forca Hulumtuese Speciale e BE-së publikoi rezultatet e hetimit të saj 3-vjeçar mbi akuzat e bëra fillimisht nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili pretendoi se ushtarët e UÇK-së kanë kryer krime kundër civilëve si rrëmbim, torturim dhe trafikim organesh gjatë konfliktit të Kosovës.

Aktualisht, Hashim ThaçiJakup KrasniqiKadri Veseli dhe Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë ku janë përballur me këto akuza gjatë seancave të para që janë mbajtur.
Ndaj tyre rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991.

 Kërkesa e PS për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:32
Konferenca e Kryetarëve miraton ngritjen e Komisionit Parlamentar për raportin e 'Dick Marty', ia kalon kërkesën e Kuvendit

Konferenca e Kryetarëve miraton ngritje ne Komisionit të Posaçëm Parlamentar për pretendimet në raportin e Dick Marty për luftën në Kosovë, pas një kërkese të bërë nga një grup deputetësh të PS.

"Konferenca vendosi t’i përcjellë seancës plenare kërkesën e një grupi deputetësh për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti mbi gjetjet dhe konkluzionet e verifikimeve të kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKiE Dick Marty mbi rolin e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve publike shqiptare në ndihmë të të ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-së në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Konferenca e Kryetarëve u zhvillua me anë të mjetit të komunikimit elektronik Cisco Webex", thuhet në njoftim.