Carlo Bollino: Opozita në duart e Berishës dhe rrjeta e merimangës që po e çon drejt humbjes së dhjetë

Carlo Bollino: Opozita në duart e Berishës dhe rrjeta e merimangës që po e çon drejt humbjes së dhjetë

Tashmë që alibia e vulës ka rënë përfundimisht dhe Partia Demokratike është kthyer totalisht në duart e Sali Berishës, opozita e ka më në fund të qartë se problemi i humbjeve elektorale nuk ishte Lulzim Basha, edhe sepse PD filloi të humbiste që në 2013 kur ende komandonte Sali Berisha. I gjithë debati politik është rikthyer për t'u fokusuar rreth një pyetjeje të vetme: Si të rrëzohet Edi Rama nga pushteti. Nëntë fitoret radhazi të Partisë Socialiste në 9 garat e fundit elektorale janë kthyer në obsesion për ata që tashmë shohin humbjen e dhjetë në horizont. Në mungesë të argumenteve më bindëse, analistët e opozitës i kthehen lojës me numrat dhe me konsideratën absurde se nëntë fitore radhazi tregojnë që ky vend nuk është demokratik. Në realitet, njëmbëdhjetë vitet në pushtet të marrë nga Partia Socialiste nuk janë shumë në krahasim me 32 vitet në të cilat CDU gjermane qeverisi pa ndërprerje: fillimisht 16 vjet me Helmut Kol (1982-1998) dhe më pas 16 vjet të tjera me Angela Merkel (2005 -2021). Për të mos folur për 48 vitet në të cilat Demokristianët fituan pa ndërprerje në Itali (1946-1994). Megjithatë, askush nuk i ka vënë në dyshim demokracitë në Gjermani apo Itali. Prandaj, problemi nuk qëndron në numrin e viteve në të cilat një parti fiton.

Mbaj mend që edhe në debatet televizive të 2021-shit, argumenti që ngulnin këmbë berishanët ishte se pretendimi i Edi Ramës për të fituar (për herë të parë) një mandat të tretë ishte fantazioz dhe subversiv dhe si i tillë i paarritshëm. Atëherë ne e dimë se si përfundoi. Tani po diskutohet për mandatin e katërt dhe ata e konsiderojnë sërish një ngjarje surrealiste dhe joliberale, duke vazhduar të shpresojnë se është përllogaritja statistikore e mundësive që do të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve dhe do ta kthejë Sali Berishën në pushtet. Në të vërtetë, metoda e ''fallxhoreve zgjedhore'' kaq e dashur për këtë opozitë nuk do t'i shërbejë ndryshimit të historisë. Aktualisht të gjitha sondazhet vazhdojnë t'i japin Partisë Socialiste mbi 45% të votave dhe Partisë Demokratike nën 30%. Një diferencë e madhe votash që nuk ka asnjë lidhje me shitblerjen imagjinare që do të konsumohej ditën e zgjedhjeve (të paktën në sondazhe në fakt askush nuk blen dhe nuk shet vota) dhe që analisti Eduard Zaloshnja e ka llogaritur rreth 400 mijë votues. Përgjigja më e thjeshtë ndaj pyetjes obsesive të opozitës se pse Edi Rama nuk i humb zgjedhjet gjendet në këto shifra: Edi Rama fiton sepse partia e tij është më e votuara. Dhe Sali Berisha humbet sepse partia e tij është më pak e votuar.

Pyetja e vërtetë që PD duhet t'i bëjë vetes është një tjetër: pse 400 mijë shqiptarë zgjedhin të mos i votojnë më? Problemi është se kjo pyetje është e ndaluar në dhomat e PD-së dhe kush e bën rrezikon të linçohet si kushdo që ofron një vizion alternativ ndaj plakut të madh. Në vend të kësaj, vazhdon të dominojë qarja e vjetër dhe viktimizimi, i tipit që narkoshteti i Edi Ramës po manipulon sondazhet dhe vjedh votat dhe se ata 400 mijë shqiptarë do të donin të votonin për PD-në, por nuk janë të lirë ta bëjnë këtë. Megjithatë, askush nuk shpjegon pse këta votues të poshtëruar nuk shfaqen kurrë e asgjëkundi: Ata nuk shihen në protestat, ku tani marrin pjesë disa dhjetëra militantë. Ata nuk shihen poshtë shtëpisë së Berishës që mbledh jo më shumë se 30 ''partizanë''. Natyrisht, ato nuk shihen në ditën e votimit. Por ata nuk shihen as në pëlqimet në Facebook, të cilat nuk mund të manipulohen: mjafton të shohësh postimet e Berishës (i cili është më i lexuari nga të gjithë "liderët" e Rithemelimit) për të zbuluar se numri mesatar i pëlqimeve që ai merr është midis 400 dhe 500!!! Dhe nuk ka rëndësi se Edi Rama merr 10 herë më shumë. PD duhet vetëm të pyesë veten, pse Berisha merr kaq pak!

Historia e votës së vjedhur është një përrallë që përsëritet prej 11 vitesh dhe që Berisha dhe analistët e tij janë gati ta propozojnë sërish si alibi edhe për zgjedhjet e ardhshme, dhe këtë vetëm për të mos pranuar të vërtetat më të thjeshta: atë politike. Linja politike e ndjekur nga Sali Berisha dhe banda e tij e ekstremistëve është e vjetër dhe e gabuar, nuk sjell më vota dhe askush nuk e pëlqen më. Por në vend që ta ndryshojë duke e rinovuar (siç bëri në vitin 2005, p.sh., duke shpikur lëvizjen e moderuar dhe intelektuale të Kop-it), Sali Berisha këmbëngul në të shkuarën dhe vendos të ecë përpara me figura të vjetra dhe të dhunshme si Muli Noka apo Edi Paloka në krye të fushatës së tij elektorale dhe duke i besuar të ardhmen elektorale të Tiranës një humbësi si Belo Kellici ''me flokë të reja'' (me ndihmën po aq komike të Klevis Balliut!!!). Një ushtri shpifësish të paaftë për të artikuluar një program të vetëm politik, një propozim ekonomik, një zgjidhje praktike të problemeve të shumta të shqiptarëve dhe që janë aty vetëm si nënkapterë të një grupi kamikaze që shpreson të rrëzojë ''armikun pushtues" vetëm duke përdorur armën e shpifjes, por pa fituar më parë zemrat dhe besimin e popullit. Ata janë të vetmuar, jo ​​thjesht të gabuar. Ja pse humbin zgjedhjet dhe Edi Rama vazhdon t'i fitojë.

Ndryshe nga çfarë bën Berisha, i cili thjesht bërtet dhe vazhdon të zhytet dalëngadalë në kënetën e tij të urrejtjes dhe inatit, Edi Rama këmbëngul të trazojë ujrat dhe të befasojë me lëvizje të vazhdueshme idesh në tabelën e shahut politik. Ideja e fundit tronditi edhe një herë doktorin e vjetër që ka vite që ka mbetur pa ide: pasi ka vendosur pikërisht në marrëveshje me Berishën që një pjesë e listave të mbyllet (dhe prandaj kush hyn në to, zgjidhet nga partia dhe garantohet të zgjidhet edhe pa marrë asnjë votë personale), Rama bën një rrotullim dhe vendos të heqë dorë. Dhe kështu kryeministri, së bashku me deputetët socialistë që kanë më shumë se një legjislaturë në parlament, do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme në pjesën e hapur të listave, ato në të cilat mund të fitohet vetëm nëse merr votat personale. Një sfidë e hapur dhe më pak cinike ndaj Berishës dhe gjithë atyre të Rithemelimit që kanë dy vite që zvarriten në këmbët e doktorit vetëm për të pasur garancinë e përfshirjes në pjesën e mbyllur të listës dhe për të siguruar rrogën e tyre si deputet edhe për 4 vite të tjera, duke e ditur se nuk do të mund të mbledhin asnjë votë personale për të fituar të vetëm. Në fakt, një tjetër problem thelbësor për opozitën është se zëvendës-shërbëtorët e Berishës janë politikanë pa vota dhe pa konsensus. Prandaj i humbasin zgjedhjet dhe jo sepse dikush i vjedh.

Është mungesa absolute e guximit dhe e ideve të reja që e bën këtë opozitë humbëse, e cila është edhe skllave e kompromiseve dhe e lidhjeve të fshehta me botën e financave, biznesit dhe krimit. Në konflikt të përhershëm interesash me sponsorët financiarë të familjes dhe televizionit të tij, Berisha nuk është i lirë të denoncojë rrjetin e interesave që mbron mazhorancën, sepse ai vetë është pjesë e tij. 90% e të ashtuquajturve oligarkë nuk preken kurrë nga denoncimet e Berishës, siç nuk preken figurat kryesore të krimit dhe 95% e pushtetarëve, përfshirë ata botues që flirtojnë me qeverinë, por që flirtojnë edhe me opozitën. E vërteta është se Berisha është i kompromentuar pothuajse me të gjithë, dhe nëse Edi Rama është i aftë të dalë nga kjo rrjetë merimange e ndërlikuar marrëdhëniesh, duke treguar gjithmonë një dozë të besueshme autonomie dhe një shkëputje të mjaftueshme nga klima e përgjithshme e korrupsionit, Berisha nga ana tjetër është i mbështjellë plotësisht dhe i shtypur prej saj, madje edhe familjarisht. Kjo është arsyeja pse në qendër të betejës së tij të kotë politike mbeten vetëm tre-katër emra që ai është i lirë t'i sulmojë (disa krejtësisht pa asnjë interes publik dhe të sugjeruar vetëm nga inatet dhe hakmarrja personale, si emri im për shembull). Dhe kjo është arsyeja që për të njëjtën shkaku temat e protestave të tij prej vitesh janë kufizuar në tre-katër skandalet e vetme që jane kaq të përmendura tashmë qe nuk prodhojnë më asnjë emocion apo ndikim në opinionin publik.

Prej një viti është shtuar një temë tjeter që përbën konfliktin suprem të interesit: sulmi ndaj SPAK-ut, i shpallur fajtor për vënien nën hetim të Berishës dhe familjes së tij. Në emër të kësaj beteje personale, Berisha ka shkatërruar plotësisht rolin e opozitës, e cila në një demokraci normale (dhe më keq akoma në narkoshtetin e imagjinuar nga PD) duhet të luftojë për drejtësinë, jo ta pengojë atë. Pjesa tjetër e aksioni opozitare është vetëm një lumë me erë të keqe shpifjesh, shpikjesh, akuzash që Berisha dhe ndjekësit e tij hedhin çdo ditë në debatin politik, por që bashkë me konfliktin e interesave i heqin opozitës dy armët më të fuqishme që e bëjnë një opozitë të suksesshme: epërsinë morale dhe besueshmërinë. Militantët dhe analistët duhet ta pranojnë: Opozita e drejtuar nga Sali Berisha nuk ka as epërsi morale dhe as besueshmëri për të fituar luftën ndaj qeverisë. Vetëm për këtë arsye ai humbet dhe do të vazhdojë të humbasë zgjedhjet për dhjetë vitet e ardhshme. Për asnjë arsye tjetër.

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rama e deputetët e vjetër të PS në lista të hapura, është vendimi i duhur?



×

Lajmi i fundit

Debati Harris-Trump në një fazë shumë të rëndësishme të fushatës presidenciale

Debati Harris-Trump në një fazë shumë të rëndësishme të fushatës presidenciale