Gara pa rival e Sali Berishës, lëvizjet e Ervin Salianjit dhe sfidat e PD përballë zgjedhjeve të 2027 ishin në qendër të debatit në emisionit “Sot Live në Shqipëri”, ku të ftuar Andi Mustafaj ish drejtues i Brain Gain në PD dhe ish drejtuesi i fushatës së PD në zgjedhjet e kaluara dhe avokati Përparim Caca.

Pika kryesore e përplasjes mes tyre ishte pikërisht procesi i zgjedhjes së Berishës në krye të PD-së. Mustafaj mbrojti idenë se, edhe pse në garë ishte vetëm Berisha, anëtarët kishin mundësinë të votonin kundër ose të abstennonin dhe sipas tij kjo do të tregonte kulturë politike dhe qytetare. Ai argumentoi se problemi nuk ishte sistemi, por fakti që shumë demokratë zgjodhën të ankohen në rrjete sociale dhe jo përmes votës.

“Zgjedhje kishte, pra mundësia e anëtarit të zgjidhte jo ose të abstenonte. A është sistem i përsosur? Jo, por është sistemi më i përsosur që ne kishim sepse kjo nxorri në  pah mungesën e kulturës së votës dhe kulturës qytetare, dhe kjo është fatkeqësi për PD dhe për ShqipërinË. Pati shumë reagime në Facebook. Pashë njerëz që ishin kundër por nuk i bënë nder as PD e as Shqipërisë duke mos e hedhur votën e duke mos e shprehur “jo-në” e duke rritur ndërgjegjësimin e rolit të votës. Këtë duhet të bënin edhe ish kandidatët. Imagjinoni sikur të kishin shkuar 10.000 veta të votonin jo. Nëse ata kundër berishës do të impononin raportin e forcës së votës do i bënin nder PD dhe Shqipërisë. Shpresoj që herën tjetër njerëzit ta marrin fatin e votës së tyre në dorë ” tha Mustafaj.

Ndërsa Caca e kundërshtoi fort këtë logjikë, duke e quajtur procesin formal dhe pa garë reale. Sipas tij, momenti që kishte vetëm një kandidat, anëtarësia ishte e kufizuar në zgjedhje dhe PD po fryn shifrat duke krijuar një perceptim të fryrë për mbështetjen reale që ka. Ai tha se opozita nuk po sillet si alternativë qeverisëse, por si forcë që synon vetëm të mbetet në vend të dytë.

“Me thënë të drejtën ky është një justifikim i ëmbël e i bukur. Thonë që kishte garë se kishte 3 kuti, ama kishte vetëm një emër. Berisha nuk duhej të ishte fare në garë. Fakti që ishte vetëm një emër, e kufizon edhe anëtarin për të votuar për kandidatin që ai mendonte përtej Sali Berishës. Pra është kufizuar anëtari i partisë. Referendumi që thotë Berisha është fjalë e madhe. PD-ja po gënjen veten me shifra, me situata të paqëna që kanë filluar ti besojnë edhe vetë. PD nuk po garon për të qenë alternativë qeverisëse por po garon për të qenë në vend të dytë. Një mendim ndryshe brenda një partie nuk sjell asgjë kundërproduktive, përkundrazi. Shifrat janë fryrë. Unë nuk e besoj që për Breishën (ne zgjedhjet për kryetar) kanë votuar 39,000 veta. Nëse PD e beson kjo është fatale dhe vetëvrasje.  ” tha Përparim Caca

Një tjetër moment ku u duk qartë diferenca mes tyre ishte çështja e Ervin Salianjit. Mustafaj tha se çdo kritikë ndaj drejtimit duhet të vijë me propozime konkrete dhe të artikulohet fillimisht brenda strukturave të partisë. Sipas tij, Salianji nuk ka paraqitur një platformë të qartë politike që të justifikojë lëvizjet jashtë strukturave të PD-së.

Çdo lëvizje apo cdo mendim kundër, mua nuk do të më dëgjoni duke thënë që jam kundër.  Unë kam pasur gjithashtu dakordësi por i kam shprehur brenda strukturave. Unë akoma sot, e kam të vështirë ta kuptoj si demokrat se çfarë propozimi është bërë nga Salianji që ka shkaktuar daljen e tij me takime jashtë strukturave duke përdorur siglën dhe simbolet e PD. Unë e kam të paqartë këtë. Nëse ai do të vinte me propozime konkret dhe të gjitha do ishin rrëzuar, atëherë të lind një lloj legjitimiteti për të bërë diçka. Nuk mjafton që të thuash ‘unë kam thënë që duhet hapur partia’. Këto janë gjëra të përgjthshme. Njeriu duhet të vijë me propozime konkrete te kryesia dhe kryetarit. Nëse ato refuzohen të lind e drejta, por nëse ti nuk je munduar ta ndryshosh partinë nga brenda, nuk të lind e drejta të bësh lëvizje të tilla” tha Mustafaj

Në anën tjetër, Caca tha se Salianji i ka ngritur shqetësimet brenda forumeve të partisë dhe se figura të tilla shpesh etiketohen apo sulmohen kur perceptohen si sfidë ndaj Berishës. Ai kritikoi edhe ndryshimin e qëndrimeve ndaj Salianjit, duke thënë se nuk mund të shpallesh hero në një moment dhe më pas të akuzohesh si i lidhur me kundërshtarët politikë.

“Mandati është prëgjegjësi e madhe politike. Berisha  nuk thotë asgjë për zgjedhjet lokale apo parlamentare. Nuk ka artikuluar asgjë në mini fushatën e tij brenda partisë. Kjo është shqetësuese. Në mbledhjet e partisë dhe kryesisë Salianji i ka artikuluar të gjitha dhe është linçuar nga njerëzit pranë Berishës. Më pas nuk u lejua të hyjë në kryesi. Sepse ata që mendojnë se mund të sfidojnë Berishën bëhen pis, etiketohen si tradhëtarë,të lidhur me krimin apo Ramën. Risia ishte që në të gjitha rastet e tjera të një gare, Berisha ka dashur gjithmonë një sfidues, ndërsa tani ishte thjesht kundër legjitimitetit. Nuk mund të kemi një qasje kaq konverse që për 2 muaj ta bëjmë hero një person (Salianjin) dhe më pas të themi që është i lidhur me krimin. Nuk mund të ecim qorrazi kështu. ” tha Caca.

Megjithatë, përtej ndarjeve, pati edhe një pikë ku të dy lanë të kuptohej se bien dakord: PD ka nevojë për ndryshim dhe reformim. Mustafaj foli për profesionalizim të partisë, reformim strukturash, platformë dixhitale dhe një qasje të re ndaj diasporës, ndërsa theksoi se “PD duhet të tkurret para se të zgjerohet”.

“PD duhet të përmirësohet. Duhet të kemi një reformë të strukturës që është thelbësore. Me sa kam info, në kuvendin kombëtar do të lajmërohen disa ndryshime siç është platforma dixhitale dhe ndryshimi i qasjes ndaj diasporës. Partia duhet të profesionalizohet. Kemi ardhur në një fazë ku kemi një sistem i plotë përballë dhe duhen struktura profesionale. PD duhet të tkurret përpara se të zgjerohet. Vlerësimi  i performancës është thelbësor gjithashtu “ tha Mustafaj.

Ndërsa Caca insistoi se opozita duhet të prodhojë më shumë debat, alternativa dhe vizion politik nëse kërkon të rikthehet si forcë qeverisëse. Sipas tij më e madhe e PD-së sot nuk është vetëm emri i kryetarit Berisha, por mënyra si ai dhe të tijët do të bindin njerëzit se mund të rikthehen në pushtet si alternativë reale përballë mazhorancës së Edi Ramës.