Ndodh që kur e kërkon dikë mund të jetë tepër vonë. Kështu ndodh edhe me artistë si Rikard Ljarja. U bë shumë kohë që nuk e shihnim, sepse sigurisht edhe filmat kanë qenë me pikatore. Ndoshta aktorë si Rikardi kërkonin tematika që në “tregun” e sotëm zor se i gjen, madje edhe kur i ndesh ato janë nëpër arkiva.

Dua të kujtoj Rikardin te filmi “Ndërgjegjia”. Skena që më pëlqente më shumë ishte kur ngrihej përpara kolektivit, aq simpatik sa nuk mund të ishte fajtor. Ndoshta skena e tij në pyll me aktoren Roza Anagnosti ishte ndër të parat skena “quasi erotike” që shihja në televizion.

Gjyshja ime nga babai, pasi pa filmin “Komisari i Dritës” vendosi ta quanim tim vëlla Dritan. Ishte koha kur aktorët ishin gjithcka për ne. Dhe kjo është vështirë t’i shpjegohet një brezi që ka për idhull muzikën “rap” dhe që filmat e kinematografisë shqiptare i konsideron të gjithë si të kohës së “diktaturës”. Nuk ka si të ndodhë ndryshe në fakt, kur edhe vetë aktorë e artistë të asaj kinematografie kanë “rezerva” për filmat ku luajtën, apo që prodhuan vetë. Dritani i Shkabajve. Një portret i gdhendur i një malësori, mësues që shkon tu japë dritën e diturisë fëmijëve mes errësirës së një kohe pa emër.

Te “Radiostacioni”, më del përpara sysh portreti i Rikardit në rolin e komandantit, duke fshirë syzet gjatë pushtimit të radiostacionit. Fytyra e tij dhe timbri i zërit.

Te filmi “Në prag të jetës”, në rolin e Andreas, që ndonëse jo rol parësor gjen vend dhe mbetet në mendje me cdo lëvizje, qoftë tek mbërthimi i kopsave të këmishës. Skënderi te “Dueli i heshtur”, Vasili te “Pesha e Kohës”, mjeku te “Rrethi i kujtesës”, Luka te “Në pyjet me dëborë ka jetë“, shoku Emir te “Fletë të bardha”. E plot e plot filma të tjerë.

Por për mua, aktori Rikard Ljarja do të mbetet gjithëmonë pjesë e batutës: “C’është nj[ që pret te dera e kinemasë“? Deda.

Të gjithë aktorët kujtohen me emrat e personazheve dhe Rikardi do të mbetet në kujtesën e përgjithshme si Deda.  Kështu janë aktorët, mbeten në kujtesë me emra të tjerëve, në vepra të tjerëve dhe shpesh ata edhe në rrugë i thërret me emrin e personazhit. Rikard Ljarja (vonë e mësova këtë mbiemër, sepse gjithmonë e dëgjoja si Larja) do të mbetet një Dedë. Ndaj falemnderit, Ded.