Është arrestuar 51-vjeçari Prelë Gjoni, i cili dyshohet se bashkë me 2 persona të tjerë dhunoi dy ditë më parë gazetarin Ervin Dushi.

Prelë Gjoni është pronari i rrjetit të marketeve ‘Xhedis’ në Shkodër, ndërkohë Policia njofton se materialet i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por Dushi pretendon se ngjarja lidhet me një denoncim të bërë prej tij disa kohë më parë, në mbështetje të një punonjëseje të rrjetit të marketit të Gjonit, e cila kishte pasur një mosmarrëveshje me pronarin e kompanisë.

Aktualisht, Dushi nuk rezulton të jetë i punësuar në media, por prej vitesh jeton ne Suedi dhe angazhohet si freelancer me denoncime ne rrjetet sociale.

Vite me parë ka qënë gazetar në emisionin investigativ “Fiks Fare” deri në vitin 2010. Para se të largohej nga Shqipëria, atij i vendosën një sasi tritoli duke shkaktuar dëme materiale në banesën e tij.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër-Dhunoi fizikisht një 46-vjeçar (gazetar), për shkak të detyrës, kapet dhe vihet në pranga 51-vjeçari.    

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin P. Gj., 51 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.    

Ky shtetas dyshohet se më datë 18.05.2026, rreth orës 20:00, në lagjen “Skënderbeg”, ka goditur me grushte shtetasin E. D., 46 vjeç, gazetar, për shkak të detyrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

---------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë