'Po lehin qentë, do iki të marr mish'! Kodet që përdorte Kocerri me Habilajt për 4 ton kanabis, prokuroria kërkoi 15 vite burg (Përgjimet)

TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 15 vite burg për Armando Koçerrin, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, në kuadër të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj. Më herët, gjykata i pranoi atij kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe nëse togat e zeza e dënojnë me 15 vite, ulja e dënimit i shkon në 10 vite heqje lirie, për shkak të uljes së 1/3 së dënimit. Armando Koçerri, me profesion infermier, u arrestua në Tetor të 2017 ndërsa në banesën e tij në Babicë të Vlorës, iu sekuestrua rreth 4 ton kanabis, e paketuar gati për tu trafikuar.

Gjatë leximit të pretencës, Koçerri ishte i pranishëm në seancë, ndërsa qëndroi i heshtur gjatë gjithë kohës. Nga hetimet e ndjekura nga tre prokurorët e çështjes, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Arens Çela ka rezultuar se Armando Koçerri ka pasur rolin e bashkëpunëtorit në grupin e Habilajve, duke vënë në dispozicion të tyre banesën e tij, ku magazinohej lënda narkotike kanabis. Po, ashtu në dosjen e siguruar nga Report Tv, rezultojnë telefonata të shumta që Koçerri ka zhvilluar me vëllezërit Moisi dhe Florian Habilajn.

Në një bisedë të zhvilluar më datë 24 Shtator të 2017, Armand Koçerri bisedon me një numër që përfundon me 454 që përdorej nga një person i paidentifikuar, ku i thotë: S’të mora sot se s’të bëra dru gati, por kur të vij pastaj t’i marr ato barbunjat unë".

Ndërsa në një tjetër bisedë që Koçerri bën më datë 2 Tetor të 2017, po me një tjetër person të paidentifikuar, Koçerri shpreh shqetësimin se mos në fshat kishte prezencë të personave të panjohur për shkak të një makine që kishte kaluar, e ndërsa bashkëbiseduesi i thotë që të rrijë pa merak, sepse janë njerëzit e tyre.

Dy ditë pas kësaj bisede, Armando Koçerri bisedon në telefon me Florian Habilajn ku i thotë: Ka nja nëntëdhjetë kile “Fantoj” Arseni ti lë aty te fabrika, të duhen ty? E ndërsa Florian Habilaj i përgjigjet: Po, ore bjeri po i ke.

Ndërsa në një bisedë të zhvilluar më datë 5 Tetor po mes këtyre dy personave, Koçerri shprehet: Ça po bën, ta marr i çik Toyota të vejë në Vodice për të marrë ca mish që kam porositur?

Edhe në një bisedë të bërë më datë 6 Tetor, Koçerri dëgjohet të pyesë Florian Habilajn: Kam nja 170 kile Frantoj, të duhen? Dyshimet e prokurorisë kanë qenë se bisedat mes tyre janë kryer për çështje droge, duke përdorur në këtë mënyrë edhe kode, si “Fantoj” e “mish”.

Po ashtu, në dosjen e prokurorisë janë edhe përgjimet që Armando Koçerri bisedon në telefon me motrën e tij. Biseda rezulton të jetë bërë vetëm dy ditë para se Koçerri të arrestohej, e ndërsa e motra i shpreh shqetësimin se në fshat kishte persona të dyshimtë. “Po lehin qentë poshtë shtëpisë së xhaxhait ore, ndaj të mora”. Ndërsa një ditë më pas, Koçerri takohet me Florian Habilajn, ndërsa e motra e telefonon sërish e i thotë: Ka njerëz poshtë te ullinjtë. Po lehin qentë. Nuk e di a po shkulin ullinjë, apo ça po bëjnë, po ka njerëz poshtë te ullinjtë. E ndërsa vetëm dy minuta më pas e telefonon sërisht ku i thotë: Tani pushuan qentë. Ku Koçerri i përgjigjet: Shiko i herë me dritë.

Ndërkohë, prokuroria theksoi në pretencën e saj, se në atë kohë, pra në Tetor të 2017 kur është kryer edhe operacioni në Babicë, pikërisht në këtë fshat u sekuestrua edhe një skaf, i cili dyshohej se do të përdorej për të trafikuar ngarkesën prej 4 ton kanabis. Mësohet se mjeti lundrues ishte në pronësi të Ferdinnant Habilajt, por përdorej nga Moisi Habilaj. Armando Koçerri është i vetmi i gjykuar në vendin tonë si pjesë e grupit të Habilajve. Në operacionin e zhvilluar dy vite më parë, policia prangosi edhe Nezar Seitin, i cilësuar si financues i grupit, por me kërkesë të tij, Seiti u ekstradua në Itali, ku po gjykohet së bashku me vëllezërit Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit. Më herët, togat e zeza vendosën që të ndajnë çështjen e Koçerrit nga pjesa tjetër e grupit të Habilajve.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Legjionarët/ Asllani realizon supergol me Interin në Kupën e Italisë, Mitaj gjen rrugën e rrjetës në ndeshjen miqësore

Legjionarët/ Asllani realizon supergol me Interin në Kupën e Italisë, Mitaj gjen rrugën e rrjetës në ndeshjen miqësore