Dosja Partizani/ Akuzat e reja të SPAK: Si u manipulua vlerësimi i ndërtesave të kompleksit! I shkaktuan dëm shtetit 436 mln lekë! Morën 870 metra katror tokë shtetërore e s’i paguan 23 mln lekë

Dosja Partizani/ Akuzat e reja të SPAK: Si u manipulua vlerësimi i ndërtesave të kompleksit! I shkaktuan dëm shtetit 436 mln lekë! Morën 870 metra katror tokë shtetërore e s’i paguan 23 mln lekë

Sali Berisha e Jamarber Malltezi

Tirane- Shqiptarja.com dhe Report Tv kanë në dorë dosjen prej 500 faqesh ku prokurorët e SPAK kanë faktuar provat për të cilat kanë marrë të pandehur ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Në dosje prokurorët e SPAK kanë përcaktuar vlerat reale të dëmit miliona lekë që i janë shkaktuar shtetit përmes privatizimit të ish kompleksit Partizani dhe ndërtimit aty të 19 kullave.

Dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kanë treguar si u manipulua procesi i vlerësimit të 2 ndëtesave të kompleksit sportiv 'Partizani' mbi tokën e familjes Begeja të cilat u shembën për të ngritur kullat por që për ta duhej të ishte dëmshpërblyer shteti.

SPAK ka zbuluar se nuk është caktuar vlera reale e ndërtesave të këtij kompleksi por një shifër qindra milionëshe herë më e vogël. Jo vetëm kaq Malltezi dhe Bekatshi kanë marrë dhe ndërtuar kullat dhe në 870 metra katror që ishte tokë shtetërore dhe është marrë pa paguar asnjë lek si kompensim shtetit

Në dosjen e SPAK thuhet se dy anëtarët që ishin caktuar në komisionin e vlerësimit të ndërtesave të kompleksit Partizani kishin lidhje me Fatmir Bektashin, ndërtuesin dhe Argita Malltezin, vajzën e ish kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshorten e Jamarbër Malltezit.

SPAK ka bërë një ekspertizë të re financiare nga ku ka rezultuar se komisioni "nuk ka bërë vlerësimin real duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 436 milionë lekësh (saktësisht 436. 444. 444 lekë të reja) "

Në dosje thuhet se është paguar 53 milionë lekë për rivlerësimin e ndërtesave nga 489 milionë lekë që ishte vlera reale. Pra dëmi që i është shkaktuar shtetit duke mos i paguar është 436 milionë lekë.    

Moren 870 metra katror toke shteti! Nuk paguan 23 milione leke

Ndërtimi i kullave nuk është bërë vetëm në tokën që u takonte si pronarë, por dhe në një sipërfaqe tokë shtet pa i paguar asnjë qindarkë këtij të fundit. Në dosje zbulohet se është ndërtuar në një sipërfaqe prej 870 metra katrorë që nuk ishte pjesa e pronave të tyre por ishte pronë shtetit. SPAK thotë se për këtë vlera e dëmit që i është shkaktuar shtetit është gati 23 mln lekë (saktësisht 22. 956. 459 lekë të reja).

Dikur Klubi Sportiv Partizani

Klubi sportiv "Partizani" ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 19 kulla në Rrugën "Frosina Plaku", tek Ish Fusha e aviacionit. Struktura e ndërtuar nga regjimi komunist per 60 vite ishte simboli i sportit shqiptar dhe kampionëve të tij të mëdhenj. Struktura përbëhej nga palestra, pishina, pista atletike, fusha vollejbolli dhe basketbolli për një sipërfaqe totale prej mbi 26 mijë metra katrorë. Për vite me radhë, edhe pas rënies së regjimit, u bë një nga qendrat e pakta sportive në kryeqytet, ku kaluan mijëra sportistë çdo vit.  Struktura sportive ishte përfshirë në të ashtuquajturin ''plani i përhapjes'' të ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave të armatosura, domethënë një listë që përfshin pronat ushtarake që Presidenti i Republikes dhe gjeneralët i konsiderojnë strategjike deri kur, Sali Berisha u kthye në pushtet ne vitin 2005.

(Foto: Si ishte kompleksi sportiv Partizani, që u shemb për të ndërtuar kullat Jamarbër Malltezi)

Dosja
Më 11 shtator 2024 SPAK mori të pandehur ish kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Një ditë më pas për këtë dosje u morën nën akuzë Fatmir Bektashi, ndërtuesi dhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja. 

SPAK akuzon Berishën se gjatë kohës që ka qenë në qeverisje pas fitores së zgjedhjeve të 2005 ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, për privatizimin e ish kompleksit Partizani ku më pas u ngrit kompleksi pallateve. Malltezi është marrë i pandehur për  “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, të kryer në bashkëpunim me ish kryeministrin si dhe “pastrim parash".

Ndërkohë ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, një nga trashëgimtarët e truallit së bashku me dhëndrin i ish-kryeministrit Sali Berisha, të dy të pandehur, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60 për qind të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla në kompleksin Magnet në tokat e “ish Klub Partizanit”.

Dosja 'Partizani', të pandehur deri tani
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pronari i kompanisë së ndërtimit 'Kontakt' 
Xhimi BegejaOrtaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:15
Dosja 'Partizani'/ SPAK: Bektashi e Malltezi në kontratë specifikuan ndërrimin e destinacionit të truallit! Berisha e firmosi! Dhëndri mori përsipër lejen e ndërtimit brenda 12 muajve 

Tirane- Në dosjen e SPAK prej 500 faqesh për aferën e privatizimit të sport klub 'Partizani', të cilën Shqiptarja.com dhe Report tv e disponon prokurorët e SPAK hedhin poshtë pretedimin e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit se ka qenë Rama që në 2006 ka ndryshuar destinacionin nga sportiv në shesh ndërtimi.

Në dosje evidentohet kontrata e sipërmarrjes e datës 22 tetor 2007 e lidhur mes Jamarbër Malltezit në cilësinë e përfaqëuesit të familjes Begeja si palë pronarë dhe shoqërisë ‚Kontakt‘ të Fatmir Bektashit në cilësi të palës sipërmarrëse që do të zhvillonte ndërtimin e kullave.

Në nenin 4 të kontratës është shënuar ndërrimi i destinacionit ku ndodhet trualli. „Nga zona sportive në zonë banimi, 24 muaj nga data e nëshkrimit të kësaj kontrate.“ 

Kjo hedh poshtë pretendimin e Jamarbër Malltezit dhe ish kryeministrit Sali Berisha se ndërrimin e destinacionit e kishtë bërë Rama në 2006 por e kanë kërkuar në kontratën që është firmosur nga Bektashi dhe Malltezi.  

Pra deri në 2007 kur dhe është firmosur kontrata nuk ishte bërë ndryshimi i destinacionit të përdorimit për terrene të Ish Klubit Partizani, nga sportive në të ndërtueshme, në zonën ku do të ndërtohen më pas kulla. Dhe Bektashi ia ka saktësuar në nenin 4 të kontratës së 22 tetorit 2007 kërkesën Malltezit.

Në dosjen e SPAK  thuhet se kjo kërkesë e kontratës u arrit me firmosjen e Sali Berishës ndër të tjera dhe përmes ndryshimeve të ligjit të sportit, në qershor 2008 që hiqnin çdo pengesë ligjore në privatizimin e ish-kompleksit Partizani ku përfitues direkt ishte dhëndri i tij.

Leja e ndërtimit brenda 12 muajve 

Në dosjen e SPAK prokurorët  Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai evidentojnë se ishte dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi  ‚kishte marrë përsipër dhe lejen e ndërtimit brenda 12 muajve nga nënshkrimi i kontratës“

Ora 20:34
Dosja ‘Partizani’/ SPAK zbardh skemën: Si ndikoi Berisha në privatizimin e kompleksit! Biznesmeni Bektashi premtoi ndarjen e fitimit pas ndërtimit të kullave

Report Tv siguron dosjen voluminoze me 500 faqe për aferën e korrupsionit me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”,  me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin Jamarbër Malltezi, dhe pronarët Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja. Ndër të tjera në dosje përmendet se vërtetohet se Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në territoret e 2 klubeve sportive “Partizani”.

Ky premtim bazohej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve në brendësi dhe ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi. “I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte Sali Berisha”, thuhet në dosje dhe kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, janë realizuar mes dhëndrit të tij Malltezi e Fatmir Bektashit.

Ka qenë pikërisht Berisha ai që ka marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin që në vijim i kalonte familjes së vajzës së tij.

Me shkresën e 23 nëntorit 2022 drejtuar Studio Pustinës, Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet, është shprehur se i kishte besuar verbërisht Argita e Jamarbër Malltezit.

Malltezi nëpërmjet një sërë transaksionesh, të fshehta dhe kamufluese, i ka treguar që në fillimet e veta Fatmir Bektashit dhe trashëgimtarëve të familjeve pronare, se që të arriheshin objektivat duhet të vendosnin në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre, dhe kjo pasqyrohet edhe në prokurat e lëshuara nga ata.

Por në vijim, pasur parasysh madhësinë e sipërmarrjes së synuar, kontraktimin e shoqërisë Kontakt për zhvillimin e të gjithë trojeve (përveç një pjese ku rezulton shoqëria Eralb sh.p.k.), ka qenë Fatmir Bektashi, i interesuar për arritjen e të gjitha objektivave, duke marrë përsipër dhe duke e theksuar thuajse në të gjitha aktet që nënshkruan, kryerjen e shpenzimeve dhe siç rezulton nga hetimi edhe dhënien e përfitimeve.

Bektashi do të jepte përfitimin e paligjshëm por që të realizonte këtë gjë, duhet të kishte pronat jo vetëm të tijat, por të të 5 familjeve të njohura pronare. Për familjen Begeja, për vënien e tokës në dispozicion për zhvillimin e ndërtimit, garantues ishte Malltezi, kurse për familjet e tjera pronare, Saliaga, Vaqarri e Alimehmeti, kontaktet me përfaqësuesit e tyre mbahen nga Fatmir Bektashi.

‘Nga tërësia e të dhënave të administruara deri në këtë moment, ashtu si paraqitet e shkruar nëpër akte, duke i lexuar ato në përputhje me njëra tjetrën dhe ballafaquar me ngjarjet reale që kanë ndodhur, vërtetohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Bektashi ka premtuar dhënien e një pjese të përfitimit që do të realizohej nga shitjet e objekteve që do të ndërtoheshin në dy territoret e klubit sportiv Partizani.

Dhënia e këtij premtimi, mbështetej në kërkesën e realizimit të kthimit të plotë të territoreve, privatizimin e objekteve të ndodhura në të, ndryshimin e destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, që do të sillte një zhvillim ndërtimi të konsiderueshëm dhe në këtë mënyrë fitim të madh. I vetmi që kishte pushtetin e mjaftueshëm për të kontrolluar të gjithë sektorët ku mund të realizoheshin këto objektiva, ishte shtetasi Sali Berisha. Kontaktet për arritjen e këtij qëllimi, dokumentohen të jenë realizuar mes dhëndrit të këtij të fundit, shtetasit Jamarbër Malltezi dhe shtetasit Fatmir Bektashi.

Shtetasi Sali Berisha, nga leximi në tërësi i provave të administruara përgjatë gjykimit, rezulton të ketë marrë përsipër përmbushjen e kërkesave, duke pranuar shpërblimin/mitën që në vijim kalon në bashkësinë ligjore të familjes së vajzës së tij, shtetases Argita Malltezi nëpërmjet shtetasit Jamarbër Malltezi.

Me shkresën e dt. 23.11.2022 drejtuar Studio Pustinës, shtetasi Xhimi Begeja i pakënaqur kur janë ndarë përfitimet është shprehur: ” … Ju besova verbërisht sepse Gita dhe Abi më garantuan qysh nga dita e parë ku studio e juaj të jetë garantuesja e ligjore dhe financiare në marrëveshjet e kontratat tona.

Nuk kam qenë pengesë në asnjë moment të firmosja vetëm “letër të bardhë” sepse e konsideroja veten turp nëse nuk do ju besoja. Kam përshtypjen se ajo Gocë e Familjes nuk ka pas dhe as ka dijeni për situatën e krijuar tani mes nesh. Unë nuk e kam shqetësuar dhe nuk do e shqetësoj kurrë për hallin e madh që ka zënë, për aq më tepër ne si familje i kemi borxh të madh Familjes Berisha për shqetësimet që i kemi sjellë ku shkaktare është prona jonë…”(shtetasi Xhimi Begeja në këtë letër fjalët “Gocë e Familjes” dhe “Familja Berisha” i shkruan me shkronja të mëdha duke treguar konceptimin që ka ai për pushtetin e familjes Berisha).’- thuhet në dosje.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka pasur sukses 'Tempulli' në kapjen e shpërndarësve të drogave në shkolla?



×

Lajmi i fundit

Vinicius e Mbappe me penallti, Real Madrid fiton në udhëtim kundër Sociedad

Vinicius e Mbappe me penallti, Real Madrid fiton në udhëtim kundër Sociedad