Zgjedhje ‘96, manipulimi i 26 majit dhe 'standardet' e 20 tetorit, çfarë ndodhi 24 vite më parë

Sot në 26 maj, palët politike arritën konsensus për tre pika të Reformës Zgjedhore, ndërsa drafti përfundimtar duket ende larg. Por cfarë ndodhi 24 vite më parë në këtë datë? Në zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor. Pavarësisht se PD-ja fitoi, PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi Parlamentin. Zgjedhjet e 26 majit u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar. Ndërkohë që zgjedhjet lokale të 20 tetorit 1996 u fituan nga mazhoranca demokrate, por me një diferencë më të vogël votash se ato të 26 majit. Procesi zgjedhor u pranua nga ndërkombëtarët, por u konsiderua i manipuluar nga opozita.

.............................
Kishin kaluar pesë vjet nga zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri kur komuniteti ndërkombëtar pretendonte se Shqipëria duhet të zhvillonte një proces zgjedhor sipas standardeve demokratike. PD kishte katër vite që ishte në pushtet, ndërsa Partia Socialiste, pasardhëse e PPSH, ishte në opozitë dhe në proces reformimi. Qeverisja demokrate kishte shfaqur në katër vjet mjaft elemente të së shkuarës komuniste në ushtrimin e pushtetit. Bëhej fjalë për lirinë e medias, për mungesë të pavarësisë së institucioneve, për përqendrim të pushtetit në duart e një individi të vetëm, që ishte presidenti i vendit, Sali Berisha. Sidoqoftë, në fund të katër viteve, qeverisja demokrate kishte edhe bilancin e saj pozitiv sa i përket kryerjes së disa reformave mjaft të rëndësishme. Po afroheshin zgjedhjet parlamentare dhe ishte momenti që PD të dëshmonte se ishte një parti e përmasave demokratike, pasi pritej që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose të paktën ky ishte pretendimi i perëndimorëve, që kishin mbështetur PD në ardhjen në pushtet në vitin 1992, por edhe në kryerjen e reformave gjatë katër viteve të qeverisjes. Por nuk ndodhi kështu.

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit 1996, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor, duke zhvlerësuar tërësisht procesin zgjedhor dhe duke i lënë hapësirë manipulimit të zgjedhjeve. Arsyeja e tërheqjes ishte se qeveria po manipulonte dukshëm zgjedhjet. PS-ja nuk priti të mbaronte votimi dhe pastaj të shprehej për zgjedhjet. Kriza ishte në prag. PD-ja i fitoi zgjedhjet, ndërsa PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi Parlamentin. Demokratët zunë 122 vendet e tyre në Parlament, ndërsa vëmendja e opinionit u shpërngul në standardet e procesit dhe protestat nëpër rrugë. Zgjedhjet e 26 majit u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar. Sipas tyre, këto ishin zgjedhjet më të parregullta që ishin zhvilluar ndonjëherë pas rrëzimit të komunizmit në një vend të Europës Lindore. Partia Demokratike nga ana e saj kishte dëmtuar rëndë një prej elementeve bazë të demokracisë. Edhe kjo parti ishte nën shtysat e para të metodave komuniste me gjithë retorikën kundër komunizmit. PD-ja, jo vetëm i prishi zgjedhjet, edhe me ndihmën e PS, por ajo në tërësi gjatë këtyre viteve me retorikën antikomuniste pa kuptim, me veprimet e qarta kundërdemokratike ndaj medias, me sjelljen triumfaliste dhe me shumë njerëz që vinin nga regjimi i kaluar, kishte ndihmuar në pengimin e reformimit të PS-së. PD kishte ndihmuar në bunkerizimin e PS-së. PS-ja vetë e kishte të gjithë indin për të qenë një parti e vjetër dhe ish-komuniste.

Megjithëse PS kishte bojkotuar Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 26 majit, një ndër gjashtë deputetët socialistë që fituan më 26 maj, Sali Rexhepi, shkoi në Parlament duke thyer vendimin e PS-së për të mos njohur zgjedhjet. Rexhepi u përjashtua nga PS dhe vota e tij nuk u konsiderua më si votë socialiste në Kuvend. Duke përfituar nga raportet e cenuara midis mazhorancës demokrate dhe faktorit ndërkombëtar, socialistët e radikalizuan betejën për zgjedhje të parakohshme.

Pas ditës së zgjedhjeve të 26 majit, socialistët në opozitë sollën fakte të shumta të manipulimit, të cilat nuk u morën në konsideratë nga mazhoranca demokrate që kishte fituar, sipas numërimit të saj, në 122 zona nga 140 gjithsej. Ndërkombëtarët kritikuan procesin zgjedhor duke e konsideruar atë të manipuluar.

Në raportet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 26 majit renditen një sërë kritikash duke filluar qysh me ndarjen e zonave të aplikuar më 1996, duke e konsideruar tërësisht

abuzive, jotransparente dhe jokushtetuese. Një ndër kritikat më kryesore të ndërkombëtarëve lidhet me ndalimin e mitingjeve të opozitës si dhe dhunën që shoqëroi procesin zgjedhor, kryesisht ditët pas zgjedhjeve, dhe më pas kritika të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve.

Më poshtë renditen disa kritika të raporteve të ndërkombëtare, referuar librit të Afrim Krasniqit “Zgjedhjet në Shqipëri (1991-2008)”.

***
“Këshilli i Europës përmes një rezolute tha se zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë. Një deklaratë e ashpër kundër PD-së dhe standardeve të zgjedhjeve u bë nga nëntë vëzhgues nga Norvegjia dhe Britania e Madhe. Ajo u bë përpara deklaratës zyrtare të grupit vëzhgues të ODHIR-it, çfarë la hapësira për kritika dhe spekulime të ndryshme politike lidhur me rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë. PD-ja dhe media e kontrolluar prej saj ndërmori një fushatë denigrimi për vëzhguesit ndërkombëtarë. Ata deklaruan se rreth 30% e ekipit vëzhgues të ODHIR-it ishte ftuar nga PS-ja dhe se 9 vëzhguesit norvegjezë ishin aktivistë të rinisë komuniste, një vëzhgues suedez, një gjerman dhe një bullgar ishin ish-agjentë të sigurimit të shtetit, etj. E sigurt ishte se ata të tre kishin qenë disa herë për vizitë në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës komuniste. Njëkohësisht, 19 vëzhgues europianë, (M.Venola, N.Vlora, A.Nidoli, P.Pellicini, P.Senone, S.Delmastro, D.Vedova, F.Reale, F.Bolla, P.Kapral, V. Grossruck, L.Kovlor, S.Doherty, L.Moczulski, E.Lasota, Y.Jego, G.Ecorcheville, J. Bleuchot, A. Delcamp, D. Adams) të cilët ishin përfaqësues partiakë nga Italia, Franca, Austria, Polonia dhe vende të tjera, thanë se zgjedhjet ishin të lira dhe nuk pati incidente dhe të dhëna për manipulime. Ndër urimet e para për PD-në ishte ajo e kryetarit të Senatit francez, ministrit të jashtëm austriak dhe e Sekretarit të Përgjithshëm të EDU-së Aleks Vintoriak. Urime erdhën nga shumë kancelari e shtete europiane, sidomos nga ato vende ku në qeveri ishin forcat e djathta, anëtare të EDU/EPP. Më 12 qershor analisti G. Partosh tha në BBC se ikja e opozitës nga zgjedhjet ishte një akt dëshpërimi. Vlerësimet e ODHIR-it u shoqëruan me rritje të kritikave nga disa organizma europiane, sidomos nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës. Ato pranuan legjitimitetin e parlamentit të ri, por kritikuan ashpër mangësitë dhe shanset e Shqipërisë për integrim në familjen europiane.

SHBA
Ngjarjet e 28 majit, dhe sidomos refuzimi i Presidentit për të pritur në takim zv/sekretarin amerikan të shtetit T.Uirth, si dhe më pas injorimi i kërkesës amerikane për përsëritjen e 40 zonave, bëri që SHBA-të të merrnin një pozicion të qartë kritik, madje duke tejkaluar edhe palën europiane. Më 21 qershor Departamenti i Shteti i cilësoi zgjedhjet “një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”. Kjo deklaratë u prit me nervozizëm nga PD-ja.  Ministria e Jashtme mbrojti zgjedhjet dhe iu kundërvu DASH-it duke thënë se “në zgjedhjet e vitit 1991, pavarësisht se 12 veta u vranë nga policia sekrete, PD-ja nuk i bojkotoi zgjedhjet”. Pavarësisht nga këto qëndrime dhe interpretime, fjala e fundit i takoi ODHIR/ OSBE-së dhe raportit të tyre ?nal për zgjedhjet.  Ky raport ishte më kritiku në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Asnjëherë më parë dhe më pas, vëzhguesit ndërkombëtarë nuk do të deklaroheshin aq prerë dhe publikisht kundër standardit të zgjedhjeve, përgjegjësisë së qeverisë, ndërhyrjeve politike në proces dhe rolit të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë Presidentin, Gjykatat, Këshillin e Ministrave, Policinë e Shtetit, Shërbimin Sekret dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ekipi vëzhgues ndërkombëtar, i përbërë nga vëzhgues nga 11 shtete, deklaroi se vëzhguan 300 qendra votimi në 115 zonat elektorale. Konkluzioni i vëzhguesve ishte kategorik dhe shumë i ashpër: në zgjedhje ishin shkelur 32 nga 79 nenet e Kodit Zgjedhor, dhe konkretisht nenet 4, 13, 16, 19, 21, 22, 28, 29, 31, 32, 36, 37, 38, 39, 40, 44, 48, 51, 53, 56, 57, 60, 63, 64, 66, 68, 70, 71, 72, 73, 74 dhe 75. Ata gjithashtu vlerësuan se ishin shkelur pesë nenet e paragrafit 7 të Kartës së OSBE (Kopenhagen), neni 7.4, 7.5, 7.6, 7.7 dhe 7.8…..

ODIHR
…Lidhur me fushatën elektorale, raporti i ODIHR-it thekson se “ajo ishte e tensionuar, në shkelje të përcaktimit të pikës 7.7 të dokumentit të Kopenhagenit për fushatë politike në atmosferë të lire dhe paqësore. Opozita pati probleme me mitingjet e saj, policia dhe autoritetet disa herë refuzuan lejen për mitingjet, përfshirë edhe për miting në sheshin “Skënderbej” me motivin se opozita nuk kishte njerëz aq të shumtë sa për të mbushur sheshin”. Në fakt, PD-ja organizoi miting dhe koncert të madh festiv më 24 maj, tej orës së përcaktuar nga ligji. U shënuan prishje dhe dëmtime të posterave elektoralë të opozitës. Ata shënuan incidentet e bllokimit të rrugës nga mbështetës të PD-së në Shkodër më 18 maj dhe 19 maj në Vlorë. Raporti jep detaje sesi policia dhe autoritetet ndërhynin për të penguar aktivistët e opozitës në fushatën elektorale. ODHIR-i kritikoi përdorimin nga PD-ja të mjeteve shtetërore të informimit, sidomos të TVSH-së, por kritikat më të mëdha në këtë drejtim u bënë nga grupi amerikan i vëzhguesve. Ata thanë se TVSH-ja bëri propagandë televizive masive në shkelje të ligjit dhe për këtë solli shembullin e lajmeve kryesore të datës 20 maj 1996.

Lidhur me ditën e votimit, raporti i ODHIR-it thotë se kishte vonesa në mbledhjen e komisioneve të votimit dhe hapjen e qendrave të votimit, disa vëzhgues të opozitës nuk u lejuan të ndjekin votimet, ndërhyrja e policisë dhe prania e saj ishte negative sidomos në Berat e Lushnjë, probleme me kutitë e votimit u hasën në Lezhë, Pogradec e Kukës. Ai kritikonte komisionet zgjedhore për vendime partiake, mungesën e trajnimit të tyre, mungesat e protokolleve të votimit, problemet me mungesat e firmave në regjistër, votimet familjare. Në Tiranë, Berat e Kukës vëzhguesit panë civilë të armatosur, që deklaronin se ishin oficerë të SHIK-ut.

Vëzhguesit u ankuan se policia e Beratit dhe Korçës i kishte ndjekur, dhe në Tiranë një prej tyre i ndaloi vëzhguesit të hynin në qendrën e votimit. Me një procedurë të pazakontë, ditën e zgjedhjeve me dekret të Presidentit votimi u shty deri në orën 22:00, gjë që stimuloi më shumë probleme në numërimin e votave. Pati vendime arbitrare, nuk njiheshin rregullat e numërimit dhe procedurat që duhej të ndiqeshin më pas, pati debate mbi votat e pavlefshme, etj. Në Berat pjesëmarrja në votim në një qendër ishte 105%, në Lushnjë në një qendër kishte 942 vota në kuti dhe vetëm 880 firma në regjistër, në Fier një  qendër u mbyll në orën 19 me pjesëmarrje 100%, ndërkohë që vëzhguesit panë zgjedhës që donin të votonin, në Gjirokastër në një qendër votat e një partie opozitare u llogaritën për PD-në.

Po në këtë qytet në një numërim votash komisioni tha se 157 nga 404 vota ishin të Partisë Socialiste, ndërkohë që vetë vëzhguesit i numëruan se ato ishin 170 vota. Në Kukës kryetari i një qendre mori dikë në telefon dhe kërkoi falje që nuk arriti dot të japë rezultatin që ai donte, në Kuçovë u shënuan votime të tjera false në favor të qeverisë, në Korçë në një zonë nga 90 vota të pavlefshme, 45 ishin të PS-së dhe 45 të partive të tjera të opozitës, asnjë për PD-në dhe aleatët e saj. Në Pogradec u shënuan 30% vota të pavlefshme, shumica vota të opozitës, në Tiranë në një qendër u shënuan 8 vota të pavlefshme ndërkohë që vëzhguesit numëruan se ishin 8092.

Zgjedhjet vendore të 20 tetorit
Zgjedhjet e 26 majit, dhe kritikat ndaj këtij procesi ishin ende teme e ditës në debatet politike shqiptare në prag të vjeshtës së vitit 1996, ndërsa kishte ardhur momenti që vendi të hynte në zgjedhje vendore. Partia Demokratike, e interesuar që të përfshinte opozitën në procesin zgjedhor kishte vendosur të bënte disa lëshime. Opozita socialiste vazhdonte bojkotin parlamentar duke mos njohur zgjedhjet e 26 majit. Instituti Republikan organizoi një konferencë mbi ligjin dhe fushatën elektorale, si një tentativë për të rinisur dialogu politik në Shqipëri. Me ndërmjetësimin e IRI-t, partitë ranë dakord mbi disa ndryshime dhe parime organizative e ligjore për zgjedhjet lokale 1996, të cilat nxitën Presidentin Berisha të organizojë një tryezë politike në fillim të muajit shtator.

Pjesë e ndryshimeve ishte dekreti i Presidentit për ta shndërruar KQZ-në në një organ të përhershëm, dhe dhënia më pas e nënkryetarit për përfaqësuesin e PS-së. Po ashtu u ra dakord që posti i nënkryetarit në të gjitha komisionet zonale të ishte  përfaqësues i PS-së. Qeveria pranoi të bëjë ndryshime në ligjin për manifestimet dhe aktivitetet publike. Ndryshime u bënë edhe në raportet e policisë me zgjedhjet, duke sanksionuar ndalimin e hyrjes së policisë në qendrat e votimit. Palët ranë dakord për përmirësimin ligjor të kohës dhe mënyrës së shpalljes së rezultateve të votimit, duke i bërë ato më të plota, transparente dhe të besueshme. U bënë edhe disa ndryshme të tjera, por ndryshimi më i rëndësishëm ishte përcaktimi se nënkryetari i KQZ-së duhet të ishte “përfaqësues i partisë më të madhe opozitare” dhe se ai ka “pozitë juridike të barabartë me kryetarin”. Po ashtu i rëndësishëm ishte edhe vendimi sipas të cilit pozita dhe opozita do të kishin numër të barabartë anëtarësh në KQZ.

Pas ndryshimeve të kërkuara, opozita vendosi të hyjë në zgjedhje. Kryetari i PS, Fatos Nano, vazhdonte të ishte në burg, ndërsa PS nisi përgatitjet për zgjedhjet lokale të 20 tetorit. Zgjedhjet e 20 tetorit u fituan nga mazhoranca demokrate, por me një diferencë më të vogël votash se ato të 26 majit. Në mbrëmjen e datës 20 tetor PD-ja shpalli fitoren në zgjedhje dhe nisi deklarimin e rezultatit të zgjedhjeve. Sipas të dhënave të saj, PD-ja fitoi në raundin e parë 61% të bashkive dhe 58% të komunave, kurse socialistët vetëm 6% të tyre. Të dhënat zyrtare të dala ditë më vonë raportuan se PD-ja ?toi 37 bashki, PS-ja në 4, një bashki u fitua nga kandidati i pavarur dhe 22 kaluan në balotazh. Në 310 komuna demokratët fituan 193, socialistët 12, partitë e vogla 7 dhe pjesa tjetër prej 98 komunave kaloi në balotazh. Në votimin proporcional për këshilltarët në 36 rrethe PD-ja fitoi 52.5%, PS-ja 31.2%, PR-ja 3.5% dhe partitë e tjera pjesën e mbetur. Procesi zgjedhor u pranua nga ndërkombëtarët, por u konsiderua i manipuluar nga opozita.

Reagimet e ndërkombëtarëve
Raporti përfundimtar i zgjedhjeve, i paraqitur nga IRI, ishte një përmbledhje e detajuar e situatës politike para dhe pas fushatës elektorale, përgatitjes së zgjedhjeve, zhvillimit të fushatës, ditës së votimit dhe e procesit të administrimit të votave. Pas çdo kritike raporti bënte rekomandimet përkatëse, të cilat duheshin përmbushur nga autoritetet shqiptare. Në hyrje të raportit theksohej fakti se në zgjedhje u krijua atmosfera që koalicioni qeveritar dhe opozita të bashkëpunonin në administrimin e procesit të votimit. Partitë opozitare patën shumë më tepër hapësirë në median shtetërore dhe në aktivitetet publike. Rezultatet finale të zgjedhje në tërësi u përputhën me sondazhin e kryer gjatë ditës së zgjedhjeve nga IRI. Sipas ekipit vëzhgues atmosfera elektorale e zgjedhjeve lokale ishte shumë më e qetë dhe demokratike sesa në zgjedhjet e majit 1996. Pati raste të retorikës politike, në shumë pak raste u prezantuan programe politike elektorale për zgjedhësit, u shfaq propaganda negative për kundërshtarët dhe pati një fushatë më të mirë informuese për zgjedhësit. Megjithatë krerët e PS-së i konsideruan edhe këto zgjedhje të manipuluara, njësoj si ato parlamentare të 26 majit. Qëndrimi i PS-së nuk dukej se ishte i justifikuar për sa i përket manipulimit të zgjedhjeve. Ilir Meta dhe kundërshtarët e Nanos në PS deklaruan se humbja erdhi për shkak të luftës së brendshme në parti dhe kryesisht nga mocioni i Nanos. Ata kërkuan dorëheqjen e  Kryesisë së PS.

Pas zgjedhjeve të 20 tetorit
Ndërkohë në Shqipëri kishte filluar falimentimi i kompanive të para që ishin mbështetur në skemat piramidale. Filluan protesta spontane gjithandej me sloganin e përsëritur “Duam paratë tona!”. Pushteti i mazhorancës demokrate po lëkundej. Ditë pas dite protestat sporadike u kthyen në revoltë popullore kundër qeverisë “Meksi” dhe kryesisht kundër Presidentit Berisha. Qëndrimi i Partisë Socialiste ishte në anën e protestuesve, madje PS u vendos në krye të protestave. Pasuan ditë të një kaosi total, ku shteti pothuajse nuk ishte më i pranishëm. Repartet ushtarake dhe rajonet e policisë, si dhe pjesa më e madhe e godinave të institucioneve shtetërore u grabitën. Të burgosurit, u arratisën nga burgjet në të gjithë vendin, ndërsa Fatos Nano nuk bëri të njëjtën gjë. Ai fitoi lirinë për shkak të një dekreti të Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, i cili parashikonte amnisti ndaj një kategorie të burgosurish. Fatos Nano u kthye edhe fizikisht në krye të partisë. Pas paktit të mundimshëm të forcave politike për stabilizimin e vendit, me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve, u mblodh tryeza e partive politike, më 9 mars 1997, dhe u vendos që të krijohej një qeveri e pajtimit kombëtar. Më 11 mars 1997 dha dorëheqjen nga posti Kryeministri Aleksandër Meksi. Marrëveshja e partive politike zgjodhi si kryeministër të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Finon nga Partia Socialiste. Fino kishte qenë më parë kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, dhe ishte njëkohësisht anëtar i KPD. Vendi po përgatitej për zgjedhje të parakohshme, të cilat u vendos të zhvilloheshin më 29 qershor 1997.

d.ba./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A janë të domosdoshme listat e hapura?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Mazniku zbulon 4 kategoritë që do të banojnë në lagjen e re ‘Made in Italy’ përgjatë Lumit të Tiranës