TIRANE - Shqiptarja.com siguron draftin e Paketës Anti-KÇK e cila do të godasë krimin e organizuar, terrorizmin dhe zyrtarët e korruptuar, duke gjurmuar dhe pasuritë e tyre. Njësia do të hetojë 91 krime të parashikuara në Kodin Penal, nga vjedhja me armë, tek droga, grupi i strukturuar kriminal, vrasja, falsifikimet, plagosja, rrëmbimi, prostitucioni, terrorizmi, korrupsioni i çdo zyrtari publik e deri tek krimi zgjedhor.

Struktura policore ka të drejtë të nisë hetim pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.  Do të goditen dhe do të shpallen të paligjshme edhe kalimet fiktive të pasurive tek të afërm apo persona të tretë.

Ky ligj përfshin edhe të drejtën e policisë të kryejë përgjime parandaluese, si dhe të drejtën që përgjatë 24 orëve në kompanitë telefonike të kenë akses për të kontrolluar komunikimet përfshi dhe lidhjet e internetit. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës.

Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta (GPS), kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart. Ndërsa kontrolli banesës do të bëhet vetëm me miratimin e prokurorit.

Struktura Anti- KÇK do të ketë të drejtën të kufizojë lirinë e individit jo vetëm duke e ndaluar të dalë jashtë shtetit apo t'i bllokojë pasaportën, por edhe t'i kufizojë lëvizjen brenda një territori të caktuar brenda qytetit ku ai jeton. Por edhe më tej, duke i vendosur perimetër lëvizjeve dhe ndalesa në zona të caktuara në qytet. Ky urdhër do të vlerësohet nga prokuroria dhe jo nga gjykata. Policia mund të marrë çdo informacion privat si llogari bankare, gjendje civile, prona, aksione biznesi, çdo gjë e dhënë tjetër nga subjekete private ose shtetërore, pa leje të prokurorit apo gjykatës

Njësia speciale njohur si OFL (Operacioni Forca e Ligjit) do të ndalojë eksponentët e krimit të përdorin automjete të blinduara, armë zjarri, pajisje komunikimi radio dhënës marrëse, radar, programet kompjuterike, syze për shikim gjatë natës, veshje antiplumb, si dhe lëndët pirroteknike.

Projektligji parashikon ngritjen e një strukture të re brenda Policisë së Shtetit, e cila do të quhet Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe do të ketë varësi direkte nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Kjo drejtori, bashkë me Drejtorinë e Antiterrorit do të jenë dy strukturat përgjegjëse për zbatimin e çdo dispozite që ngarkon Policinë e shtetit në këtë ligj. Të dyja drejtoritë do të ushtrojnë funksionet e tyre në një godinë të përbashkët të posaçme vetëm në funksion të tyre. Në varësi të drejtpërdrejtë të tyre, në 12 drejtoritë vendore të policisë do të ngrihen drejtoritë rajonale kundër krimit të organizuar dhe antiterrorist.

Ky ligj do të jetë i përkoshëm deri në krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

(Kliko KETU) Draft-Ligji i plotë anti KÇK

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:10
60% e pasurisë së sekuestruar 'shpërblim' për Policinë e Shtetit

Pasuria që nuk justifikohet do të sekuestrohet. Por çfarë do të ndodhë me të? Referuar pikës së pestë të nenit 39 60% e saj do t'i jepet Policisë së Shtetit, e cila do ta përdorë atë për përmirësim të  kushteve të punës, por jo vetëm.

"Policia e Shtetit përdor për nevoja të përmirësimit teknologjik, kushteve të punës dhe shpërblimit të punonjësve që kanë ndihmuar në zbulimin e veprave penale të parashikuara në këtë ligj shumën e parave kesh dhe 60% të vlerave të aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara", thotë pika e pestë e nenit 39.

Ora 17:09
Policia e lirë të përdorë mjete lokalizimi të kriminelëve...kontrollet në biznese pa autorizim! Vetëm në shtëpi me urdhër nga prokurori

1574698593_kontrolle.jpg

Strukturat e policisë së shtetit të angazhuara për goditjen e eksponentëve të krimit të organizuar dhe pasurisë së tyre, mund të bëjnë kontrolle ndaj të dyshuarve për krime të orgnaizuar, akte terroriste apo krim tjetër të rëndë,  me kërkesë të drejtorive vendore dhe me miratim të Drejtorit të Policisë Kriminale.

Pra kontrollet dhe përdorimi i pajisjeve të lokalizimit mund të bëhet pa një urdhër nga prokuroria apo gjykata. Kjo i jep të drejtën policisë që të përdorë si përshembull GPS, apo mjete të tjera të nevojshme për të lokalizuar dhe ndjekur një subjekt të dyshuar.

Por ku mund të ushtrojë kontrolle policia vetëm me indicie të sajën?

Policia mund të ushtrojë kontrolle për parandalimin e akteve terroriste, parandalimin e kryerjes së krimit të organizuar apo të një krimi të rëndë në mjedise publike, me iniciativë të një punonjësi të policisë me gradën nënkomisar e lartë. 

Kontrollet mund të ushtrohen në ndërtesa apo objekte të tjera shtetërore e private. Ndërkohë në banesa private, kontrolli mund të bëhet me autorizim të prokurorit. 

"Procedurat standarde të punës për kryerjen e këtyre kontrolleve përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit", thuhet në draftin e ligjit Anti KÇK.

Ora 16:55
Për herë të parë përgjime telefonike ndaj pasurisë së grupeve kriminale pa autorizim të gjykatës

1574697972_pergjime.jpg

Për herë të parë ligji Anti KÇK i jep të drejtën policisë të kryejë përgjime pa pasur autorizim nga gjykata por vëtëm nga prokurori. Përgjimet bëhen për efekt parandalues dhe fokusohen vetëm në fushën e hetimit të pasurisë. Këto përgjigme nuk mund të përdoren për të tjera qëllime në gjyq dhe prokurori ka të drejtë edhe t'i asgjësojë pjesërisht, lexohet ne draft, dhe nuk kanë vlerë si provë gjyqësore

"Strukturat e Policisë së Shtetit do të kryejnë përgjim parandalues të telekomunikacioneve, kur prej tyre administrohen indicie për kryerjen e veprave penale që parashikohen në objektin e ligjit.

Autorizimi jepet nga drejtuesi i prokurorisë mbi bazën e kërkesës së bërë nga struktura e policisë.

Procedura standarde e punës për përgatitjen e kërkesës për këtë lloj përgjimi përcaktohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,. 

Përgjimet e autorizuara sipas këtij neni mund të përdoren ekskluzivisht vetëm për qëllimet dhe vazhdimin e gjurmimit (hetimit) dhe nuk kanë vlerë si provë gjyqësore.

Të gjitha përgjimet duhet t'i përcillen prokurorit, i cili autorizon veprimet e përgjimit dhe gëzon të drejtën e asgjësimit të tyre, qoftë edhe pjesor", thuhet në draft.

Ora 16:47
Policia mund të evakuojë të gjithë banorët e një ndërtese të sekuestruar!

1574697994_pallat.jpg

Pasi policia ka njoftuar subjektet për urdhrin e sekuestros dhe ka vijuar me ruajtjen dhe administrimin e asetit apo pasurisë së sekuestruar, "bazuar në rrethanat dhe informacionet mbi hetimin, Polciia e Shtetit mund të urdhërojë evakuimin e ndërtesave të cilat janë objekt i masës së sekuestros, deri në vlerësimin ose jo të urdhrit të sekuestros nga Prokuroria/Gjykata.

Pra kjo i jep të drejtën policisë, që pa pasur ende asnjë urdhër prokurorie apo vendim gjykate, të evakuojë të gjithë banorët.

Ora 16:34
'Molla e ndaluar' për subjektet e KÇK-së...E drejta për rehabilitim pas 3 viteve

1574680891_kck2.jpg

Ndaj eksponentëve të krimit të organizuar do të ketë edhe masa parandaluese me karakter pasuror. Ata do të jenë të përjashtuar nga: 

Licencat dhe autorizimet që lëshon Policia e Shtetit
Koncensionet, kontratat dhe shërbimet publike në cdo sektor, kërkohen për ushtrimin e veprimtarive afariste
Çdo lloj funksioni në administratën publike
Certifikata të kualifikimit për të kryer punë
Subvencione apo kredi të subvensionuara

Ligji parashikon edhe rehabilitim. 

"Pas tre vjetësh nga përfundimi i masës së parandalimit personal, pala e interesuar mund të kërkojë rehabilitim. Rehabilitimi jepet nëse subjekti ka dhënë prova të vazhdueshme dhe efektive të sjelljes së mirë nga gjykata e Apelit në rrethin e të cilit ndodhet autoriteti gjyqësor që ka zbatimin e masës parandaluese ose masën e fundit parandaluese. 

Rehabilitimi përfshin ndërprerjen e të gjithë efekteve paragjykuese të lidhura me gjendjen e një personi që i nënshtrohet masave parandaluese si dhe ndërprerjen e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj", thuhet në draft-ligjin. 

Ora 16:24
Anti-KÇK/ Pas konfiskimit të vilave ose bizneseve që nuk justufikojnë burimin e të ardhurave....shteti mund t'i shembë

Administrimi i pasurive të konfiskuara me vendim Gjykate, do t;i kalojë për menaxhim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë.

Por më këtë ligj, të gjithë ato prona, banesa apo bizneseqë janë faktuar se kanë burim të paligjshëm të të ardhurave, do të prishen. 

"Të gjitha banesat dhe ambientet private për të cilat do të ketë një vendim përfundimtar konfiskimi sepse nuk justifikohen nga burime të ligjshme ose janë krijuar ose fituar nga burime të aktivitetit të krimit dhe ndërtimit dhe struktura e tyre arkitektonike e lejon prishjen pa sjellë dëme në pasuri të tjera", thuhet në draft.

Ora 16:07
Kriminelët nuk do t'i kamuflojnë dot pasuritë tek të afërmit e tyre, do të quhen regjistrime fiktive dhe do konfiskohen

1574698178_kontratafiktive.jpg

Të shumtë janë ata që pasuritë e pajustifikuara, me para të krimit, i kalojnë në emër të familjarëve e të arfërm të tyre përmes regjistrimeve fiktive. Por ligji Anti KÇK do të prekë edhe këtë kategori. 

"Kur organet që iniciojnë dhe kryejnë hetimet konstatojnë se asestet ose pasuritë objekt i hetimit janë regjistruar, tjetërsuar ose transferuar në mënyrë fiktive tek personat e tretë me vendimin e konfiskimi Gjykata shpall edhe pavlefshmërinë e aktit të regjistrimit, tjetërsimit apo transferimit të objekteve të hetimie të dhe të drejtave reale mbi to", thuhet në nenin 23 të draftit.

Kështu, kalimi i këtyre pasurive në pronësi të personave të tretë deri në dy vitet e fundit, do të quhet i pavlefshëm dhe do të konfiskohet nga Gjykata.

"Për qëllime të pikës 1 të kësaj dispozite, derisa të vërtetohet e kundërta, do të supozohet se janë fiktive dhe transferimi dhe fitimi i çdo titulli pronësie përgjatë dy viteve të fundit nga paraardhësit, pasardhësit, bashkëshortit, bashkëjetuesit si dhe të afërmve deri në shkallën e katërt. Transferimi dhe fitimi i çdo titulli pronësie, pa pagesë ose të kryer në mirëbesim nga subjektet e këtij ligji."

Ora 15:50
'Jam pasuruar si pasojë e evazionit fiskal', askush nuk do të shpëtojë nga anti KÇK!

Sa i përket konfiskimit të pasurisë së eksponentëve të krimit të organzuar, ligji anti KÇK qartëson se "në asnjë rrethanë subjektet e këtij ligji nuk mund të përdorin si argument apo provë se të ardhurat për krijimin apo fitimin e aseteve dhe pasurive objekt hetimit, janë burim i evazionit fiskal".

Kështu, të gjithë ata që mund të thonë se pasurinë në biznesin e tyre (pjesën që nuk justifkojnë) e kanë si pasojë e mos lëshimit të kuponit tatimor ose mos shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit, nuk do të shpëtojnë, pasuritë e tyre do të konfiskophen dhe ata do të kthehen në subjekt të ligjit.

Ata nuk do të kenë më mundësi të paguajnë borxhin ndaj shtetit, siç mund të kenë vepruar deri më sot, por do të bëhen drejtpërdrejt objekt i këtij ligji. 

Ora 15:35
Edhe dhuna sportive në sitën e anti KÇK-së...kush merr pjesë në to, u sekuestrohet pasuria

Ndaj eksponentëve të krimit të organizuar, subjet i anti-KÇK-së do të merren edhe masa parandaluese me karakter pasuror, që do të thotë se kur ka dyshime të arsyeshme policia do të sekuestrojë pasurinë e tyre. Nëni 14 i këtij drafti thotë se do tu ngrihen burimet ekopnomike, edhe atyre të cilët "mund të lehtësojnë në cdo mënyrë, me veprimet ose mosveprimet e tyre, subjektet që marrin pjesë aktive në akte dhune me rastin ose për shkak të ngjarjeve sportive". 

Pasuria mund tu sekuestrohet "personave fizike dhe juristikë të njoftuar nga Komiteti i Sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ose një organi tjtër kompetent ndërkombëtar, për të urdhëruar ngrirjen e forndeve ose burimeve ekonomike, kur ka dyshime të arsyeshme për të besuar se fondet ose burimet mund të shpërndarhen, fshihen ose përdoren për financimin e organizatave ose aktiviteteve terroriste, përfshirë ato ndërkombëtare".

Subjekte të bllokimit të pasurisë janë të gjithë ata për të cilët:

Ka dyshime se janë të përfshirë në aktivitete me objekt krimin e organizuar, krimet e rënda dhe terrorizmin.
Ka dyshime se standardi i jetesës nuk është i justifikuar nga burime të ligjshme, por nga të ardhura të veprimtarisë së krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit. 
Janë dënuar me vendim të formës së prerë në Shqipëri për vepra penale sipas dispozitës së nenit 3
Janë dënuar me vendim të formës së prerë në një shtet të huaj për vepra penale sipas dispozitës së nenit 3 apo të ngjashme sipas legjislacionit të huaj
Personave të cilët kanë rekorde të mëparshme kriminale dhe për të cilët ka dyshime se me veprimet ose mosveprimet e tij kanë për qëllim cënimin e sigurisë publike dhe kombëtar
Subjektet juridike për të cilët ka dyshime se ndihmojnë, përfitojnë ose financojnë në veprimtarinë e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizimit

Ora 14:52
Eksponentët e krimit të organizuar kontrolle të imtësishme në aeroport për çdo-hyrje dalje nga Shqipëria, u kufizohet dalja jashtë qytetit

1574698097_aereoport.jpg

Ndaj eksponentëve të krimit të organizuar që do të jenë subjekt i Anti-KÇK-së do të merren një sërë masash personale parandaluese nga Policia e Shtetit. Neni 6 i draftit cakton se nëse do të dalin dhe kthehen në Shqipëri, do t'i nënshtrohen një ''verifikimi të hollësishëm'' nga Policia e Shtetit në pikën e kalimit kufitar. Këtyre personave mund t'i ndalohet edhe përdorimi i një sërë mjetesh, si radio, makina të blinduara apo pragrame kompjuterike për kriptimin e bisedave dhe mesazheve. Po ashtu, këtyre eksponentëve të krimit të organizuar do t'i ndalohet jo vetëm dalja jashtë shtetit kur është e nevojshme, apo nga qyteti apo qarku, por do të ketë zona të caktuara ku këtyre personave nuk do u lejohet të shkelin brenda qytetit të tyre të banimit.

"Për të gjithë subjektet e këtij ligji, Policia e Shtetit mund t'i kërkojë institucioneve kompetent ndalimin e posedimit ose përdorimit pjesërisht ose plotësisht të çdo pajisje komunikimi që transmeton radio, radar dhe syze për shikimin e natës, veshje dhe aksesorë për mbrojtje balistike individuale, mjete transporti të blinduara ose të modifikuara për të rritur fuqinë e tyre ose aftësinë, ose në çdo rast të dizajnuar për të shmangur kontrollet e policisë, armë dhe riprodhime armësh të çdo lloji, përfshirë lodra që riprodhojnë armë, instrumente të tjera të afta për të spërkatur lëngje irrituese ose përzierje e papërshtatshme për të shkaktuar dëme tek njerëzit, produkte piroteknike të çdo lloji, si dhe substanca të ndezshme dhe mjete të tjera të përshtatshme që shkaktojnë lëshimin e flakëve si dhe programet kompjuterike apo mjete të tjera që shërbejnë për kriptimin e bisedave dhe mesazheve.

Për të gjithë subjektet e këtij ligji Policia e Shtetit mund të urdhërojë kufizimin e perimetrit të lëvizjes së tyre, brenda një zone administrimi, qyteti apo qarku të caktuar në Republikën e Shqipërisë, urdhër i cili duhet të vlerësohet nga Prokuroria/Gjykata brenda 48 orëve", thuhet në draft. 

Ora 14:50
91 vepra penale! Kush do të preket nga ligji Anti-KÇK: Nga kriminelët, tek prokurorët e gjyqtarët, politikanët dhe korrupsioni në zgjedhje

1574698980_veprapenale.jpg

Ligji Anti-KÇK do të gjejë zbatim në të gjitha rastet kur policia ka dyshime të arsyeshme për kryerje të një sërë veprash penale, që përfshijnë nga krimet e rënda, si vrasje, pengmarrje, vrasje e policëve, kanosje, shfrytëzim prostitucioni, vjedhje bankash, skema mashtruese piramidale, e deri tek mashtrimi në subvencione apo evazion fiskal.

Pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji do të jenë edhe politikanët, zyrtarët e lartë, dhe ata që bëjnë korrupsion në zgjedhje, përmes nenit  328 "Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe nenit  328/a "Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore".

Në këtë draft përfshihet edhe pjesa për prokurorët dhe gjyqtarët në veprat penale Shpërdorimi i detyrës, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë dhe Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.

Trafikimi i drogës, i armëve, ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, importimi i ushqimeve të rrezikshme për shëndetin, kontrabandë, falsifikime, veprime për qëllime terroriste, kanosje, krijimi i turmave të armatosura, etj, janë disa nga veprat e tjera penale ku ky ligj do gjejë fushë zbatimi.

Subjekte të masave dhe procedurave të cilat parashikohen në këtë ligj do të jenë të gjithë ata për të cilët: "Subjektet juridike për të cilët ka dyshime se ndihmojnë, përfitojnë ose financojnë në veprimtarinë e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizimit", thuhet në nenin 5/f.

Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen ndaj personave për të cilët policia ka dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale sipas neneve:

Neni 76
Vrasja me dashje

Neni 77
Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër. Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër

Neni 78
Vrasja me paramendim.

Neni 79
Vrasja në rrethana të tjera cilësuese

Neni 79/a
Vrasja e funksionarëve publikë

Neni 79/b
Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

Neni 79/c
Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Neni 109
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit

Neni 109/b
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë

Neni 109/c
Zhdukja me force

Neni 110/a
Trafikimi i personave të rritur

Neni 114/a
Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese

Neni 114/b
Trafikimi i femrave

Neni 117 /3
Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi, ose bindja e një fëmije, për të marrë pjesë në shfaqje pornografike

Neni 128/b
Trafikimi i të miturve

Neni 134/3
Vjedhja me pasoja të rënda

Neni 135
Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën

Neni 136
Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit

Neni 138/a
Trafikimi i veprave të artit dhe kultures

Neni 139
Vjedhja me dhunë

Neni 140
Vjedhja me armë

Neni 141
Vjedhja me pasojë vdekjen

Neni 141/a
Trafikimi i mjeteve motorike

Neni 143/a
Skemat mashtruese dhe piramidale

Neni 143/b
Mashtrimi kompjuterik

Neni 144
Mashtrimi në subvencione

Neni 144/a
Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar

Neni 151
Shkatërrimi i pronës me zjarr

Neni 152
Shkatërrimi i pronës me eksploziv

Neni 153
Shkatërrimi i pronës me përmbytje

Neni 164/a
Korrupsioni aktiv në sektorin privat

Neni 164/b
Korrupsioni pasiv në sektorin privat

Neni 172
Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës

Neni 183
Falsifikimi i monedhave

Neni 184
Falsifikimi i letrave me vlerë

Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve

Neni 186/a
Falsifikimi kompjuterik

Neni 189
Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave

Neni 197/a
Paracaktimi i rezultateve në garat sportive

Neni 202
Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër

Neni 230
Vepra me qëllime terroriste

Neni 230/a
Financimi i terrorizmit

Neni 230/b
Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin

Neni 230/c
Dhënia e informacioneve nga persona që ushtrojnë funksione publike ose në ushtrim të detyrës a profesionit

Neni 230/ç
Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur

Neni 231
Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit

Neni 232
Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 232/a
Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 232/b
Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste

Neni 233
Krijimi i turmave të armatosura

Neni 234
Prodhimi i armëve luftarake

Neni 234/a
Organizata terroriste

Neni 234/b
Banda e armatosur

Neni 244
Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 245
Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

Neni 248
Shpërdorimi i detyrës

Neni 259
Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike

Neni 259/a
Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë

Neni 260
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Neni 265
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve

Neni 265/a
Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj

Neni 265/b
Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj

Neni 278
Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit

Neni 278/a
Trafikimi i armëve dhe i municionit

Neni 282/a
Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse dhe helmuese

Neni 282/b
Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme

Neni 283/a
Trafikimi i narkotikëve

Neni 283/b
Krijimi i lehtësirave për marrjen dhe përdorimin e drogës

Neni 284
Kultivimi i bimëve narkotike

Neni 284/a
Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale

Neni 284/b
Ndihma në zbulimin e krimeve

Neni 284/c
Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope

Neni 284/ç
Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm I prekursorëve

Neni 287
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

Neni 287/b
Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale

Neni 288
Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve

Neni 298
Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve

Neni 312
Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit

Neni 319
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë

Neni 319/a
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

Neni 319/b
Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj

Neni 319/c
Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja

Neni 319/ç
Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

Neni 319/d
Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare

Neni 319/dh
Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj

Neni 319/e
Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja

Neni 328
Korrupsioni aktiv në zgjedhje

Neni 328/a
Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore

Neni 333
Organizata kriminale

Neni 333/a
Grupi i strukturuar kriminal

Neni 334
Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal