Fileto pule me domate dhe mozzarella
Përbërësit:
500 gr fileto pule
kripë dhe piper të zi
4 lugë gjelle vaj ulliri
2 thelpinj hudhër
400 gr domatë qershi
1 degë borzilok
2 lugë gjelle uthull balsamik
200 gr mozzarella
Përgatitja:
Fillimisht e presim fileton në feta të holla dhe e marinojmë me kripë dhe piper të zi. Në një tigan të thellë ngrohim 4-5 lugë gjelle vaj ulliri, hedhim filetat e pulës dhe i skuqim për 2-3 minuta nga secila anë deri sa të zverdhen lehtë. I largojmë nga zjarri dhe i lëmë mënjëanë. Në po atë yndyrë që skuqëm filetot e pulës, shtojmë hudhrat të grira imët, i lëmë një minutë dhe menjëherë shtojmë domatet e prera në 1/2 ose 1/4 (varet nga madhësia. Nëse do t'i gatuani me domate fushe duhet t'i qëroni lëkurën dhe t'i prisni në feta.) Përziejmë domaten për 5 minuta dhe shtojmë disa gjethe borzilok. I përziejmë. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe vendosim në tigan copat e filetos të skuqura dhe i spërkasim ato me 1 lugë gjelle uthull balsamike. I kthejmë copat e filetos që të marrin shije nga të dyja anët. Presim mozzarellën në feta 0.5 cm dhe mbulojmë me të copat e filetos. I mbulojmë me kapak dhe i lëmë në temperaturë të ulët derisa mozzarella të shkrijë dhe të mbulojë mishin. Largojme tiganin nga zjarri. Servirim fileton duke e zbukuruar me gjethe borzilok dhe duke e spërkatur serish me pak uthull balsamike.