Sinjale nga disa deklarata ditët e fundit të krerëve të mazhorancës duket se po çojnë drejt një dialogu politik të kryeministrit Edi Rama me një pjesë të protestuesve. Një grup që sipas qeverisë përfaqëson shqetësimet reale që nxorën shumicën e njerëzve në shesh, përballë një grupi dhunuesish që po i përdorin.
***
Një anë e paqtë me shqetësime reale, një anë e dhunshme mes shumë nëngrupeve organizatore me interesa dashakeqe për vendin. Dy anë të protestës, që shumica qeverisëse thotë se tashmë, ndarjen, e kanë shumë të qartë.
Nga të parët është marrë një mësim, se zëri i brendshëm i tyre ndoshta nuk ka depërtuar si duhet në të gjitha hallkat e pushtetit, e si i tillë, i sinqertë, duhet dëgjuar.
Të dytët, për mazhorancën në pushtet, janë pjesa që dalëngadalë do të vetëshkatërrohen.
“Në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin. Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shëmbëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërrmohet në çika”, do të shprehej kryeministri në një reagim për protestën më 30 qershor.
Po diçka duket që po ndodh: A mos është gati nisja e një dialogu politik midis pjesës së moderuar të protestës dhe qeverisë?
Sinjalet për këtë, janë rritur kohët e fundit në qëndrime të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama, në intervista brenda e jashtë vendit
“Si kryeministër e konsideroj këtë protestë një mesazh të rëndësishëm për mua dhe për qeverinë time. Po dëgjoj dhe po përpiqem ta kuptoj këtë mesazh me shumë kujdes, duke u përpjekur të kuptoj shqetësimet, ankthet, shpresat që i sollën njerëzit aty”, do të shprehej kryeministri, më 1 korrik, nga një samit për inovacionin në Gjermani
Se ulja në tryezë me grupin që në protestë ka përfaqesuar vërtetë interesat e qytetarëve është e afërt, e shprehu më qartë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nga kuvendi, kur jashtë tij, një pjesë protestuesish sulmuan me gurë forcat e policisë e goditën me vezë e miell makinat e deputetëve socialiste, (në një tentativë për t’i zënë pritë nga të gjitha rrugë-daljet nga godina e ligjvënësve derisa policia i shpërndau.
“Partia Socialiste e Shqipërisë, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë. Protestuesit e vërtetë sot ndahen: qytetarët që mbushën bulevardin, dhe një grup kriminal, me persona me precedent të rrezikshëm penal”, u shpreh Balla, më 2 korrik.
Një mesazh kundër kërkesave radikale dhe mbylljes ndaj dialogut, ka ardhur mbrëmë edhe nga një personazh që ka qenë gjithmonë nga ana e protestuesve, avokati Dorjan Matlija, drejtori ekzekutiv i ResPublika, një OJF e njohur në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut
“Distancohem nga ata që po përpiqen ta marrin peng dhe po e dëmtojnë protedtën. Distancohem nga fantazitë institucionale të analfabetëve kushtetues të veshura me flamur patriotik, nga kuvendet imagjinare, qeveritë teknike të shpikura. Nuk pranoj t’u bëj drafte, nene dhe teknikalitete ligjore ideve të paqarta të atyre që vetëshpallen ideologë”, shkroi ndër të tjera, avokati Matlija.
Një sinjal që Kryeministri e ka marrë menjëherë duke e komentuar si rrugën e duhur drejt një dialogu politik.
“Hap konstruktiv në drejtimin e duhur. Temat e “natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit” ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet: Dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare”, iu përgjigj kryeministri Rama
Protesta ka më shumë se një muaj që mbahet, në nisje me simbol flamingon kundër idesë për tu zhvilluar një resort turistik në Zvërnec, por që rrugës devijoi kundër establishmentit politik, përmbysjes së sistemit e madje deri në platforma utopike kundër rendit kushtetues në vend.
Komente










kush negocion me kete qeveri eshte tradhetar dhe nuk perfaqson protesten por interesat e veta personale. ka vetem nje rruge per te ulur tensionet TE JAPE DOREHEQJEN
Përgjigju