MALIQ- Fermerët e Drithasit në Maliq po përballen me dëme të rënda në kulturën e misrit, si pasojë e përhapjes së rrënjëngrënësit, nje lloj insekti i rrezikshem qe eshte perhapur ne dhjetera hektare.
Fermeri Petrit Ymeri tregon se kjo ka ardhur si pasojë e përmbytjeve pasi fushat kanë mbajtur shumë lagështirë.
“Toka duhet të punohej dhe të rrinte pak kohë, të merrte diellin. Ne e korrëm në prill se kishte qëndruar e përmbytur. Pastaj brenda pak ditësh u bë plugimi, frezimi dhe mbjellja”, u shpreh Ymeri.
Më tej shpjegon se larvat kanë ngrënë rrënjët e bimës, duke bërë që misri të thahet e të mos arrijë të formojë kallirin.
“Këtë vit ka hyrë një krimb, ngaqë u përmbyt toka dhe ka marrë një infeksion të rëndë. Ia ka ngrënë rrënjën misrit dhe tani bie, thahet, nuk nxjerr kallinj. Është i mbaruar i gjithi”, tha më tej.
Fermeri ka kultivuar 9 ha misër dhe ka shpenzuar rreth 1.4 milione lek që tashmë kanë shkuar dëm. Ai shprehet se specialistët e bujqësisë kanë konstatuar dëmet por nuk kanë dhënë zgjidhje.
“Dëmi deri tani llogaritet mbi 70%. Kemi njoftuar edhe strukturat e bujqësisë, erdhën e panë, por nuk ka shumë mundësi për ta luftuar. Kërkojmë ndihmën e shtetit, të na thonë çfarë të përdorim dhe si të veprojmë”, tha fermeri.
Të njëjtin shqetësim shpreh dhe fermerja Bike Ymeri, e cila ka kultivuar 17 dynymë me misër dhe këtë sezon nuk pret të marrë prodhim.
“Krimbi i ka rënë. Këtë vit nuk marrim prodhim, shikojeni vetë si është. Dëmtimi mendoj se ka ardhur nga përmbytja dhe kanalet. Nuk ka ndodhur më parë. Më parë na ka rënë miza, e kemi bërë me ilaç, por raste të tilla nuk kemi pasur. Këto janë të ardhurat tona. Djali ka katër fëmijë, këtu e mbajmë familjen. Unë jam 77 vjeç dhe gjithë jetën kam punuar. Si mos të më vijë keq për mundin”, tha fermerja.
‘Diabrotica Virgifera’ është një nga dëmtuesit më të rrezikshëm të misrit. Larvat e tij ushqehen me rrënjët e misrit, ndersa kur rriten behen si ‘brumbuj’ dhe ushqehen me gjethet e misrit. Jashtë kamerave, zyrtare te bashkise Maliq thane se jane prekur rreth 50 hektarë dhe shkalla mesatare e demit shkon ne 30 per qind. Si zgjidhje ata permendin sperkatjen dronë por ky sherbim nuk ofrohet nga shteti, ndaj fermeret duhet te paguajne ne privat. Sperkatja ajrore me preparate kushton 650 lekë për dynym, kosto kjo qe nuk mund te perballohet nga te gjithë fermeret.
Komente










