Italia kërkon ekstradimin e kokave të klanit ‘Farruku’, 2 vëllezërit vetëdorëzohen në polici, Gjykata e Durrësit u cakton 'arrest shtëpie'

DURRËS -  Kreshnik Farruku, i njohur si kreu i klanit "Farruku' së bashku me vëllanë e tij Erneo Farruku, do të presin në 'arrest shtëpie' ekstradimin drejt Italisë ku do të gjykohen për akuzat  'Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike".

Vendimi u mor sot (7 janar 2025) nga gjykata e Durrësit e cila miratoi arrestin e përkohshëm të 51 vjeçarit i njohur dhe me emrin Kreshnik Budlla, për të cilin Gjykata e Brescias në Itali më 29 gusht 2024 kishte caktuar masën 'arrest me burg'.

Dy vëllezërit Kreshnik dhe Erneo Farruku, pjesë e klanit “Farruku” u vetëdorëzuan në policinë e Durrësit pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

 'Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasit Kreshnik Budlla alias Kreshnik Farruku, 51 vjeç dhe Erneo Farruku, 37 vjeç (vëllezër), të dy banues në Durrës, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Organizata kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike". Këta 2 shtetas janë vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e tyre, në Itali.', informoi sot policia e Durrësit.

Kreshnik Farruku njihet si kreu i klanit dhe përdorte 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë. Ndërkohë në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme i konfiskoi 27 pasuri të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.

Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.

Dy vëllezërit akuzohen se drejtonin klanin Farruku, grup që u godit në Spanjë në vitin 2023 pas një megaoperacion kundër trafikut të kokainës ku u sekuestrua 2 ton kokainë . Dyshohej se kokaina ishte porositur nga klani Farruku në Ekuador dhe do futej në Spanjë.

Kreshnik Farruku është shqiptari që kishte përdorur 10 emra për t’i shpëtuar drejtësisë.  Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku, ose Kreshnik Buddlla, u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.

Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Emri i Farrukut doli së fundmi edhe në komunikimet e “SkyEÇ” në dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Nga bisedat e transkriptuara, ish-deputeti i jepte informacione sekrete që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e SHISH. 

Vendimi i Gjykatës së Durrësit, 7 janar 2025

'1. Miratimin e arrestit të përkohshëm të shtetasit Shqiptar K. B. alias S. F. (K.), i biri i R. dhe Xh., i datëlindjes 1974, pasi Gjykata e Brescia, Itali me vendimin Nr. 12042/2020 RGNR-5352/2021 RI GIP, datë 29.08.2024, ka caktuar ndaj tij në masën e sigurimit “Arrest në burg”, si të dyshuar për veprat “Organizat kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” parashikuar nga legjislacioni penal Italian.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim K. B. alias S. F. (K.), masë e cila do të ekzekutohet në banesën e tij të ndodhur në Rruga “F. N.”, A.,  M., Durrës, (sipas deklarimit të tij në seancë).
3. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot në Durrës, më datë 07.01.2025.', thotë vendimi i Gjykatës së Durrësit.

G.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • zakarel zaka: 07/01/2025 12:29

    shko te juri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Lazio lë të lirë Elseid Hysajn me një kusht, mbrojtësi gjen akordin me klubin e ri

Lazio lë të lirë Elseid Hysajn me një kusht, mbrojtësi gjen akordin me klubin e ri