Kur në vitin 2108, në prag të zgjedhjeve, shkova të takoj Agnes Heller në shtëpinë e saj në Budapest, filozofja e “nevojave radikale” ishte e tërbuar. “Viktor Orbán”, më tha, “ka shfuqizuar lirinë e shtypit, abuzon me fondet europiane për të pasuruar familjarë dhe miq, ndërsa shkollat dhe shëndetësia publike janë në një gjendje të dëshpëruar. Dhe pastaj do të kontrollojë edhe kulturën: e di që në të vetmin libër historie që përdoret në gjimnaze, ka një kapitull të dedikuar atij? Nuk e kishte bërë as Janos Kadar, në kohën e regjimit komunist. Orbán tashmë është një tiran.”

Heller vdiq në vitin 2019, në moshën 89-vjeçare. Tirania e Orbánit i mbijetoi, madje edhe më e shfrenuar dhe pa skrupuj, përtej oksimoronit të “demokracisë joliberale”. Por po të ishte ende mes nesh, do të ishte gëzuar për rezultatet e një vote që i dha fund anomalitetit hungarez në zemër të Europës.

Në 16 vjet, Viktor Orbán e ka shndërruar Hungarinë në një vend ku mediat i nënshtrohen censurës, të drejtat e opozitës shkelen, drejtësia i përgjigjet qeverisë, pakicat etnike përndiqen, ndërsa ato LGBTQ në fakt persekutohen. Një rrëshqitje ndaj së cilës Europa për vite me radhë ka qëndruar indiferente dhe e shpërqendruar, ndonjëherë duke e qortuar, shpesh duke e ledhatuar, falë asaj që për Orbánin ishte një lloj police sigurimi: anëtarësimi në PPE, Partinë Popullore Europiane, nga e cila doli vetëm në vitin 2021 për të shmangur përjashtimin, si dhe mbrojtja e veçantë e Angela Merkelit, e cila këmbëngulte ta shihte ende tek ai rebelin e ri liberal që kishte udhëhequr sulmin përfundimtar kundër komunizmit.

Po, sepse Viktor Orbán nuk ka lindur tiran. Përkundrazi, tiranët e socializmit real i ka luftuar në revolucionin e vitit 1989, kur u bë figurë shpëtimtare e lëvizjes demokratike. Aq karizmatik dhe brilant ishte, sa filantropi hebreo-amerikan me origjinë hungareze George Soros vendosi të financojë partinë e tij të sapokrijuar, Fidesz, dhe t’i paguajë një bursë studimi në Oksford për një kërkim mbi shoqëritë civile të Lindjes. Me kalimin e viteve do të pendohej hidhur.

I kthyer në atdhe dhe i zhytur në politikë, Orbán u zgjodh kryeministër në vitin 1998 në krye të një koalicioni liberal-demokratik. Ishin vitet kur Hungaria hyri në NATO dhe kryeministri kërkoi anëtarësimin në Bashkimin Europian, që u realizua në vitin 2004. Por në vitin 2002 u mund nga një ish-figurë e rëndësishme komuniste, Ferenc Gyurcsány, i shndërruar në socialist demokrat.

I mundur sërish në vitin 2006, Orbán u betua se nuk do të humbiste më kurrë: “Na mjafton të fitojmë një herë, pastaj do të dimë çfarë të bëjmë”, tha në një fjalim me dyer të mbyllura që mediat hungareze, atëherë ende pa censurë, e zbuluan. Duhej të priste deri në vitin 2010, kur socialistët u përmbysën nga skandalet dhe recesioni, duke i dhënë një fitore dërrmuese dhe shumicën prej dy të tretash në Parlamentin e Budapestit, që i mundësoi të ndryshonte Kushtetutën.

Metamorfoza ishte e plotë. Nga tribun liberal, u rishpik si kampion i një beteje qytetërimi: Zoti, atdheu dhe familja kundër “aleancës së shenjtë të burokratëve të Brukselit, mediave progresiste dhe kapitalit ndërkombëtar”. E bëri nga bindja apo nga oportunizmi, siç sugjeroi Neë York Times, duke zënë hapësirën bosh në të djathtë të skenës politike hungareze? Sido që të jetë, Viktor Orbán riformësoi zonat zgjedhore në favor të Fideszit, mbushi Gjykatën Kushtetuese me besnikë, krijoi një organ qendror për mediat të kontrolluar nga qeveria, largoi nga universitetet qindra profesorë, ndryshoi drejtorët e teatrove me njerëz të besuar. Madje, në një “kleptokraci” de facto ku qeveria kontrollon të gjithë ekonominë, Orbán ka përdorur (dhe përdor) fondet europiane (50 miliardë euro midis 2004 dhe 2024) për të financuar, siç thoshte Agnes Heller, të afërm dhe miq të miqve.

Momenti i tij i vërtetë i lavdisë ishte në vitin 2015, me mbërritjen e mijëra refugjatëve sirianë, të cilët nga Greqia përpiqeshin të arrinin në Gjermani duke kaluar nëpër Maqedoni, Serbi, Hungari dhe Austri. Orbán fillimisht i bllokoi, pastaj i lejoi të largoheshin kur kancelarja Merkel njoftoi se nuk do të mbyllte kufijtë gjermanë. Më pas mbylli kufijtë me tela me gjemba. Por mbi të gjitha nxiti histerinë popullore, duke e përshkruar valën migratore si një komplot të urryer, të orkestruar nga “një armik ndryshe nga ne, jo i drejtpërdrejtë por i tërthortë, jo i ndershëm por i përçmuar, jo kombëtar por ndërkombëtar, që nuk beson te puna, por spekulon me paratë”. Një përqendrim stereotipesh të antisemitizmit më të ndyrë, të përforcuara nga zgjedhja e mentorit të tij të dikurshëm, Soros, si kokë turku, i paraqitur si kreu i një komploti sistemik kundër Hungarisë.

Që nga ai moment, Viktor Orbán është bërë ylli polar, Fidel Castro i sovranizmit europian dhe botëror. Qëndrimet e tij për migrantët, mure, kthime mbrapsht dhe depërtime, janë bërë kryefjalë. Lufta në Ukrainë e ka zbuluar si pro-rus dhe shërbëtor të Putinit, ai që dikur i dëboi sovjetikët nga Budapesti në vitin 1989. Trump e bëri profetin e tij. Tani ka mbërritur në fund të rrugës. Por frika e vërtetë, siç paralajmëronte Marco Pannella për fashizmin, është se “orbanizmi”, i mundur si pushtet, të vazhdojë të dominojë si kulturë./Corriere della Sera