Yoram Frig nuk është rasti i parë që shtetasit Izraelitë bëhen objekt hetimi nga prokuroria dhe policia Shqiptare. Dy vite më parë, dy biznesmenë izraelitë të quajtur Amiran Dzanazhvili dhe Ofer Nimrodi, kanë vizituar Shqipërinë me shpresën se do bënin biznes të suksesshëm në këtë vend.
 
Ashtu si Yoram Frig, edhe ata kanë takuar të njëjtin biznesmen të njohur në Shqipëri, dhe më pas kanë filluar të kryejnë një seri të konsiderueshme transaksionesh bankare, duke blerë kompani nafte, baste sportive etj.
 
Të gjitha këto transaksione janë përqendruar në disa duar, ku Dzanazhvili dhe Nimrodi blenë kompaninë Xhoi-Lloto tek biznesmenët Shqiptarë Mark Frroku dhe Ervin Cenollari.
 
Por pa kaluar shumë kohë, kjo kompani falimentoi ndërkohë që njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Tiranës, ka nisur hetimet për pastrim parash. Momentalisht të kallëzuar për këtë çështje janë dhe biznesmenë Shqiptarë, të cilët kanë kryer transaksione bankare me dy shtetasit izraelitë.
 
Tashmë kompania Xhoi-Lloto ka pezulluar aktivitetin e saj tregtar. Pezullimi i kompanisë së basteve është bërë vetëm pak vite kur kjo kompani është blerë nga Dzanazhvili dhe Nimrodi tek dy shqiptarët Ervin Canollari dhe ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Mark Frroku.
 
Transaksionet bankare për blerjen e kësaj kompanie janë konsideruar të dyshimtë, kjo për shkak të origjinës të dyshimtë të eurove që u dhanë për blerjen e pronësisë së firmës së basteve në Shqipëri.
 
Mirëpo pas nënshkrimesh të një seri kontratash, Amiran Dzanazhvili në cilësinë e drejtuesit të kësaj kompanie, për shkak se disponon 85 për qind të aksioneve, ka vendosur të mbyllë thuajse të gjitha pikat e basteve në Shqipëri.
 
Ky veprim është kryer në 10 qershor të 2016, dhe fill pas këtij vendimi në 21 qershor të 2016 biznesmeni gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanazhvili ka autorizuar përfaqësuesin e tij Olger Priftin të pezullonte aktivitetin e kompanisë së basteve. Kjo lëvizje shihet si një vendim manovër i Dzanazhvilit dhe Nimrodit për të shmangur detyrimet tatimore ose për të shpallur falimentin e kompanisë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com