Rikthimi në mënyrë ciklike tek dhuna ndaj policisë dhe institucioneve, madje sa herë që ka seancë parlamentare në Kuvend, po tregon çdo ditë e më shumë se protesta e nisur për mbrojtjen e Flamingove, tashmë e ka mbyllur ciklin e vet dhe është drejt shuarjes së plotë!

Me një numër më të paktë pjesëmarrësisht mbrëmje pas mbrëmjeje, e varfëruar së tepërmi dhe nga koregrafia, nga fjalori i prezantuar në podiumin e improvizuar në atë shkallarën shtëpiake, kësaj proteste i është dashur që njëherë në javë sëpaku, t’i drejtohej dhunës, në rrekje për të gjetur një motiv që të justifikojë xhiron e përnatshme nëpër bulevardin qëndror të kryeqytetit!

Dhe kur mungon argumenti, kur mungon rezultati, kur mungon dhe ecurina normale për çdo lloj pune apo argëtimi, përfshirë këtu dhe protestën verore në kryeqytet, atëherë vendin e fjalës e zë ulërima dhe linçimi fizik e kibernetik , vendin e sjelljes normale e zë dhuna verbale neto, në rrjetet sociale e mbi të gjitha dhuna fizike, duke sjellë ditë pas dite rrudhjen e pjesëmarrjes por dhe të impaktit publik, i cili në ditët apo dy javët e para, kishte vërtetë një shtrirje të frikshme!

Tashmë gjithçka ka hyrë në shtratin apo në ‘ullukun’ e vet, duke na ‘interpretuar’ një ‘melodi’ aq të njohur në këto 36 vite me radhë, ‘melodi’ e cila është tërësisht e lexueshme për nga mënyra e interpretimit dhe shpërshfaqjes në sytë e publikut dhe për më tepër që i dihen dhe kulminacionet, mangësitë e mbylljet e herëpashershme! I dihet dhe rezultati, në fund të herës, me një fjalë!

E thënë në mënyrë të thjeshtë, në bulevard praktikisht tashmë ka mbetur pikërisht ‘palca’ e vjetër protestuesve në Shqipëri, të atyre që për 36 vite me radhë, sa herë që kanë qënë në opozitë, kanë ofruar protesta të dhunshme deri të përgjakshme, duke goditur institucionet, policinë dhe duke tentuar me të gjitha mënyrat për të prodhuar përballje  fizike e shkatërrimtare, vetëm e vetëm për të treguar se ‘janë gjallë’ dhe për të marrë vëmendjen e mediave të huaja!

“Flamingot” si zogj shtegtarë ‘fluturuan’ që nga fundi i qershorit, të fundit që ikën ishin ata të fillim-korrikut, duke e lënë protestën në duart e krye-ustait e të ustallarëve që mësuan prej tij, të cilët bënë atë që dinë më mirë: e shuan atë lëvizje që në fillim ishte shumë ndryshe nga protestat e tjera, duke e katandisur ‘revolucionin Flaming’ në një ‘kryengritje të armatosur paqësore’, e cila ishte në përbërje, në kompozim dhe intepretim imazhi ia pandryshuar me emrin Sali Berisha! Siç kanë bërë gjithnjë, që nga protesta për armët kimike e deri tek ajo studentore!

Revolucioni “Flaming’ u fik, pa arritur në fund të finishit të pretenduar. Megjithëse ditë pas dite, mungesa e një koke drejtuese, si dhe futja e duarve nga ana e  ‘Gardës Revolucionare” të Berishës dhe të Albin Kurtit, të VLEN, të Islamit politik nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të neomarksistëve, të këtyre vemjeve të reja të dala nga partitë e vjetra, të të zemëruarve me Ramën të cilët kishin qënë nëpër poste të larta por që ‘centrifuga’ e politikës i kishte nxjerrë jashtë lojës së pushtetit, s’ka pushtet të përjetshëm, pra të gjitha këto e kishin paralajmëruar një fund të tillë!

Aplikimi i dhunës ndaj institucioneve, ndaj policisë dhe bllokimi i akseve rrugore në kryeqytet vetëm sa e përshpejtoi rënien e kësaj proteste, që nisi me një pjesëmarrje të madhe dhe me axhendë të qartë, kuptohet edhe me sponsorë të huaj, për të destabilizuar vendin në prag të integrimit në BE, në kulmin e sezonit turistik dhe vetëm një vit para zhvillimit të samitit të NATO-s në Tiranë, por që dështoi! Për hir të së vërtetës, zgjati shumë, si pa motiv që ishte tashmë, duke goditur bizneset por dhe duke ulur tempin e rritjes së turizmit në Shqipëri!

Nuk ishte rastësi që gjithçka filloi për “Zvërnecin’, i cili u harrua për nja javë, dhe u kthye direkt në një lëvizje anti-Trump, anti-SHBA, duke tentuar të rikthente Shqipërinë në qendër ku e majta radikale dhe islami politik, tentoi të shfrynte kundërshtinë botërore kundër SHBA dhe presidentit Donald Trump! Jo pa qëllim në Tiranë mbërritën “Pasdaranët’ e Albinit, të cilët dhe me mbështetjen e ‘pasdaranëve’ të Berishës, neomarksistëve shqiptar e të rajonit, përfaqësuesve të islamit politik të frymëzuar nga Irani e nga Anadolli, tentuan rrëzimin e qeverisë së ligjshme shqiptare, për të sjellë një regjim të miksuar të ‘ajatollahëve’ dhe larguar edhe Shqipërinë nga Evropa e SHBA. Qoftë dhe me këto Kuvendet parapolitike që na kthenin në epokën e “gurit’!

Për fatin e mirë të Shqipërisë, shqiptarët, ‘të djegur nga qulli’, filluan ‘t’i frynin kosit’, duke e kuptuar qëllimin real të axhendave të huaja që fshiheshin  pas kësaj proteste të stërzgjastur, e cila ditë pas dite po binte në duart e ustallarëve të vjetër, e braktisën atë, duke shmangur përsëritjen e ngjarjeve tragjike ciklike që e kishin lënë vendin jo vetëm jashtë axhendave evropiane deri më tani, por e kishin zhytur herë pas here edhe në kriza të tmerrshme, që na kishin kthyer shumë e shumë vite pas, të shoqëruara me shkatërrimin e shtetit nga themelet si dhe humbjen e mijëra jetëve. Ndaj nuk donin të përjetonin më një zhbërje të re të Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Shqiptarët u distancuan në kohë, teksa panë rikthimin e grupeve të të fortëve nga Mamuurasi, Laçi dhe zona të tjera besnike të Berishës, të ‘miksuar’ me të fortët dhe kontigjentin e ‘debilëve’ të Albinit, të cilët e rikthyen protestën në ‘habitatin’ e vet, në arenën e ngritjes së tensioneve, përplasjeve të dhunshme me policinë, përndjekjes së zyrtarëve duke shfrytëzuar kontigjentin e të rrëshqiturve nga mendja, siç ndodhi dhe këtë të enjte, para Parlamentit!

Dhe nëse ka ndikuar diçka në shuarjen e kësaj proteste më shumë, ka qënë ai momenti kur shqiptarët kanë parë se këtë protestë e kanë marrë në dorë ‘pasdaranët’ e Berishës dhe të Albinit, të cilët kanë bërë dhe bëjnë atë që dinë më mirë: dhunën, në rastin më të mirë me vezë dhe në rastin më të keq me gurë, pllaka, fishekzjarrë dhe molotovë! Kjo i ka trembur dhe ata qytetarë që dilnin e protestonin paqësisht bashkë me familjet e tyre për hallet e tyre, për shqetësimet e tyre por dhe për keqkuptimet e tyre! Janë njerëzore dhe këto! Duke ia hequr elementin më të mirë kësaj proteste dhe duke e zhveshur atë nga qytetaria!

Edhe kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se kishte mbajtur shënime, kishte reflektuar për arsyet e protestës së “Flamingove’, atyre të parëve sidomos që ishin ngritur për mjedisin, për hallet e tyre e mbi të gjitha për t’u dëgjuar! Rama premtoi një kontratë të re “BESE’ me këta qytetarë shqiptarë  por dhe me të gjithë qytetarët shqiptarë që e duan me tërë mend këtë vend si atdheun e tyre, të cilët janë përballur me padëgjueshmërinë e institucioneve! Por ama, ‘pasdaranët’ e Berishës dhe të Kurtit, islami politik i mbështetur prej tyre, nuk përjashtohen dhe financimet në këtë ‘sektor’ nga qendrat rajonale e më gjërë të kësaj axhende anti-shqiptare, do të ndjehen çdo ditë e më shumë të izoluar në tentativën e tyre për t’i bërë të keqen këtij vendi!

Sikurse po ndodh, teksa ditë pas dite bulevardi po boshatiset! Madje dhe sponsorët e tyre e kanë humbur durimin me emisarët e tyre pa këllqe, pasi nuk arritën ta aplikonin me shpejtësi operacionin ‘Barbarosa’ apo ‘luftën rrufe’ për një fitore të shpejtë në Tiranë, në destabilizimin e vendit! Nuk sheh më nëna me fëmijë në protestë, i janë rikthyer jetës familjare, pasi marrja e drejtimit të protestës nga Berisha e ‘fiku’ shpresën për një rezultat të ‘revolucionit Flaming’!

Një ‘dorë’ në shuarjen e revolucionit e dhanë dhe këta krerët e partive të vogla, të cilët deshën të shfaqeshin mbi fuqinë e tyre! Madje dhe të pretendonin për postin e kryeministrit, teksa kanë apo nuk kanë mbështetjen sa për një mandat deputeti në zgjedhje! Megjithëse ‘oreksin’ e kanë më të madh se takatin! Këtu spikat kreu i Mundësisë Agron Shehaj, por dhe neomarksistët e Qorit si dhe këta të Lapajt! Të gjithë kandidatë për kryeministër! Madje Gonja pretendon se Rama e ka frikë aq shumë, sa nuk dëshiron ta ketë në sallën e Kuvendit! Anispse Gonja ishte i përjashtuar nga Kuvendi për një periudhë të caktuar kohore, shtuar këtu dhe arithemtikën e gabuar të vetë Gonës që kishte llogaritur ditët gabim! Siç e akuzojnë se është ngatërruar me këmbët e veta për blerjen 2.9 milionë euro të një vile në Itali dhe shitjen e saj pas një viti me 15 milionë euro! Temë e diskutuar kjo, derisa Gonja të japë një sqarim shterrues! Të shpresojmë për këtë!

Të gjithë këta faktorë ndikuan në shuarjen e protestës dhe kthimin në ngjashmëri me Foltoret e Berishës, me shumë pak njerëz, me shumë më pak elegancë, qytetari dhe efikasitet! Ndërkohë që ‘xhiroja’ e mbrëmjes vijon ditë pas dite, me ndonjë Flaming plastik nëpër të, zgjedhjet për pushtetin vendor të vitit të ardhshëm  duan dhe pak muaj që të zhvillohen! Pra vendi është futur në vitin elektoral, ndërkohë që opozita, ‘pasdaranë’, neomarksistë dhe më gjërë po humbasin kohë pa asnjë përfitim, bulevardit të Tiranës dhe studiove televizive! Me një fjalë pritet të hyjnë në zgjedhje si ‘ai në dasmë’, dhe kur të përballen me humbjen katastrofike të radhës, sërish do të fillojnë me alibinë e vjedhjes së votës! Këtu do të jemi! I njejti ‘film’ i njohur do të shfaqet! Do të ankohen dhe për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 2029, duke akuzuar Ramën pse fiton!