Kadare pas vdekjes/ Persida Asllani në 'Studio Live': Agresiviteti ndaj tij, inerci nga realizmi socialist! Mark Marku: Ishte disident estetik

Shkrimtari i madh Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 88 vjeçare. Vepra që la pas do të diskutohet gjatë, pasi gama e gjerë e krijuar nga shkrimtari është përkthyer në shumë gjuhë të ndryshme.

Në ‘Studio Live’, studiuesit Persida Asllani dhe Mark Marku diskutuan lidhur me këtë humbje të madhe të kombit shqiptar. Asllani thotë për Arbër Hitaj se Kadareja erdhi në një moment shumë kritik për letërsinë dhe artin shqiptar, duke e ridimensionuar atë.

'Mendoj se ardhja e Kadaresë në letërsinë shqipe ka qenë moment fatlum për letërsinë shqipe. Shfaqet në momentet më kritike në një presion të organizuar të realizmit socialist. Kishte shterur të gjitha potencialet krijuese. Në këtë moment djerrine, një brez i ri ku shkëlqen Ismail Kadare, flasim për vitet 60. Diktatura është vendosur dhe në piramidën e propagandës që synonte me realizmin socialist. Kontribut i Kadaresë i jashtëzakonshëm, duke thyer inercinë ku po shembej letërsia shqiptare. Kadareja e ridimensionon, i jep letërsinë shqipe një bashkëkohësi me letërsinë europiane. Është një pohim i lirisë, përmes një mënyre të shkruari letërsi.'

Marku thekson se Kadareja mbetet një fenomen letrar.

'Mendoj se në periudhën e komunizmit vepra e Kadaresë ka qenë ndoshta krejt në kundërshtim çfarë ofrohej nga letërsia propagandistike e realizimit socialist. Ishte një mundësit për të mbajtur lidhje me letërsinë e vërtetë. Mendoj se çdo vepër e Kadaresë ka qenë një lloj, mundësi e lexuesit shqiptar për të komunikuar me diçka krejt tjetër çfarë ofrohej nga sistemi.

Për letërsinë botërore është një nga shkrimtarët më të dalluar të shekullit të kaluar. Mes dy botëve qëndron ndërmjetësimi i veprës së Kadaresë, lexuesit me botën dhe botës dhe lexuesit. E shoh të rëndësishme si fenomen letrar. Ka qenë e vështirë të shkruaje këtë letërsi ku mbizotëronte realizmi socialist.'

Më tej, Asllani rendit disa vepra të rëndësishme të Kadaresë që e afrojnë atë me Oruellin dhe Kafkën.

'Në auditore nuk është e lehtë çfarë do të thoshte botimi i parë i veprës së Kadaresë. Ai potencial leximi që shkonte përtej leximit në pamje të parë ishte një pohim lirie për gjithsecilin që lexonte veprën e tij në diktaturë. Shoqëria shqiptare po i bashkohet atij leximi që është i ngjashëm me leximin e huaj, leximin universal. Një koncept i ri i rrëfimit. Me kompleksitete personazhesh.

Që nuk janë ajo bardh e zija e realizmit socialist. Me ligjërime shumë të detajuara, me një gjuhë të jashtëzakonshëm. Kadare hyn tek ata shkrimtarë që nuk janë të shpeshtë në letërsinë botërore. Ka ri shpikur gjuhën shqipe në një standard të ri estetik. Vepra shumë të rëndësishme është dhe Kronik në Gur. Kemi dhe Prilli i thyer, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, që e afron Kadarenë në atë format letrar që njohim botërisht Kafkën dhe Oruellin.'

Kadareja nuk u konformua me artin zyrtar të diktaturës thotë Marku dhe mund të quhet një disident estetik.

'Ka një debat që mund të ndahet: debat normal, figurë e tillë shkakton debate. Kjo është normale besoj unë. Ndërkohë një pjesë tjetër kërkon nga Kadareja atë çka ka qenë përtej misionit dhe natyrës së Kadaresë. Ka qenë kryesisht dhe mbi të gjitha shkrimtar. Dhe marrëdhëniet e tij me shoqërinë e ka ndërtuar si shkrimtar. Jeta e shkrimtarit në diktaturë është shumë e vështirë, nënkupton një farë konformizmi.

Duhet të mendojmë cili është produkti dhe është vepra e tij që është përtej diktaturës. Nuk mund të themi që ka qenë disident politik në konceptin klasik. Por është disident estetik. Nuk shkruante ashtu siç kërkonte regjimi. Këtu duhet ta kërkojmë Kadarenë  dhe për këtë është i dobishëm për shoqërinë. Të mos i nënshtroheshe regjimi ishte sakrilegj. Janë shkrimtar të rrallë që e kanë bërë. Ismaili është i tillë. Ka qëndruar misionit të tij si shkrimtar dhe ka prodhuar vepra të këtyre vlerave.'

Ndaj shkrimtarit ka pasur mjaft zëra që e kanë anatemuar edhe në rrjete sociale pas vdekjes, por Persida Asllani shprehet se kjo është inerci nga sistemi i kaluar.

'Duket sikur ka inerci në mënyrën si reagon shoqëria ndaj një shkrimtari. Inerci sociale për të vijuar me qasje agresive me të cilën realizmi socialiste i mësoi masat të reagojnë ndaj të tillë shkrimtarëve. Është vënie në presion, dhe kjo shpesh në instrumentat partiake përmes zërit të masave. Duke i dhënë zërin punëtorit të uzinës. Ndodhte që për romanin Dimri i Vetmisë së Madhe ka patur diskutime në nivel popullor. Ishin momente detyruese, manipulime për të krijuar situata presione ndaj shkrimtarit.

Ata autorë që dallonin me veprën e tyre, tek këta shkrimtarë ishte i madh dhe bëhej përmes vënies në spektakël të një diskutimi publik. Ndodhte nëpër mbledhje kolektivash të klasës punëtore, fshatra, organizatat e rinisë. Kjo që ndodh sot, është kërkimi i llogarisë. Duke tejkaluar etikën, respektin ndaj lirisë së krijimit. Kadare më ka thënë, arti është mizor, i tejkalon të gjitha edhe diktatorët.'

G.K/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund