'Koha për t’u kthyer në shtëpi', dokumentari i Admirina Peçit, një zë universal për fatin tragjik të 35.000 çamëve

'Koha për t’u kthyer në shtëpi', dokumentari i Admirina Peçit, një zë universal për fatin tragjik të 35.000 çamëve

“Edhe ëndrrat i shoh në Çamëri”...,- thotë një zonjë e moshuar, e djegur mallit për shtëpinë e saj të lindjes.

Ky është njëri nga sinkronet hyrëse të dokumentarit “Koha për t’u kthyer në shtëpi me autore Admirina Peçin, që të rrëqeth poetikisht, përpos dramës që vijon pas kësaj ligjërate.

Pashë njerëz që qanin në ekran. Pashë edhe shumë njerëz që qanin gjatë shfaqjes së kësaj premiere.  

Ka ardhur koha të kujtohet strategjia e çrrënjosjes së plotë të popullsisë shqiptare të Çamërisë e përdorur nga qeveria greke, që gjeneral Zerva e realizoi me zjarr e hekur në vitin 1944. Arkivat që flasin për fatin tragjik të mbi 35.000 çamëve të dëbuar nga Greqia, shpesh mbulohen nga pluhuri i interesave diplomatike të vendeve fqinje, rajonit dhe Europës.

Por, sado e sido që të fshihet, tragjedia ka peshuar e peshon në zemrat njerëzore.

Dikush duhet t’i thërras fort asaj kujtese, që fqinjët tanë rreken ta shurdhojnë me një propagandë të thekshme nacionaliste, duke vulosur prej gati 30 vitesh mijëra “non grata” për të gjithë çamët që duan të kthehen në rrënojat me jehona llahtarisjeje të shtëpive të tyre.

Në një situatë kaq të tendosur politike e diplomatike mes fqinjësh, ku nuk po hiqet dorë nga projekti tashmë 100- vjeçar i spastrimit etnik të shqiptarëve të Çamërisë në Greqi,  për ngjarje të tilla të frikshme duhet guxim për t’i kujtuar, e nëse nuk e kemi, duhet patjetër ta gjejmë forcën e këtij guximi.

Dhe ajo e ka kërkuar, e ka ndjerë në shpirt dhe ka guxuar, dhe e ktheu në ngjarje filmin “Koha për t’u kthyer në shtëpi”.

Është pikërisht gazetarja e njohur e Report TV, Admirina Peçi, autore e këtij dokumentari, e cila e ka realizuar me mbështetjen e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”.  

Premiera që u shfaq më 12 qershor 2024 në Kinema “Millenium” la mbresa tek shikuesit e shumtë, por edhe një ndjesi faji për indiferencën e gjithsecilit ndaj një tematike kaq të mprehtë, që autorja Peçi e ka trajtuar jo vetëm me guxim, por edhe me stilizime të spikatura teknike dhe artistike, të shprehur me perfeksionizëm në të gjitha skenat e xhiruara me figurantët, duke e ringritur figurativisht aq sfiduese skenën e ndalur të xhirimeve në Çamëri.  

Edhe pse dokumentari “Koha për t’u kthyer në shtëpi” dhe personazhet janë një zbulim i vyer për të qenë mjaftueshëm në rrëfimin e fakteve, në të gjithë premierën është e dukshme gjurma e lirisë krijuese dhe e skrupulozitetit profesional të Admirina Peçit.

Në fillim të krijimit të këtij dokumentari autorja ka ngritur skema mbështetëse të forta, me personazhet që ka intervistuar, siç janë dëshmitarët okularë, të moshuar e pasardhës të çamëve të Greqisë të mbetur ende gjallë pas atij gjenocidi epik në historinë e shekullit XX.

Të mbijetuarit e intervistuar që kishin ardhur në Shqipëri pas masakrave, japin dëshmi të dorës së parë, detaje rrëqethëse, orë, data, ditë jave, vende, ngjarje epike, emra të viktimave, por edhe emra të agresorëve.

Një mbështetje e themeltë është bërë kundrejt dëshmive okulare përmes intervistave me studiues të njohur e akademikë që kanë përshkruar dokumentacione dhe arkiva të tëra, duke e veshur filmin me petkun dinjitoz të shkrimit shkencor historik të ngjarjeve,  si dhe intervistat me diplomatët që kanë pasuruar vizionin e atij ngërçi ende të pashprehur dhe frustimit të viktimave.

Pas vendosjes së këtyre themeleve të dokumentarit autorja Admirina Peçi e ka zhvilluar filmin dokumentar me ilustrime të kërkuara arkivave dhe më gjerë.

Përmes zërit të saj autorja të kujton se Çamëria, kjo krahinë shqiptare, tetëdhjetë vite më parë përjetoi një ndër masakrat më gjakatare të shënuara në historinë e Ballkanit apo edhe të Europës dhe ende ngelet një plagë e dhimbshme e popullit shqiptar, e cila ka rënduar dhe e rëndon ende barrën e vuajtjeve të kombit tonë ndër shekuj.

Në sinkron me autoren, që kujdeset aq bukur për t;ju shmangur qëndrimit subjektiv, janë të intervistuarit:

Diplomati dhe studiuesi Irakli Koçollari, i intervistuar në këtë dokumentar rrëfen krimet e paimagjinueshme të kryera nga grekët, ku mes tyre, 170 fëmijë janë vrarë dhe hedhur në një përrua.

Historiani Pëllumb Xufi  pohon se llogariten të jenë dëbuar rreth 30 mijë çamë mes dy luftërave botërore.

Studiuesi dhe historiani Hasan Bello deklaron se listës së masakrave i shtohen rreth 2755 persona që vdiqën  prej urisë.

Përmes statistikave në ekranin e këtij dokumentari dëshmohet se ushtarë grekë, më 27 qershor 1944, dhunuan, torturuan, vranë e përçudnuan pa mëshirë qindra e mijëra gra e vajza, djem e burra, fëmijë e të moshuar.

Të gjitha këto, përfshi dhe konceptin e xhirimeve dhe të harmonizimit të situatave. janë inkuadruar në një mënyrë të tillë, sa e kanë gjallëruar skenën e filmit, duke na çuar sa më pranë realitetit të atyre ngjarjeve rrëqethëse.

Dokumentari “Koha për t’u kthyer në shtëpi”, pasqyron, pa pasur nevojën e asnjë artificialiteti skenik, saktë vuajtjet e çamëve, që autorja Peçi i ka “mbledhur” duke trokitur në dyert dhe zemrat e qytetarëve të Konispolit, nga të cilët më shumë se 60 persona kanë qenë pjesëtarë të skenave tragjike.

Ndërkohë që ngjarjet, rrëfenjat, faktet dhe historitë shfaqen në ekran, muzika e kompozitorit Endri Sina u jep emocion edhe gërmadhave të Çamërisë që kanë heshtur për dekada me radhë.  

Admirina Peçi ka shfrytëzuar me profesionalizëm të lartë të gjitha bashkëpunimet dhe ndihmën e veçantë për realizimin e këtij dokumentari nga Bashkia e Konispolit dhe shkolla “Bido Sejko”.

Në një vështrim afatgjatë, i bazuar në dëshmi të vërteta dhe skena ilustruese, ky dokumentar është një prekje e vërtetë e tragjedisë për të gjithë, edhe për ata që e njohin, edhe për ata që e shohin për herë të parë. I konceptuar kështu, ky dokumentar fiton universalitetin e prekjes së çështjes së gjenocidit kudo që ka ndodhur, në rajon, në botë, apo në skaje të largëtat të planetit.

Në vështrimin më afatshkurtër, premiera ishte një prekje në zemër të gjithkujt që e pa, derdhi lot dhe e duartrokiti fort.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    6 muaj mungesë në Kuvend për shkak të arrestit, a duhet t'i hiqet mandati Berishës?



×

Lajmi i fundit

'Bën mirë të mos kthehesh te Rubini', brigada ushtarake ruse kërcënon Mirlind Dakun

'Bën mirë të mos kthehesh te Rubini', brigada ushtarake ruse kërcënon Mirlind Dakun