/ATSH/.- Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, mirëpriti në shtabin e përgjithshëm të NATO KFOR-it në Prishtinë përfaqësuesen për gra, paqe dhe sigurí të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Marriet Schuurman.

Komandanti i KFOR-it dhe shkelqësia e saj Marriet Schuurman diskutuan tema të shumta që kanë të bëjnë me situatën e përgjithshme të sigurisë, zhvillimet e fundit në Ballkan dhe për rëndësinë e perspektivës gjinore si dimension.

Gjenerali Figliuolo tha se, "KFOR-i është mision i udhëhequr nga NATO-ja, ku perspektiva gjinore është integruar në planifikim të aktiviteteve operacionale, pasi që e konsiderojmë prioritet dhe çelës të rëndësishëm drejt suksesit".

Në njoftimin e dërgur sot theksohet se, aktivitetet e përditshme të KFOR-it, që realizohen nga Ekipet për Monitorim dhe Ndërlidhje, të përbëra nga të dyja gjinitë, sigurojnë kontakte me autoritetet vendore politike, shoqërore dhe fetare, si dhe me përfaqësuesit e grupeve etnike. Kjo barazi gjinore garanton sigurimin e informatave të plota rreth gjendjes në terren. Suksesi nga këto aktivitete, falë dimensionit gjinor të KFOR-it, i kontribuon dukshëm përmirësimit të marrëdhënieve në mes të të gjitha komuniteteve, si dhe përmbushjes së misionit të KFOR-it.

Gjatë vizitës së saj dje në kampin Film City, Schuurman kishte mundësinë që të diskutojë me përfaqësuesit e njësive vartëse të KFOR-it në lidhje me rëndësinë e perspektivës gjinore në misionin e KFOR-it.