Konferenca e lartë e Drejtësisë: Mesazhet kryesore, sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe shembulli i Shqipërisë me reformën në drejtësi

Konferenca e lartë e Drejtësisë: Mesazhet kryesore, sfidat e Ballkanit Perëndimor dhe shembulli i Shqipërisë me reformën në drejtësi

TIRANE - Konferenca e Lartë e ministrave të Ballkanit Perëndimor, vijon punimet me panelin e dytë ku po diskutohen hollësisht të gjitha qëndrimet që do të ndërmerren në vazhdim për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e saj të dytë, ministrja Etilda Gjonaj, u shpreh para homologëve të saj se Ballkani Perëndimor do të jetë një shembull pozitiv i bashkëpunimit rajonal në nxitjen dhe ndërmarrjen e reformave kyçe shtetformuese për qytetarët. 

Ajo tregoi disa nga detajet e punës që është bërë për reformimin e drejtësisë dhe shtyllat që po vetëqeverisin gjyqësorin. 

“Arkitektura e sistemit të ri të drejtësisë është projektuar për t’i shërbyer dhe ushqyer parimet e një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe të bazuar në meritokraci e llogaridhënie. Ai është ngritur mbi dy shtylla që vetëqeverisin gjyqësorin, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Këshillat filluan funksionimin në dhjetorin e vitit të kaluar, dhe në më pak se një vit, kanë ndërmarrë një sere procesesh të rëndësishme që lidhen me vetorganizimin, administrimin e gjykatave dhe prokurorive, si edhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të dy Këshillat, janë duke përfunduar procese të rëndësishme për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të gjykatave dhe prokurorisë së posaçme, si një instrument i fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, -tha ministrja e Drejtësisë. 

Gjonaj, siguroi se mbetet e gatshëm për të ndarë eksperiencën e Shqipërisë me çdo vend që beson se mund të përfitojë nga përvoja e këtyre viteve. 

“Reforma e thella në sistemin e drejtësisë, të nevojshme për të garantuar pavarësinë dhe paanësinë e sistemit, mund të realizohen vetëm nëse përfitojmë nga eksperiencat e njëri-tjetrit. Për këtë qëllim, pres me kënaqësi të dëgjoj ecurinë e reformave në secilin prej vendeve tuaja, për të mësuar më shumë mbi hapat që mund të ndërmarrë Shqipëria në këtë fushë. Gjithashtu, ne mbetemi të gatshëm për të ndarë eksperiencën tonë me çdo vend që beson që mund të përfitojë nga përvoja jonë e këtyre viteve në realizimin e një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë. Së bashku, jam e sigurt që Ballkani Perëndimor do të plotësojë, do të jetë një shembull pozitiv i bashkëpunimit rajonal në nxitjen dhe ndërmarrjen e reformave kyçe shtetformuese për qytetarët tanë”, -u shpreh Gjonaj. 

Ndërkohë, ajo nuk la pa përmendur edhe rolin  që kanë pasur partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për implementimin e saj të plotë. 

“Partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet misioneve të tyre të asistencës teknike, ishin po aq të përfshirë në këtë proces sa edhe ekpertët shqiptarë. Reforma kaq të thella, duan kohën e nevojshme për t’u realizuar dhe sjellë përfitimet e drejtpërdrejta për qytetarët. Unë jam e bindur që në krye të pak viteve, sistemi i drejtësisë në Shqipëri, dhe reforma që ne ndërmorëm, do të jetë një histori suksesi jo vetëm për vendet tona, por edhe vendet e tjera, që sot mund të jenë anëtare”, -nënvizoi Gjonaj. 

Më tej, ajo gjithashtu kujtoi se “Nëpërmjet reformës në drejtësi jo vetëm po ndërtojmë institucione të reja, të cilat do të mundësojnë baza të shëndosha për rekrutimin dhe karrierën e magjistratëve, por në të njëjtën kohë kemi ndërmarrë një proces shumë ambicioz sic është ai i pastrimit të sistemit nga ata të cilët e kishin shndërruar gjyqësorin në atë pikë, ku qytetarëve u kishte humbur besimi se do të gjenin drejtësi. Rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë po i nënshtrohen një procesi rivlerësimi profesional, etik dhe pasuror, proces i njohur ndryshe si vettingu. Deri më sot, pothuajse dy vite nga fillimi i këtij procesi, janë marrë pothuajse 200 vendime nga organet e pavarura të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve: Mbi 50 % e vendimeve kanë rezultuar me largimin nga sistemi gjyqësor të subjektit të rivlerësimit. Një ndër efektet e procesit të vettingut ishte më i dukshëm në gjykatat e juridiksioneve më të larta, Gjykatë e Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese”.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore