Kuvendi kunder heqjes së akcizës
së pijeve energjike, i bën "bllok"

Kuvendi kunder heqjes së akcizës<br />së pijeve energjike, i bën
TIRANE- Drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali ka shprehur qëndrimin e saj kundër heqjes së akcizës së pijeve energjike, duke u shprehur se deri më tani prodhuesit hiqnin nga produkti substancat për të cilat tatoheshin, duke mashtruar konsumatorin. Kështu, konsumatorëve u shiteshin pije freskuese, por me logon e pijeve energjike.
 
“Kanë mashtruar konsumatorin, kanë hequr elementë si taurinë dhe të tjera që i bënte pije energjike, dhe konsumatori ka shkuar të blerë pije energjike me të njëjtën logo, por në fakt është mashtruar. Ky është problemi!”, tha drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali.
 
Ndërsa deputeti Erjon Braçe tha: “Problemi është që duhet ta bëjmë të kufizuar në bashkëpunim me komisionin e shëndetësisë siç e kanë gjithë vendet e tjera që të mos lejohet konsumi nën 18-vjeç dhe ta shohin ata…”
 
Komisioni i Ekonomisë pritet të mos miratojë atë pjesë të paketës fiskale, e cila heq akcizën për pijet energjike. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe tha se ligji nuk do të kalojë nëse nuk vendosin kufizime për kompanitë që tregtojnë këto lloj pijesh. Edhe anëtarët e tjerë të komisionit, kërkuan informacione nga krerët e Tatimeve dhe Doganave se cilat ishin arsyet që gjatë 2014-s akciza për pijet energjike është realizuar përgjysmë.
 
“Nga 5 milionë dollarë që duhet të realizohej mbledhja e akcizës për pijet energjike, janë mbledhur vetëm 2.5 milionë dollarë. Cilat janë arsyet që kjo taksë nuk është realizuar se ne kur bëmë llogaritjet i bëmë me importet e tyre në vite?”, tha deputeti i PS, Ervin Koçi.
 
Zv.ministri i Financave, Ervin Mete, theksoi: “Nuk kemi patur mundësi të administrojmë si duhet dhe ju vetë kur na i thatë këtë propozim në komision, e dinit që ne nuk kishim gati të gjitha udhëzimet që të mund të bënim kontrollet”.
 
Në paketën fiskale që po diskutohet në Kuvend, Ministria e Financave ka propozuar heqjen e kësaj takse, por pjesa dërmuese e deputetëve është kundër. Aktualisht akciza që paguajnë këto kompani është 10 lek për kanaçe.
 
Përfituesit
Por, a është e drejtë që, për shkak se kompanitë kanë mashtruar konsumatorin, ato të favorizohen, duke u hequr një detyrim fiskal? Logjika duhej të ishte në drejtim të kundërt. Por, ajo që nuk thuhet në këtë mes është fakti që përfituesit nga anulimi i akzicës për produktet pije energjike janë shumë pak, madje 80 për qind e importit kryhet vetëm nga një subjekt i vetëm, që njihet mirë edhe për mbështetjen financiare të qeverisjes së mëparshme, në shkëmbim të lehtësivëe që qeveria Berisha i krijoi në biznes, për të krijuar pozita të dëmshme monopoliste në treg.

Në rast se një gjë e tillë u ka shpëtuar drejtuesve të Financave, kjo duhet të ngjallë alarmin të paktën tek anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, që e shohin edhe politikisht problemin. Sipas llogaritjeve nga ministria e Financave, nga heqja e akcizës mbi pijet energjike importuesi i tyre kryesor fiton pjesën e luanit nga 2 milionë euro, që shteti heq me nismë të vet nga buxheti, çdo vit.     


Heqja e akcizës rrit konsumin e pijeve energjike
Pijet energjike janë me probleme për shëndetin e atyre që i konsumojnë. Megjithatë, qeveria nuk aplikon logjikën e njejtë me duhanet edhe në rastin e tyre. Çdo vit, kur rritet akciza e cigareve, thuhet se një nga arsyet është të dekurajohet konsumi me rritjen e çmimit.

Produkti bazë që përdoret në pijet energjike është taurina, një substancë, të cilën trupi i njeriut e prodhon vetë. Doza ditore e taurinës duhet të jetë mes 100 dhe 500 mg, ndërkohë që një kanaçe nga pijet energjike ka 1 gram taurinë, për më tepër tëprodhuar në mënyrë sintetike. Pirja e disa kanaçeve, shoqëruar edhe me pije alkoolike, krijon një rrezik për shëndetin, sidomos për adoleshentët, që janë përdoruesit më të mëdhenj.

Një nga arsyet pse duhet të frenohet konsumimi i pijeve energjike është se ato shkaktojnë ankth dhe stres, pasi përmbajnë shumë kafeinë dhe sheqerna, dy përbërës që janë të njohur për shkaktim ankthi dhe stres kronik. Dhe, përveçse sigurojnë energji artificiale, këto pije përmbajnë shumë sheqerna, mesatarisht, 15 lugë kafeje sheqer. Kjo dëmton ndjeshëm sistemin imunitar, rrit inflamacionin dhe çon në prishjen e dhëmbëve. Gjithashtu, ndikon në shtimin e peshës. Ditët e fundit, në Kuvend, gjatë diskutimeve, është ngritur me të drejtë kritika për favorizimin që po u bëhet importuesve të pijeve të tilla. Pse nuk hiqet fare akciza për kafenë, që shumë vende nuk e kanë, kanë theksuar deputetët?


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)