“Si duhet të shmangen
vjedhësit e zgjedhjeve”

“Si duhet të shmangen <br />vjedhësit e zgjedhjeve”
Që në fillim të këtij shkrimi dua të përshëndes punën e deritanishme të Komisionit të Reformes Zgjedhore dhe miratimin nga ky Komision i dënimeve më të ashpra për veprat penale që lidhen me zgjedhjet,gjë kjo që do të ketë edhe efekt parandalues për këto krime me pasoja tragjike për Shqipërinë. Nëse dikush po i kundërshton këto dënime, kjo është dëshmi se ky dikush është arkitekt i vjedhjeve e manipulimit të zgjedhjeve në të kaluarën dhe po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Kjo duhet të shërbejë sot një sirenë alarmi për shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Kam besim se po të jetë vullneti i mirë i politikanëve, e së pari i dy partive të mëdha, janë të gjitha mundësitë që të hartohet e miratohet një Kod Zgjedhor shumë i mirë dhe vërtet demokratik, një Kod që do t’u japë zgjidhje shqetësimeve dhe problemeve të shumta që kanë dalë në zgjedhjet e derisotme. I bëj apel gjithë klasës politike në Shqipëri, e sidomos liderëve dhe deputetëve të PD, që të mos e vonojnë dhe shaktërrojnë edhe më tej perspektiven europiane të Shqipërisë.
Edhe pse larg Shqipërisë sonë të dashur unë e ndjek me shqetësim të vazhdueshem gjithçka ngjet aty dhe kam mbajtur e do të mbajë qëndrimet e mia publike. E konsideroj si detyrim ndaj vendit tonë që të jap kontributin tim modest në reformat demokratike, përfshirë edhe reformën zgjedhore e kushtetuese, rreth të cilave kam shkruar disaherë që nga viti 1991 e deri më sot. Une u bëj apel të gjithë intelektualeve në Shqipëri dhe atyre në emigracion të bëhen pjesë e kësaj reforme e cila nuk duhet të jetë pronë vetëm e disa partive politike. Pra edhe ne le të shkruajmë, publikojmë e dërgojmë në Komisionin përkatës sugjerimet tona konkrete edhe për Kodin Zgjedhor.
Mendoj se është detyrim moral e patriotik i këtij Komisioni, i Parlamentit, i Qeverisë, i opozitës, i medias dhe shtypit, i organizatave joqeveritare dhe të gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ne emigranteve, që më në fund, pra pas dy dekada vjedhjesh e manipulimesh të zgjedhjeve, ta çlirojmë vendin tonë të dashur nga ky turp dhe krim i madh ndaj demokracisë dhe popullit. Pra Kod i Ri Zgjedhor duhet të jetë jo Kod i Vjedhjeve të zgjedhjeve si deri më sot, por një Kod i standarteve europiane, një Kod që nuk lë shtigje manipulimesh e fallsifikimesh si kodet e derisotme, një Kod që të realizojë barazinë e votës dhe mosdeformimin e vullnetit të popullit. Pra Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë një Kod për të mirën e Shqipërisë dhe jo Kod për interesat e ngushta të dy a tre partive. Partitë e mëdha duhet të mbajnë parasysh se vjen një kohë që edhe ato mund të bëhen të vogla. Përmasat e partive, ashtu si vetë jeta sociale e politike, janë relative dhe në ndryshim.
Një gjë sot është e qartë për të gjithë: Cilado forcë politike apo cilido pushtetar a politikan që pengon e saboton sanksionimin ne Kodin Zgjedhor dhe vënien në zbatim të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare dhe sugjerimet konstruktive të specialistëve dhe faktorëve të tjerë shqiptarë për reformën zgjedhore, dëshmon se nuk i shërben Shqipërisë, se synon të vjedhjë e manipulojë edhe zgjedhjet e ardhshme. Këtyre matrapazëve e rrufjanëve të politikës shqiptarë populli duhet t'u japë ndëshkimin më të fortë që sot, pa pritur zgjedhjet e 2013-ës.
Në vazhdim të këtij artikulli do të japë disa propozime konkrete drejtuar Komisionit të Reformes Zgjedhore.
1. Puna për Kodin Zgjedhor të jetë shumë transparente.
Eshtë e rëndësishme që e gjithë puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore, diskutimet, propozimet e sugjerimet e subjekteve shqiptare dhe të ndërkombëtarëve të bëhen TRANSPARENTE dhe publiku të jetë plotësisht i informuar jo vetëm me fjalë e deklarata të përgjithshme, por edhe për formulimet konkrete të neneve që propozohen nga çdo subjekt.
2. Komisioni duhet të shqyrtojë sugjerimet e të gjithë faktorëve
Komisioni duhet të mirëpresë, respektojë dhe marrë në konsideratë edhe sugjerimet që bëhen nga partitë e vogla dhe ato joparlamentare, nga shoqatat, intelektualët dhe faktorë të tjerë brenda e jashtë vendit. Përvoja e hidhur antidemokratike e natës së 21 Prillit 2008 nuk duhet të përsëritet dhe populli nuk duhet ta tolerojë me një atentat të tillë shkatërrimtar ndaj demokracisë. Me shumë të drejtë partitë e vogla opozitare në 2008-ën protestuan në mënyrën më unike-me grevë urie të deputetëve të tyre brenda në sallën e Parlamentit. Ky vit do të provojë edhe se sa do t'u qëndrojnë këto parti të vogla atyre kërkesave e parimeve për të cilat sakrifikuan në 2008-ën. Aq më tepër që disa nga ato parti janë bërë të gjithpushtetëshme sepse ato formuan dhe mbajnë në këmbë qeverinë.
Eshtë pozitive fakti se opozita e pranoi publikisht gabimin që bëri me 2008-ën. Por vetëm kjo nuk mjafton. Sot PS duhet të mbështesë edhe propozimet e partive të vogla për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe të votojë vetëm një Kod Zgjedhor që t'i shërbejë demokracisë dhe pluralizmit në Shqipëri, një Kod që sanksinon administrimin jopartiak të zgjedhjeve, një sistem zgjedhor të ndershëm dhe jo sistemin aktual, një Kod që garanton zgjedhje të lira dhe mbyll shtigjet e manipulimeve.
3. Sistemi zgjedhor duhet të ndryshohet
Që në zgjedhjet e para parlamentare të bëra sipas Kodit të 2008-ës u provua se sistemi zgjedhor i sanksionuar në Kod ishte deformim flagrant e antikushtetues i vullnetit dhe votës së zgjedhësve prandaj duhet ndryshuar. Personalisht preferoj një sistem të pastër mazhoritar ku zgjedhësit votojnë për kandidatin që preferojnë dhe kështu ruhet me saktë barazia e votës dhe lidhja midis deputetit me zgjedhësit. Por në kushtet e Shqipërisë një sistem proporcional kombëtar është më i përshtatshëm sepse çdo kandidat e parti merr votat që i japin zgjedhësit, votat e partive të mëdha e të vogla përkthehen në mandate reale, partitë e mëdha nuk grabisin me formula të komplikuara matematikore edhe votat e partive të vogla. Dhe as partitë e vogla nuk marrin lëmoshat e partive të mëdha. Pra subjektet elektorale marrin vetëm atë që u takon nga vota e popullit dhe jo nga manovrat.
4. Kolegji Zgjedhor duhet eleminuar dhe ankesat kundër KQZ duhen bërë në gjykatat e rretheve gjyqësore vendimet e të cilave të jenë të apelueshme.
Përvoja e turpshme dhe dështake me Kolegjin Zgjedhor partiak që shpesh është bërë mbrojtës apo edhe pjesë e krimeve elektorale dikton domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij institucioni. Çështjet që lidhen me zgjedhjet le të gjykohen në të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Por afatet e gjykimit të këtyre çështjeve, për vetë karakterin dhe nevojën e gjykimit të shpejtë, duhen përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe jo sipas afateve të përgjithshme të Kodeve të tjera. Kjo duhet theksuar qartazi në Kodin Zgjedhor. Edhe caktimi i gjyqtarëve për këtë çështje duhet bërë jo nga partitë, por nga vetë gjykata përmes shortit manual dhe jo kompjuterik, pra ndryshe nga çështjet e tjera, dhe me praninë e medias, publikut dhe palëve të interesuara. Data, ora dhe vendi i shortit duhet njoftohet publikisht dhe palët ankimuese duhet t'i konfirmojnë gjykatës marrjen e njoftimit.
5. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndryshojë si në mënyren e zgjedhjes dhe në kriteret që duhet të plotësojnë ata që propozohen për anëtarë në këtë Komision.
Përvoja e derisotme kur të dy partitë e mëdha kanë synuar të kontrollojnë administrimin e zgjedhjeve ka krijuar kriza të vazhdueshme politike dhe ka humbur besimin në vetë zgjedhjet dhe korrektësinë e tyre. Duhet të ndryshojë mënyra si zgjidhen dhe propozohen anëtarët e tij duke synuar që ai të kthehet në një komision krejtësisht të pavarur e profesional dhe jo shërbëtor i partive. Nëse edhe në Kodin e ri do të mbahet kontrolli partiak mbi administrimin e zgjedhjeve atëherë nuk ka as reformë zgjedhore, as garanci për zgjedhje të lira e të ndershme. Frika e partive se gjithçka në këtë komision dhe në komisionet e tjera do të mund të manipulohet nëse partitë nuk i kontrollojnë a nuk kanë militantët e tyre në to, nuk justifikon mbajtjen e këtyre komisioneve partiake.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve le të ketë 7 anëtarë por që zgjidhen ndryshe nga deri me sot. Anëtarët e Komisionit duhet të zgjidhen nga subjekte të ndryshme: Një variant mund të jetë ky: 1 anëtar emërohet nga Presidenti, 1 anëtar zgjidhet nga Gjykata e Lartë me votim të fshehtë; 1 anëtar zgjidhet nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, 1 anëtar zgjidhet nga Shoqatat e gjyqtarëve në mbledhje të përbashkët e me votim të fshehtë, 1 anëtar zgjidhet nga Shoqatat për të Drejtat e Njeriut (në mbledhje të përbashket e me votim të fshehtë) ,1 anëtar zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve dhe 1 anëtar zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese me votim të fshehtë. Të gjitha subjektet e mësipërme duhet detyrimisht të zgjedhin brenda afateve të përcaktuara në këtë Kod anëtarin për në KQZ. Subjekti që dështon të bëjë zgjedhjen kjo e drejtë i kalon subjektit që ka perfunduar i pari zgjedhjen e anëtarit të KQZ.
Partitë politike dhe subjektet e tjera kanë të drejtën e vëzhguesve në çdo qendër votimi dhe në KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të punojë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm kur ka zgjedhje. KQZ duhet të ketë kompetencën dhe mbajë përgjegjësi të plotë për Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve, ai duhet të bëjë korigjimet dhe heqjen e dublimeve në të jo më pak se njëherë në 4 muaj në bashkëpunim me organet e tjera lokale dhe qendrore e sëpari me Zyrat e Gjendjes Civile. Këto organe janë të detyruara të dërgojnë regjistrat e tyre të votuesve në KQZ dhe të bëjnë përditësimin e të dhënave në jo më pak se njëherë në tre muaj. KQZ duhet të ngarkohet me detyrimin për organizimin e trajnimit të vazhdueshëm dhe gjatë gjithë vitit të qytetarëve lidhur me votimet, Kodin Zgjedhor, dhe shërbimin si anëtar në Komisionet e Qendrave të Votimit.
(vijon në numrin e ardhshëm)
*Ish-kryetar i Gjykatës së Kasacionit, Uashington, DC
28 Shkurt 2012
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate

Ministri Hasani 'përplaset' me Lajçak: Përqëndrohuni tek dialogu Kosovë-Serbi, do jemi të lumtur nëse do ketë rezultate