Luli, (nuk) ecën vetë

Luli, (nuk) ecën vetë

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Dilema e madhe tani pas shpalljes së Sali Berishës “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit, është se çfarë qëndrimi duhet të mbajë kryetari i PD-së Lulzim Basha. A duhet ta mbrojë, apo duhet ta lëshojë? Sali Berisha për Lulzim Bashën ka qenë problemi më i madh që ka pasur mbi shpinë një lider politik që aspiron pushtetin.

Lulzim Basha nuk pati kurrë guxim që të ballafaqohet me fatin politik të Sali Berishës në kuadër të rinovimit të PD-së. I trembej atij si “djalli temjanit”, por që gjithnjë është justifikuar me togfjalëshin: “mirënjohje ndaj liderit historik”.

Për 8 vite të qëndrimin në opozitë, Lulzim Basha nuk doli dot kurrë nga hija e Berishës në vendimmarrjet e tij. Edhe kur vërtet ai ka marrë vendime me vullnetin e tij të plotë, publiku ka pasur dyshimin se pas tyre fshihet Sali Berisha. A mundet që populli t’i besonte pushtetin një individi tek i cili nuk ishin të sigurt se vendimet që do merrte si shef i ekzekutivit do të ishin të tij apo të dikujt tjetër?  Kjo gjë e dobësoi figurën e kryetarit të opozitës që pretendon që të vijë në pushtet.

Lulzim Basha vuajti hartimin e listave për kandidatë për deputetë në minutën e fundit. Ai paraprakisht duhet të kishte biseduar gjatë me Berishën, shumë gjatë, muaj më herët se sa listat të depozitoheshin në KQZ. Biseda duhet të ishte e drejtpërdrejtë, sy më sy me të, ku t’ia bënte të qartë se tashmë ndjehet i rritur dhe duhet lënë të ecë vetë në politikë.

Largimin nga politika aktive, Basha duhet t’ia kërkonte Berishës që ta bënte vetë dhe nuk kishte arsye që këtë gjë atij t’ia kërkonte publikisht Genc Ruli e pas kësaj Berisha ta tallte Bashën në publik duke i thënë se: “Jam duke u menduar se në cilën zonë do kandidoj”. Pra, e vuri përpara faktit të kryer.

Pas 30 vitesh kontribut në politikën aktive, Berisha duhet ta ndjente se duhet të tërhiqej më në fund dhe të mos shpallte më dëshirë për të kandiduar për deputet. Por Sali Berisha nuk kishte besim tek aftësitë udhëheqëse të Lulzim Bashës, jashtë apo brenda Parlamentit qofshin ato.

Disa muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve, Sali Berisha do të shprehej kështu në një intervistë televizive për pyetjen se përse vijon të mos lodhet duke qenë deputet: “Këtë herë është betejë kundër të keqes. I kam pasur të gjitha funksionet, e kam dorëzuar karrierën time, por kjo është betejë dhe e ndjek me bashkëluftëtarët e mi”.

Përse duhej që Sali Berisha, tashmë në moshën 76 vjeçare, të vijonte “betejën kundër së keqes” e cila identifikohet, sipas tij, me Edi Ramën? Përse duhet t’ia mohonte këtë “betejë” Lulzim Bashës, i cili është përzgjedhje ekskluzive e tija në krye të PD-së?

Çfarë kuptimi ka që kryetari dhe ish-kryetari i PD-së të rrinë në të njëjtën sallë të Kuvendit dhe i pari të ndjehet në siklet përballë të dytit, sepse i dyti do marrë rolin e protagonistit në përballjen me palën kundërshtare!

Kur kryeministri Rama u pyet dy ditë përpara zgjedhjeve se çfarë do të ndodhte me karrierën e tij politike nëse i humbiste zgjedhjet, ai tha: “Nëse Partia Socialiste nuk ka një mandat të qartë, unë nuk jam. Nëse duhet të ndërtoj një shumicë qeverisëse nga halli, unë nuk jam”. Kryeministri Rama shtoi se do hiqte dorë jo vetëm nga drejtimi i PS-së, por edhe nga të qenit deputet.

Mandati i deputetit është vullnet i popullit, aq më tepër që në këto zgjedhje kandidatët për deputetë ishin pjesë e listave me përzgjedhje. Të lësh mandatin e deputetit do të thotë që të tradhtosh besimin e atyre që të kanë besuar votën e tyre. Por, kur bëhet fjalë për një kryetar partie, aq më tepër një lider që udhëheq partinë më të madhe, kjo lënie mandati ka tjetër qëllim.

Pra, Rama e kishte ndarë mendjen që kryetari i ri i PS-së duhet të kishte autoritetin e plotë për të qenë vetvetja dhe jo hija e tij. Sepse sado që Rama të jepte dorëheqjen si kryetar partie, qenia e tij pjesë e Kuvendit, praktikisht do e linte në hije kryetarin e ri, kushdo qoftë të ishte ai.

Por Edi Rama është Edi Rama dhe është kjo arsyeja përse ai është i suksesshëm në politikë dhe fitues i çdo gare elektorale. Sepse edhe në vitin 2005, kur garoi për kryetar të PS-së, ai nuk kërkoi as tutelë e as përkrahje nga ish-lideri historik Nano, përkundrazi.

Lulzim Basha nuk pati as fuqinë e as vullnetin që ta “kopjojë” në këtë aspekt Edi Ramën.  Karriera politike e Lulzim Bashës u ngrit e gjitha nën bekimin e Berishës dhe çdo aferë korrupsioni e tij gjatë 6 viteve si ministër, u lejuan nën garancinë e Berishës.

Drama që po përjeton sot PD-ja nga vendimi i DASH, është rrjedhojë e pafuqisë së Bashës për të qenë lider i vërtetë dhe autoritet i padiskutueshëm pas 8 vitesh në drejtimin e partisë. Por ky vendim i DASH, nëse Lulzim Basha do të dijë ta trajtojë ashtu siç duhet, mund t’i kthehet si avantazh i munguar që Luli të dëshmojë se di të eci vetë! Të shohim…

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 21/05/2021 19:16

    Luli vocerr i ka akoma buzet me qumesht prandaj i rri prane salqeni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës