A thua, me të vërtetë, në politikë hyjnë njerëzit e këqij apo ndoshta politika i prish njerëzit, sigurisht është edhe dilema juaj, jo vetëm këto ditë parazgjedhore.

E jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën jetën tonë në masë të madhe na përcaktojnë politikanë të tillë aq sa edhe kriza ekonomike e ngrysja jonë e madhe etike e morale sa tashmë gati i jemi dorëzuar fatit. Nesër, para kutisë së votimit, do të gjendemi sërish para dilemës si të zgjedhim, jo më të mirën, por të keqen më të vogël.

Me ndjenjën e pafuqisë për të ndryshuar diçka, me shpresë se ia kemi qëlluar dhe se, një ditë, krejt kjo edhe ashtu do të marrë fund sërish do të zgjedhim të keqen, sado më të vogël . E keqja, sado e vogël, nuk është e mira jonë. Nuk është zgjidhja.

E për të bërë zgjedhjen dhe për të gjetur zgjidhjen duhet t’i mbledhim forcat e guximin dhe në këtë ngrysje morale dhe etike të orientohemi kah ai ylli i latinëve të moçëm që jo më kot patën thënë: Cogito, ergo sum (Unë mendoj, pra ekzistoj) dhe t’ia presim udhën edhe të keqes sado e vogël të na duket.

Sigurisht, se në këtë gjendje të atrofisë së gjithmbarshme kjo nuk duket e lehtë por, e dini, suksesit gati gjithmonë i paraprijnë hapat sado të vegjël, por të vazhdueshëm.

Po ku te gjenden fillet e një rezonimi të tillë, në shoqërinë me gjithnjë e më pak optimizëm e me gjithnjë e më shumë xhepa të zbrazët, mund të thotë dikush.

Po këtu i keni, ua kanë nxjerrë sytë përditë. Sidomos këto ditë të fushatës. Ata gojëmblit, oratorët virtualë, humanistët me profil moralisht e etikisht më shumë se diskutabil, por me kollare e kostume “Armani”, ata me automjete të blinduara e orë dore sa të gjitha pagat tona jetësore. Ata, që me luksin e merituar, me çka tjetër përveç me ngrysjen e tyre morale para bosëve të vet, tash të buzëqeshin si engjëj.

Ata të cilëve, si qentë rreth kasaphanës, u shkon parapa, nëpër mitingje në kope lakenjsh nga ajo turma e pa kokë tek ngarendin me fotografitë lart. Politikanët de, argelat e djeshëm që sot aq përulësisht po ua kërkojnë votën.

Ata të cilët katër vjet më parë dikush nga ne megjithatë i pat zgjedhur andaj bashkërisht mbajmë përgjegjësinë. Ata që kanë shofer personal dhe voziten në llogari të qytetarëve, shumica e të cilëve veturave tashmë ua kanë qitur rezervuarin me gaz, që ta lidhin disi fillimin dhe fundin e muajit.

Politika e politikanët teorikisht, do të thonë edhe këta tanët, do të duhej të ishte ekskluzivisht në shërbim të qytetarit. Megjithatë, te ne, por jo vetë këtu, qytetarët janë në shërbim të politikës.

Politikanët më në fund gjithandej janë kreatorë të situatave e fateve tona. Ata vendosin për gjithçka. Për shkollat, në të cilat vetëm fëmijët e tyre nuk shkollohen sepse i kanë shpërndarë nëpër kolegje elitare jashtë vendit. Për spitalet, në të cilat ata dhe fëmijët e tyre as që e shkelin pragun. E politikanët apo jo, gjithmonë qeverisin mirë. Me xhepat e vet, duke zbrazur xhepat tanë.

E megjithatë, na i kërkojnë dhe na i marrin votat. Së paku në përzgjedhjen tonë mes dy të këqijave. Me retorikë i magjepsin ata që në shumicën e rasteve as që e kuptojnë çka në të vërtetë u thonë. Vetëm e dinë se ajo që u thotë duhet të jetë diçka shumë e mirë.

I keni parë, para zgjedhjeve zakonisht dinë të na thonë: Të jetojmë më mirë. Dhe kjo vërtet ndodh, ata pas zgjedhjeve jetojnë edhe më mirë se deri tash.

E për ne ka kohë. Zgjedhjet e tjera vijnë shpejt. Dhe sërish mund të gjendemi para të njëjtës dilemë: si të zgjedhim të keqen më të vogël. Dhe asaj dilemës së përjetshme.

A thua, me të vërtetë, në politikë hyjnë njerëzit e këqij apo ndoshta politika i prish njerëzit. Sado e thjeshtë, përgjigja s’është aq e lehtë! Çka mendoni, cila është e vërteta?