Më vijnë shpesh në mendje bashkëatdhetarët e mi që pa një pa dy e kanë gati një sharje për këdo: pasi marrin me rradhë kundërshtarët “normalë”, kalojnë pa vështirësi tek më të njohurit e ata që kanë një kontribut universal; për Nënë Terezën, për Ismail Kadarenë, për SHBA-të, për Yuri Kim... E në gjithë këto herë më vjen në mendje një film argjentinas për të cilin kam shkruar edhe herë të tjera e sugjeroj ta shohë kushdo dëshiron. Filmi quhet “Qytetari i nderit” (Il Cittadino illustre) dhe tregon historinë e një shkrimtari që fitoi çmimin Nobel. Protagonisti kryesor refuzoi të gjitha ftesat që fillimisht i vinin nga Universitete, organizata nga më prestigjozet në botë për të pranuar vetëm një ftesë: Atë nga kryebashkiaku i qytetit të tij të vogël të lindjes në Argjentinë, për ta dekoruar si Qytetar Nderi. Por, edhe një çmim Nobel, nuk është asnjëherë aq i madh sa të vlerësohet në një qytetth, në një provincë, në një vend të vogël që rrit në përmasa të tejskajshme egon e individëve që nuk kanë dalë kurrë prej saj. Edhe një çmim Nobël nuk është mjaftueshëm i madh para njerëzve me egon gjigande të provincës së mbyllur. E kotë të tregoj se si shkrimtari desh përfundoi i vrarë në qytetin e tij të lindjes, ku në vend që të dilte i nderuar, iku nga sytë këmbët, duke shpëtuar kokën. Metafora e atij filmi, përsëritet përherë e përherë në këtë vendin tonë.
Thonë që historia duhet të jetë mëesuesja më e mirë për këdo, por kujtesa e shkurtër nuk ndalon shumë prej nesh të krekosen si në sallone të politikës, si në studio televizive, duke fryrë gjoksin dhe duke mos u vetëpërmbajtur në sfidën e hapur që i kanë shpallur Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata! Një grup njerëzish thellësisht të korruptuar, aspak të ndëshkuar. Bashkëpunues me krimin dhe trafiqe të ndryshme, vazhdojnë shpërfillës, si në fshatin më të humbur e më të izoluar, të tallin atë, “të huajin” sepse kujtojnë se ai nuk i njeh e nuk kupton. Duket sikur janë mini-enverë që tamam si në kohën e Diktaturës iu shesin shqiptarëve teoritë anti-imperialiste, si të ishim të gjithë akoma të pamarrëvesh e të izoluar.
Ajo që është ende e paqartë në gjithë këtë “estradë” me antiamerikanë e antidemokraci që vazhdojmë të shohim nën qiellin tonë të bukur e të hapur është kjo: Janë pa ndërgjegje, apo janë aktorë të një filmi që e kanë filluar vite e vite më parë, nga i cili nuk duan apo nuk dinë të dalin?