Paketa Antishpifje, Borchardt: Duhet të bëhet, edhe OSBE ka qenë viktimë e sulmeve, jo gazetari copy/paste

TIRANE-Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt gjatë aktivitetit ‘Forumi për Zhvillimin e Medias’, ka folur për lirinë e shtypit, nismën e kryeministrit Rama për paketën antishpifje, por edhe për zgjedhjet lokale të 2019 dhe Reformën Zgjedhore.  Ai u shpreh se Shqipëria duhet që të çkriminalizojë plotësisht shpifjen, ndërsa shtoi se edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve.

“Shqipëria duhet të çkriminalizojë plotësisht shpifjen. Ky është një rekomandim nga ne dhe nga ODIHR-i, në kuadrin e reformës zgjedhore. Edhe pse Kodi Penal nuk parashikon më dënim me burg për këtë vepër, gazetarët përballen me gjoba dhe dënime penale në rast se shpallen fajtorë. Dispozitat e Kodit Civil janë më se të mjaftueshme për të dënuar shpifjen. Madje, edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve.Radiotelevizioni publik duhet të funksionojë i pandikuar nga kontrolli politik, pasi roli i tij i vërtetë është të jetë partner i qytetarëve, i vetë shtetit, si edhe i sektorit tregtar”tha ai. Bernd Borchardt duke u ndalur te nisma e kryeministrit për paketën antishpifje tha se rregullimi i portaleve online duhet të bëhet, por duke respektuar standardet ndërkombëtare duke mos cenuar lirinë e medias.

Rregullimi i portaleve online, përfshirë portaleve të medias, është çështje e ditës. Ky rregullim duhet të kryhet duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare, duke treguar kujdes dhe vëmendje për të mos cenuar lirinë e medias, përmes konsultimesh të gjera dhe transparente, si dhe duke respektuar parimin e përpjesëtueshmërisë.

Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ofrojë mbështetje përgjatë kësaj nisme dhe e mirëpresim angazhimin që kryeministri Rama. Marrja e masave kundër shpifjes nuk është diçka e keqe në vetvete. Nga njëra anë, kemi të drejtën e njeriut, lirinë e shprehjes, nga ana tjetër kemi të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit. Ne japim dy rekomandime thelbësore në këtë fushë: njëri është që mbrojtja e dinjitetit kundrejt shpifjes të mos bëhet përmes Kodit Penal; ndërsa rekomandimi i dytë është që kjo vijë e hollë ndarëse midis këtyre dy të drejtash të përcaktohet bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të praktikave më të mira evropiane.

Bernd Borchardt

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes, ambasadori kishte edhe disa këshilla për gazetarët në Shqipëri.  Borchardt theksoi se liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme. Ai u shpreh se edhe prezenca e OSBE-së ka qenë vetë viktimë e këtyre sulmeve. Diplomati i OSBE solli edhe një shembull për pronësinë e portaleve.

Nga ana tjetër, Prezenca e OSBE-së nxit profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e medias gjatë raportimit. Me sjellje etike dhe profesionalizëm, mediat dhe vetë gazetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre për të arritur respektimin e lirisë së medias. Thënë troç: mos prisni nga politikanët të mbrojnë profesionin tuaj; këtë gjë duhet ta bëni vetë. Shoqatat e mediave, sindikatat e gazetarëve, pronarët e mediave duhet të përkrahin vetërregullimin e medias si alternativë ndaj rregullimit qeveritar të saj. 

Është më mirë të kemi një Kod Etike për Median që respektohet dhe zbatohet, se sa dispozita të Kodit Penal;  Dua të theksoj se liria e medias nuk nënkupton liri si në Perëndimin e Egër; liri nuk do të thotë anarki; liria e medias kërkon standarde profesionale, të mishëruara në parime, rregulla dhe rregullore. Praktika më e mirë është që vetë gazetarët të hartojnë kode etike për median dhe t’i zbatojnë ato me anë të organizatave për vetërregullimin e medias.

Nëse nuk veproni ndaj gazetarisë së kopjimit (copy/paste), nëse nuk ndërmerrni veprim sindikal ndaj informalitetit në punësim, nëse pranoni kontroll redaksional nga pronarët, atëherë edhe ju jeni përgjegjës për situatat me të cilat përballeni. Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme, që u shkojnë për shtat interesave të caktuar politikë dhe ekonomikë. Edhe Prezenca e OSBE-së ka qenë vetë viktimë e këtyre sulmeve, prandaj e di mirë se ç’them. Kjo gjendje është veçanërisht problematike në rastin e medias online në Shqipëri.

Ka me qindra faqe interneti që thjeshtë nxjerrin lajme pa cilësi, duke kopjuar trillime.  Shumë informacione janë tejet të interpretueshme dhe mund të shihen si shpifje; ndërsa informacione të tjera janë thjesht shpifje dhe kaq. Pronësia e këtyre faqeve interneti shpesh është jotransparente. Është gjetur një në Kolumbi. Interesante. Burimet e financimit të këtyre faqeve janë të paqarta. Rregullimi i mediave online është i nevojshëm, por kjo duhet bërë, sikurse thashë më herët, në mënyrë përpjestimore dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përcakton standardet dhe udhëzimet.

Bernd Borchardt

Pas komenteve për median, Borchardt u ndal te politika duke kërkuar që palët të nxitojnë për Reformën Zgjedhore, pasi koha po ecën dhe disa aspekte kërkojë kohë. Ai e cilësoi si keqardhje faktin që PD nuk ka dërguar dy emrat e anëtarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Fillimi i punës nga KQZ-ja nuk do të thotë se reforma zgjedhore ka marrë fund. Ajo ende mund të miratohet. U gëzova shumë kur dëgjova nga kryetari i Partisë Demokratike që Partia Demokratike do të vazhdojë të marrë pjesë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore.  Megjithatë, koha po ikën. Disa çështje mund të rregullohen në një fazë disi të vonë, por çështje të tjera si depolitizimi i komisioneve zgjedhore apo çështje që shkojnë përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, si për shembull votimi elektronik dhe teknologjitë e reja të votimit në përgjithësi, kanë nevojë për kohë në mënyrë që të bëhen përgatitjet, të trajnohen njerëzit dhe të informohen zgjedhësit. Sa u takon këtyre çështjeve, jemi që tani shumë vonë. Keni pasur edhe më herët zgjedhje, ku KQZ-ja ka pasur vetëm katër anëtarë, ndërsa tani ka pesë. Thënë kjo, kjo situatë është sigurisht për të ardhur keq. Kjo do të thotë që nuk përdoren të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore.

Bernd Borchardt

Në aktivitet ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili theksoi se BE ka mbështetur hartimin e një kodi të ri etike në të cilin ka edhe një rregullore për median online.

Ruajtja dhe mbrojtja e lirisë së medias kërkon një përkushtim të fortë. Këto janë disa aspekte që duhet të jenë të mirë përcaktuara te cdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Nuk dua të flas për ato çështje që ju i dini shumë mirë, por dua të shpjegoj se çfarë dëshirojmë që të bëjmë ne. Ne kemi mbështetur hartimin e një kodi të ri etike dhe në të cilin ka edhe një rregullore për median online duke synuar një version të përditësuar të kodit. Ndihmesa jona për të drejtat e punës së gazetarëve shqiptarë. Bashkë me OSBE po përfundojmë një program për forcimin e transmetuesit publik dhe për të përforcuar departamentin e gazetarisë në UT. Ne do të kemi edhe vitin tjetër financime për gazetarinë investigative. Ne e bëjmë këtë sepse besojmë se forcimi i gazetarisë është e vetmja mënyrë për të luftuar autocensurën. Liria e shtypit është për të kritikuar dhe kundërshtuar.

Luigi Soreca

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja