Dorëzimi Strategjik i Shqipërisë ndaj Sigurisë Energjetike
Rafineria e Ballshit, dikur zemra e përpunimit të naftës shqiptare, sot është bërë një iluzion energjetik.
Shqipëria është një nga ato vende që natyra i ka falur pothuajse gjithçka: diell, ujë, dhe mbi të gjitha naftë. Megjithatë, sot ajo është më e ekspozuar se kurrë ndaj krizave energjetike. Ironia është e hidhur: kemi burime, por nuk kemi më kontroll mbi to.
Simboli më i qartë i këtij dështimi është Rafineria e Ballshit. Dikur zemra industriale e përpunimit të naftës shqiptare, sot ajo përfaqëson një dilemë të madhe kombëtare: ta ruanim për siguri energjetike, apo ta shndërrojmë në një park fotovoltaik, duke e quajtur këtë “modernizim”?
Kjo nuk ishte thjesht një çështje investimi; ishte një zgjedhje strategjike që ndan një shtet që mendon për krizat nga një shtet që reagon vetëm pasi kriza ka ardhur.
Në vitet e fundit, bota ka dhënë sinjale të qarta alarmi. Nga lufta në Ukrainë deri te tensionet në Lindjen e Mesme, tregjet e energjisë janë tronditur vazhdimisht. Çmimet janë rritur pa kontroll, dhe vendet që nuk kanë kapacitete të brendshme për përpunim kanë qenë të parat që kanë paguar faturën.
Shumë shtete europiane kanë zgjedhur të ruajnë rafineritë e tyre, madje edhe me kosto financiare, vetëm për të garantuar pavarësinë energjetike. Sepse në moment krize, tregu i lirë zhduket – mbetet vetëm interesi kombëtar.
Shqipëria hoqi dorë nga i vetmi aset strategjik që i jepte autonomi për karburante, duke e zëvendësuar me panele diellore që, sado të dobishme, nuk prodhojnë asnjë litër naftë, benzinë apo gaz.
Shteti argumentoi se rafineria e Ballshit, projektuar për naftat e rënda shqiptare, nuk ishte fitimprurëse. Por si mund të prodhonte fitim një rafineri që nuk furnizohej me lëndë të parë, kur ligjet shtetërore lejuan eksportin e naftës tonë?
Le ta themi qartë: një park fotovoltaik është një investim i vlefshëm, por nuk mund të zëvendësojë një rafineri. Ai prodhon energji elektrike, jo siguri për transportin, industrinë dhe ekonominë reale. Shqipëria nuk lëviz me rreze dielli; ajo lëviz me karburant.
Shkatërrimi i Rafinerisë së Ballshit nuk është thjesht një gabim ekonomik; është një dorëzim strategjik. Do të thotë të pranosh që në çdo krizë të ardhshme vendi të mbetet në mëshirë të importit, të çmimeve të diktuara nga jashtë dhe të mungesës së kontrollit. Një rafineri e shkatërruar nuk rindërtohet lehtë; humbja e saj është për dekada.
Argumenti financiar se rafineria mund të dilte me humbje është i dobët kur bëhet fjalë për siguri kombëtare. As ushtria nuk është “fitimprurëse”, por askush nuk propozon ta mbyllë për të kursyer para.
Nëse Shqipëria do të kishte një vizion të qartë, nuk do të zgjedhte mes Ballshit dhe energjisë diellore. Do të investonte në të dyja: një rafineri funksionale për emergjencat dhe një sektor energjie të rinovueshme për të ardhmen.
Por ajo që ndodhi ishte më shumë një mungesë strategjie sesa një zgjedhje e vetëdijshme. Kjo është ajo që kushton më shtrenjtë jo vetëm në para, por në varësi, pasiguri dhe humbje të sovranitetit ekonomik.
Ballshi nuk është thjesht një qytet industrial i harruar; është një provë për mënyrën se si ky vend e koncepton të ardhmen e tij. Fatkeqësisht, duket se kemi zgjedhur rrugën më të lehtë, por edhe më të rrezikshme.
*Nako Petro, ish-Drejtor i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës
Komente











